Kemi gjymtyrë homogjene me raporte përmbyllëse atëherë, kur ajo që shprehet nga gjymtyra e mëpasme është rrjedhim, përfundimi i asaj që është dhënë nga gjymtyra ose gjymtyrët e mëparshme. Këto gjymtyrë homogjene, pak të përdorura, dalin kryesisht në gjuhën letrare, sidomos në letërsinë shkencore e politike dhe në publicistikë. Gjymtyra e mëpasme prihet nga lidhëzat përmbyllëse prandaj, pra (më shumë të shoqëruara prej lidhëzave këpujore dhe, edhe) ose në ndonjë rast nga ndonjë fjalë tjetër a lokucion me të njëjtën vlerë (si rrjedhim, për pasojë etj).
Ishte një inat i verbër, pa kuptim dhe objekt të caktuar, prandaj edhe i pandryshueshëm. Varianti ynë ishte më i dhimbshmi, pra më i bukuri. Martinit nuk i ra në sy ajo dredha e thjeshtë për ta bërë takimin, pra edhe bisedën. si diçka të rastit. Jeta shtron detyra të rëndësishme për letërsinë dhe artet, pra dhe për poezinë.
Raporte përmbyllëse vendosen shpesh edhe midis dy vargje gjymtyrësh homogjene ose në mes një gjymtyre dhe një vargu gjymtyrësh:
Ai zagar… përditë zinte lepuj, thëllëza, pata, rosa, pra çdo lloj gjahu. Për ata ai është i fortë, luftëtar dhe pra më i zgjuar.
Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe