Gjymtyrët homogjene të këtij lloji dalin me kuptime e ngjyrime të ndryshme kundërshtore në mes tyre, që prej kontrastit deri në një kundëri të dobët. Vetë raporti themelor i kundërshtisë parakupton kundërvënie dy njësish, dygjymtyrëshe; prandaj me raporte kundërshtore mund të dalin dy gjymtyrë homogjene ose dy grupe gjymtyrësh homogjene ose një gjymtyrë e një varg gjymtyrësh: Atje lart qielli dukej edhe si me lumë i kaltëruar, po i qetë. Këtu ka punë jo për një repart restaurimi, po për pesë.
Kundërshtia mund të qëndrojë në raponet e gjymtyrëve homogjene me fjalën së cilës i referohen (mund të pohohet lidhja e njërës e të mohohet e tjetrës, duke u mohuar një veprim a një gjëndje, një tipar, objekt, rrethanë e duke pohuar një tjetër) ose në vetë përmbajtien e gjymtyrëve të bashkuara (këto shënojnë në të tilla raste nocione të kundërta ose nocione të një karakteri të ndryshëm). Mirë thonë; Burri s’matet me pëllëmbë, por me zemër. Do të vij të martën, jo të mërkurën. Veçanerisht është për t’u theksuar prirja e autorit për të vënë theksin në parimin se liria fitohet me luftë e jo me fjalë.
Dallohen nga kuptimi e struktura kategori të ndryshme gjymtyrësh homogjene kundërshtore. Më të shumtën e herës mohohet një objekt, proçes, tipar, rrethanë e pohohet një tjetër gjymtyrë që shpreh nocionin e mohuar është e shoqëruar me fjalë mohuese dhe mund të vijë e para ose e dyta.
Kur vjen e para gjymtyra homogjene mbi të cilën bie mohimi (në këtë rast kallëzuesi shoqërohet nga pjesëzat mohuese s, nuk, mos ose përpara vetë gjymtyrës homogjene vihet pjesëza mohuese pa, ndonjëherë jo), gjymtyra e dytë homogjene që pohohet (ose gjymtyra që hap vargun e gjymtyrëve që i kundërvihen së parës) lidhet me të parën me anë të lidhëzës po/por. Mohimi në pjesën e parë mund të jetë i përforcuar nga ndonjë përemër a ndajfolje me kuptim mohues, kur është një varg gjymtyrësh, nga përsëritja e lidhëzës këpujore mohuese as: në raste të rralla gjymtyra e dytë mund të bashkohet asindetikisht.
Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe