Gjymtyrë e krahasimit është pjesa e dytë e një krahasimi; ajo shënon sendin (në kuptimin e gjerë), tiparin, veprimin a gjendjen ose rrethanën, me të cilën krahasohet një send, tipar, veprim a gjendje, rrethanë, shprehur nga gjymtyra që shënon pjesën e parë të krahasimit. Pjesa e parë krahasohet, pjesa e dytë krahason: Më shumë të vrisnin fjalët sesa dora e tij e rëndë. Zemra i rrihte si zogut, kur i sulet skifteri. Doli më tepër i hutuar se i zemëruar. Eshtë më shumë për të qarë se për të qeshur.
Kur krahasojmë, vëmë përballë zakonisht dy sende, për të zbuluar raportet midis tyre lidhur me një tipar për nga ana cilësore e sasiore ose për të vënë në dukje raportet sasiore të dy cilësive të të njëjtit send. Mund të krahasohen edhe dy veprime, dy gjendje, dy rrethana të sendeve të ndryshme ose edhe të të njëjtit send.
Këmbët e tjera, megjithëse pranë njëra-tjetrës, përsëri ishin më të lagura se të parat. Ishte më shumë i mërzitur se i lodhur. Ai…më tepër duke rrëshqitur sesa zbritur, u gjend poshtë. Ai e ndiente tani më shumë se kurrë sa rendësi kishte kjo.
Krahasimi mund të bëhet për çdo gjë e nga çdo anë. Gjymtyra e krahasimit mund t’i përgjigjet çdo gjymtyre në fjali, të çdo funksioni, qoftë gjytmyrë kryesore qoftë gjymtyrë e dytë, çka del më qartë në krahasimin e sipërisë.
Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe