Siç theksuam më lart se pas Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972), pas një dekade, u kodifikuan pjesët përbërëse (hallkat) kryesore të strukturës drejtshkrimore, gramatikore, fjalëformuese, leksikore e pikësimore. Mirëpo, gjatë kësaj kohe u paraqit detyra tjetër shumë e rëndësishme: zotërimi i tyre, d.m.th. zotërimi i gjithë këtyre arritjeve të mëdha të gjuhësisë shqiptare nga masat e gjera të popullit.

Hallka kryesore që qëndron në ballë të përpjekjeve për zotërimin e standardit të shqipes është pa dyshim shkolla me karakterin e saj të theksuar masiv. Në asnjë mënyrë pas shkollës nuk duhet mohuar këtu rolin e madh të librit, të shtypit, të radiotelevizionit, të kinematografisë, të teatrit, të veprimtarisë ekonomike, shoqërore, kulturore e shkencore etj. Për këtë arsye, duke iu drejtuar popullit shqiptar për të përdorur standardin e shqipes, Kongresi i Drejtshkrimit i drejtohet, në radhë të parë, ”shkollës shqipe, si vatra themelore e formimit gjuhësor të brezave të rinj…” që ajo ”ta vlerësojë përvetësimin e normave të njësuara të gjuhës letrare e të drejtshkrimit të miratuar nga Kongresi si detyrë themelore dhe të zbatojë plotësisht rregullat e reja të drejtshkrimit, duke filluar nga viti 1973-1974“.

Shkolla jonë, duke vënë në jetë thirrjen e Kongresit të Drejtshkrimit, ka dhënë dhe jep një ndihmesë të shënuar për zotërimin e kodeve të të gjitha sistemeve dhe përhapjen e normave të gjuhës së njësuar letrare në masat e gjera. Kjo ka sjellë edhe e ngritjen nivelit cilësor të shkollës. U ngrit niveli cilësor i mësimdhënies së gjuhës shqipe nëpërmjet përmirësimit të teksteve dhe të kualifikimit të mësuesve, u zbatuan rregullat e drejtshkrimit të ri në tekstet e të gjitha lëndëve, u krijua në shkollë fronti i njësuar për përdorimin e shqipes standarde nga të gjithë mësuesit, duke u bërë kjo një çështje e ditës në shkollë. Gjuha e teksteve ka udhëhequr e udhëheq gjuhën e folur të nxënësve dhe të mësuesve. Arritje janë shënuar edhe në kualifikimin e mësuesve të profileve të ndryshme, duke filluar që nga studimi e dhënia e provimit të drejtshkrimit e deri në organizimin e veprimtarive kërkimore në shkolla e në rrethe të ndryshme të vendit dhe në përfshirjen e mësuesve, të studentëve e të nxënësve në aksionin kombëtar për mbledhjen e fjalës së rrallë.

Detyra e shkollës sonë për zotërimin e gjuhës amtare është e dyfishtë: së pari, në lëndën e gjuhës shqipe u jepen nxënësve nocionet themelore për gjuhën si shkencë. Kjo detyrë në rrethanat e sotme të arritjeve të shënuara të gjuhësisë shqiptare është kthyer përgjithësisht mirë. Së dyti, shkolla jonë, kryesisht nëpërmjet lëndës së gjuhës shqipe, duhet të ngulisë te nxënësit edhe praktikisht normat e gjuhës letrare të njësuar si sistem. Megjithëse kanë kaluar katër dekada (pa një vit), kjo detyrë mbetet kryesore për shkollën tonë. Veç duhet pranuar se është disi i vështirë, por jo i pamundshëm, zotërimi i shpejtë, jo vetëm teorik, por edhe praktik i normave të gjuhës së njësuar.

Për ta përshpejtuar mënjanimin e dukurive dialektore, mbase fëmijët në një masë të mirë vijnë në shkollë me jonormën (me trajta dialektore), edhe pse në qytetin tonë (pra në Shkup) te brezi i ri që po shkollohet po ndodh mënjanimi i dukurive dialektore në ligjërimin e tyre, luajnë rol shumë faktorë, siç janë: vlerësimi më me përgjegjësi i kësaj detyre nga të gjithë folësit e gjuhës shqipe, në radhë të parë, nga mësuesit, pedagogët, studentët e nxënësit, duke e parë këtë si një çështje me rëndësi të veçantë kombëtare; ngritja e kulturës së masave, sidomos leximi i dendur e i vijueshëm i shtypit dhe i veprave të ndryshme dhe ndjekja e rregullt e emisioneve të radios e të televizionit çka ndikon mjaft në ngulitjen e trajtave normative; ngritja e nivelit të kulturës së gjuhës në botimet, sidomos në botimet shkollore ose në botime të tjera që i shërbejnë shkollës e që janë botuar më parë, si tekstet, fjalorët dygjuhësh, përkthimet etj.; kualifikimi i mëtejshëm i mësuesve, i edukatorëve i redaktorëve, korrektorëve, përkthyesve, duke u mbështetur, në radhë të parë, në njohjen e veprave madhore gjuhësore tashmë të botuara, por edhe në vepra të tjera ndihmëse kushtuar problemeve të normës, që duhen botuar; forcimi në shkollë i frontit gjuhësor të njësuar për problemet e gjuhës dhe ngritja e mëtejshme e nivelit të dokumentacionit e të mjedisit shkollor nga pikëpamja e kulturës së gjuhës etj.

 

Përmblodhi dhe përshtati:

STUDENTET.MK

About Author

Admin_S