Ti je i vogël
Shprehja “ti je i vogël” krijon gjeneratë prej të moshërriturve me ambicie të vogla dhe me vullnet të dobët. Ai i cili ndihet se çdoherë është i vogël, nuk do të mendojë, nuk do të shpikë dhe nuk do të zbulojë diçka, por ai do të mbetet duke i përsëritur gabimet e tij dhe do të vazhdojë me mangësitë e tij, e pastaj do ta arsyetojë veten se ende është i vogël!
Aspirata e nxënësit-fëmijës
Mos u anko shumë prej cekëtinës së aspiratave të atij që e edukon, por krijoji atij aspirata serioze dhe të përshtatshme për aftësitë e tij, do të shohësh atëherë se si vetë do t’i arnojë të gjitha aspiratat e tij të mëhershme.
Nuk është për ty
Nëse mësuesi nuk merret me nxënësin i cili e neglizhon ndonjë sjellje që i është drejtuar atij personalisht, atëherë mësuesi do të ketë më shumë mundësi për t’i shëruar të metat e nxënësit në fjalë, madje të merret me to me qetësi e drejtësi. Po ashtu madhësinë e problemit do ta peshojë me më shumë precizitet, sesa në rastin kur nxënësi e merr qysh në fillim se kjo sjellje i është adresuar atij.
Gabimet e shqiptimit
Belbëzimi i fëmijës ose shqiptimi i gabueshëm i fjalëve nuk nënkupton shans për tallje dhe zbavitje, e në veçanti kur problemi është i shpeshtë, gjë që e rrit edhe më shumë problemin me kalimin e kohës. Nga mënyra e shëndoshë është që fëmijës t’i përsëriten fjalët në mënyrë të drejtë dhe të kalitet me to. Nëse fjalët që shqiptohen gabimisht janë shumë dhe mosha e fëmijës është pesëvjeçare, atëherë ka nevojë për vizitën e mjekut të specializuar në këtë fushë.
Edukimi me dhunë dhe shtypje
Ibn Halduni, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kush prej nxënësve, skllevërve apo shërbëtorëve është edukuar me dhunë dhe shtypje, atë do ta mposhtë dhuna, do ta çojë të gënjejë, të jetë i ligë dhe ta paraqesë atë që nuk e ka në ndërgjegjen e tij, dhe kjo për shkak të frikës se tjetri do t’i shtrijë duart të përdorë dhunë mbi të. Kjo, po ashtu, e çon t’i mësojë dredhitë dhe mashtrimet, derisa i bëhen ato adet dhe moral, i prishen kuptimet e njerëzisë në të, bëhet barrë e tjetrit, nuk ka interes të përfitojë vlera dhe moral të mirë.”73
Faturat e ashpërsisë
Ashpërsia familjare, ballafaqimi me vështirësitë materiale dhe dëshpërimet personale kanë fatura të shtrenjta në çmim, ndërsa ato i paguajnë djemtë dhe vajzat tona me ardhmërinë e tyre, me ndjenjat, me aspiratat dhe me sjelljet e tyre. Këtë problem ndoshta nuk mund ta hetojmë deri në prag të adoleshencës, kur ata do ta zëvendësojnë shtëpinë e shkretë dhe të rraskapitur me rrugën, familjen e vdekur dhe të çrregulluar me shokun e keq, ndjenjat që nuk ua kushtonim atyre me humbjen e kohës me celular.
Kujdes nga krahasimet
Krahasimet janë kurthe që shumë prej baballarëve bien në të pa e ndier. Allahu nuk i barazoi aftësitë e njerëzve dhe mendjet e tyre. E, kur ne e teprojmë në inkurajimin e fëmijëve tanë gjatë krahasimit të tyre me të tjerët apo bile në mes vete, ne veçse kemi filluar pavetëdije t’i edukojmë me edukatë negative dhe me botëkuptime të rrezikshme, sikur xhelozia e tepërt, egoizmi dhe mëria.
Drejtësia në mes të nxënësve
“Mësuesi nuk duhet t’i dallojë nxënësit në mes vete në dashuri dhe përkujdesje kur janë të njëjtë në cilësi, sepse kjo të tjerëve ndoshta ua mërzit gjoksin dhe ua tremb zemrën. Kur ndonjëri prej tyre dallohet në mësime, në përpjekje, apo në sjellje, paraqite respektin dhe vlerësimin e tij dhe qartësoje para të tjerëve se respekti i tij vjen me meritë. Në këtë rast dallimi lejohet, sepse i nxit dhe i aktivizon nxënësit e tjerë të përshkruhen me ato cilësi.”74
Lëre të punojë
Kur atë që e edukojmë, e ndihmojmë ta plotësojë një punë të cilën ai vetë ka mundësi ta kryejë, kjo i bie sikur t’i themi: “ti nuk je i aftë të mendosh drejt”; kështu që ne ia vrasim atij fuqinë e zgjidhjes së problemeve në të ardhmen pa e ndier fare. Më primare është që t’ia parapërgatitim rrugën dhe t’i propozojmë atij opsione për ta zgjidhur problemin dhe të bashkëveprojmë seriozisht me pikëpamjen e tij. Në këtë mënyrë ai rritet dhe piqet duke e njohur mënyrën e bashkëveprimit me problemet e tij.
Irfan Jahiu
WWW.STUDENTET.MK