Përveç gjymtyrëve të dyta që vështruam -përcaktorë, kundrina, rrethanorë dhe nënllojeve që ngërthehen prej tyre, në fjali dalin edhe gjymtyrë të tjera, që zënë një vend të veçantë në mes gjymtyrëve të dyta: ato mund të jenë në raporte kuptimore barazie, bashkërenditjeje me gjymtyrë të tjera, ose të bashkëlidhura me to, por në formë nënrenditjeje, duke qëndruar në periferi të gjymtyrëve të dyta, për pjesën më të madhe, në një farë mënyre në mes këtyre dhe gjymtyrëve të bashkuara me raporte bashkërenditjeje. Janë shtënë, në mënyrë konvencionale, kur dallohen si kategori sintaksore më vete, te rrethanorët, ndonjëherë pjesërisht edhe te kundrinat. Më drejtë është të vështrohen veçan dhe të klasifikohen jashtë tyre, për shkak të veçorive që paraqesin dhe të quhen, sipas përmbajtjes dhe raporteve sintaksore që shprehin, përkatësisht giymtyrë të krahasimit, gjymtyrë të shtimit (shkallëzues), të përjashtimit (kufizues), të kundërisë dhe të spikatjes (theksuese), duke u dalluar në një anë gjymtyra e krahasimit, në anën tjetër gjymtyrët e tjera: Më shumë e dëgjonin atë se të vëllanë. Ndonjëherë kjo është aq e rëndë sa nata. Disa…, përveç punës, merrnin dhe honorare e shpërblime (krhs). Disa merrnin edhe pagën, edhe honorare e shpërblime;…jo vetëm pagën por edhe honorare e shpërblime).
Kishin ardhur të gjithë, përveç Petriti! (krhs. Kishin ardhur të gjithë. por jo Petriti). Veç pak bujqve, asnjë qënie e gjallë nuk duket fushës, as bagëti, as shpesëri.
Sa për punëtor, është punëtor i madh.
Këto gjymtyrë, me përjashtim të gjymtyrës së krahasimit që përbën, si u tha, një kategori më vete, dalin më shumë si gjymtyrë të veçuara. Për pasojë ndahen me presë, kur ndodhen në krye të fjalisë, dhe, përgjithësisht, kur janë në fund të saj, vihen ndërmjet dy presash, kur janë në mes. Veçori e këtyre gjymtyrëve në përgjithësi është përdorimi në bashkëlidhje me një gjymtyrë tjetër a me një tog gjymtyrësh të tjera, të cilat mund të dalin në funksione të ndryshme. Gjymtyra e krahasimit qëndron më vete, ndërsa gjymtyrët e shtimit (shkallëzues), të përjashtimit (kufizues), në një masë të mirë edhe gjymtyra e kundërisë i takojnë një grupi gjymtyrësh të dyta të karakterizuar nga af‘ëria me gjymtyrët homogjene. Gjymtyra e spikatjes (theksuese) i përket një kategorie tjetër.
Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe