Kultura e gjuhës në mediat e sotme ka pasur arritje, që kanë shkuar krahas me lirinë e shprehjes dhe me njohjen e profileve të secilës prej tyre, qoftë të shkruara (gazeta e revista) qoftë të folura (radio e televizione publike e private). Kjo vlen edhe përpublicistikën e botuar në libra me autorë të ndryshëm; si dhe në libreca reklamues që qarkullojnë e shtohen vazhdimisht. Natyrisht, në këtë kah të ri të zhvillimit të publicistikës dhe të mediave në përgjithësi, si kudo në jetën shqiptare, ka pasur edhe rënie e ngritje, ka pasur edhe mungesë kujdesi e përgjegjësie ndaj gjuhës shqipe, ka pasur (e nuk mund të mos kishte) edhe qëndrime të ndryshme, kritika e pohime kontestuese ndaj standardit, herë me të drejtë, herë pa të drejtë, më shumë nga jospecialistë të gjuhës, por edhe më gjerë. Ka pasur edhe një farë “protagonizmi kundërnjësues”, që nuk i shërben së mbarës, por ka pasur e ka edhe vërejtje e mendime me vlerë. Probleme të tilla janë shqyrtuar e do të jenë edhe më tej objekt studimi nga gjuhëtarë specialistë pikërisht për t’u dhënë përgjigjen e duhur. Kjo është rrugë e filluar dhe patjetër do të vazhdohet, por, ndërkaq, koha jonë shtron me ngut edhe shtimin e kujdesit ndaj gjuhës së mediave, duke i dalë punës përpara, sidomos me përgatitjen sa më të mirë gjuhësore të gazetarëve të rinj, qysh në vitet e shkollimit universitar e pasuniversitar. Po ritheksojmë vetëm disa nga pikat më “të nxehta”.

Nga vëzhgimet e bëra në gjuhën e mediave, po parashtrojmë disa kryetipe gabimesh drejtshkrimore, drejtshqiptimore e shkelje të rënda të normës morfosintaksore; fjalë të huaja të panevojshme, ndërtime sintaksore të papërshtatshme e të papranueshme për shqipen. Këto, në të vërtetë, edhe janë përmendur shpesh në analizat e shkrimet e ndryshme të gjuhëtarëve (artikuj, kumtesa, libra), porse mbi atë hulli, me siguri, mund ta zgjerojmë e ta pasurojmë pamjen e sotme lidhur me gjendjen e gjuhës së shkruar dhe të folur në media. Gjuha e publicistikës sot luan rol të rëndësishëm në përhapjen e tejçimin e gjuhës së shkruar dhe të normës së gjuhës së folur, të shqiptimit e të intonacionit standard. Prandaj, nuk mund të kemi standard të mirë, nëse do të kemi gazetarë që nuk e shkruajnë gjuhën shqipe mirë dhe nuk mund të kemi kulturë gjuhe, nëse nuk kemi gazetarë, folës, drejtues emisionesh etj. që flasin bukur në radio e në televizion. Njerëzit e marrin gjuhën e gazetave dhe të revistave si model të shkruari, gjuhën e radios e të televizionit si model të foluri. Nuk ka dhe nuk mund të ketë media të zhvilluara e të përparuara pa gjuhë të përpunuar, pa kujdes e punë të zellshme për t’i gjetur e për t’i përdorur ashtu si duhet fjalët e termat e shqipes, sipas shkallëzimeve që ndjekin boshtin e pyetjeve themelore të sociolinguistikës moderne: “Kush flet, me kë, kur, ku, për çfarë dhe në cilin varietet gjuhësor?”

Situata e sotme në lidhje me kulturën e përgjithshme gjuhësore në krejt bashkësinë shoqërore shqiptare është vërtet shqetësuese. Kultura dhe etika e të folurit publik ka pësuar ”krisje” të dukshme e të rënda. Ka mjedise shoqërore dhe institucionale, ku shkruhet e flitet dosido, pa asnjë kujdes për etnografinë e ligjërimit, me shpërfillje të dukshme ndaj traditave e normave të etikës së kuvendit e të fjalës publike. Kjo “flamë” gjuhëprishëse prek shpesh si deputetë e zëdhënës të shtypit, ministra e kryeministra, ashtu edhe gazetarë e sidomos artikullshkrues të organeve partiake, që ndjekin shembullin e tyre. Po dëmtohet keqas kultura e të shprehurit, po humbasin cilësitë më të vyera morale të etnografisë së ligjërimit e të folurit shqiptarisht, po bëhet pjesë e jetës sonë bloza (çagja) e zezë e fjalëve të ndyra, të papranueshme për një brez e shoqëri demokratike e të përparuar, sikundër kemi ëndërruar dhe gjakojmë e

synojmë të bëhemi, qoftë edhe me kaq vonesa, pengesa e mundime të pamerituara. Gojështhurja është modeli më i keq i kuvendimit dhe shkatërruese e debatit qytetar. Nuk mund të mos shprehemi kundër vrullit e përmasave shqetësuese të të shkruarit dosido dhe i të folurit me fjalë të pista, jo vetëm në shfaqje për humor, por deri në tituj gazetash e në fjalimet e deputetëve.

Rregullat e drejtshkrimit dhe normat e shqipes standarde duhen parë gjithmonë si pronë kombëtare dhe karakteri kombëtar i tyre duhet ruajtur e duhet pasur gjithmonë parasysh.

Përmblodhi dhe përshtati:
STUDENTET.MK

 

About Author

Admin_S