Shkrimi, punimi seminarik dhe teza nga hulumtimi natyror, para së gjithash, është komunikim në formën shkrimore. Ai në mënyrë të qartë dhe bindëse duhet t’i paraqesë informacionet dhe idetë kryesore. Mirëpo, kur nga studentët kërkohet që të shkruajnë tekst me karakter hulumtues, shpesh ndodh që ata të preokupohen me mbledhjen e materialit, shënime, sistemimin e bibliografisë etj., kështu që të bëhen të pafuqishëm t’i zbatojnë dituritë dhe shkathtësitë, që i kanë marrë gjatë shkollimit të tyre. Prandaj, mendojmë se kjo çështje dhe ky diskutim në mjedisin universitar meriton vëmendje të posaçme. Diskutimi ynë paraqet revizion të shkurtër të procedurës që zakonisht duhet të ndërmerret gjatë shkrimit të punimeve hulumtuese.

Nëse ju jepet e drejta dhe mundësia vetë ta zgjidhni temën për hartimin e një punimi seminarik, që duhet në hapësirë dhe kohë të caktuar ta mbaroni, procedura e mundshme është si vijon:

  1. Përcaktojeni qëllimin e punimit/tekstit tuaj. Për shembull, a dëshironi diçka të shpjegoni, të përshkruani, të diskutoni për ndonjë pikëpamje, çështje etj., të anatizoni disa aspekte teorike ose kritike të letërsisë artistike etj.
  2. Kini kujdes për lexuesin e tekstit tuaj (specialist ose jo, dikush që do t’i përmbajë ose jo qëndrimet tuaja, dikush që do të interesohet ose jo për atë që keni shkruar).
  3. Zhvillojeni kontributin tuaj të punimit, duke e shprehur idenë kryesore. Sistematizojini idetë dhe informacionet në listën preliminare, duke i mënjanuar të gjitha ato elemente dhe mjete (gjuhësore, estetike, letrare etj.) që e rëndojnë, e ngarkojnë dhe ia ulin vlerën tekstit tuaj.
  4. Renditeni materialin në mënyrë të përpiktë dhe të qëlluar, duke mbajtur llogari për qëllimin e punimit dhe përcaktojuni për metodën/-at që do t’i përdorni në zhvillimin e ideve tuaja: përkufizimin, analizën, krahasimin e shembujve që do t’i përdorni për t’i përkrahur qëndrimet tuaja.
  5. Bëni ose përgatitni preliminar që t’ju ndihmojë ta realizoni planin tuaj kryesor të punimit. Gjatë kësaj, mbani llogari për pjesën hyrëse, kompozicionin (prezentimin kryesor të materialit) dhe përfundimin e punimit.
  6. Me vëmendje të posaçme lexojeni verzionin e parë të tekstit, që ta përsosni të njëjtin përmes revizionit të dytë apo të tretë me qëllim që punimi juaj të bëjë efektin e duhur te lexuesit.
  7. Në fund bëjeni redaktimin dhe lektorimin e tekstit tuaj përfundimtar, duke i bërë të gjitha përmirësimet e fundit nga aspekti ortografik, gramatikoro-gjuhësor e teknik etj.

Deri sa të përgatiteni dhe ta shkruani tekstin tuaj, çdo herë kini parasysh faktin se nuk ekziston model i përsosur (ideal) për përgatitjen e dorëshkrimit që do të mundte ta zëvendësonte jetën dhe të shkruarit inteligjent dhe kurrëfarë hulumtimi i madh dhe dokumentim tjetër që të mundte ta plotësonte prezentimin e dobët. Hulumtimi do ta pasuronte dijen tuaj dhe të kuptuarit e lëndës dhe shpesh do t’ju ofrojë shkrim/prezentim autoritativ të ideve dhe mendimeve tuaja. Punimi hulumtues nuk është përmbledhje komplikatorike dhe pasqyrë mendimesh dhe fjalësh të të tjerëve, por ndërtim dhe prezentim i kujdesshëm të ideve që mbështeten në burimet e hulumtuara për shkak të qartësisë dhe verifikimit. Dokumentacioni nuk është kurrëfarë qëllimi për vete, por është vërtetim i një lloj fakti për qëndrimet tuaja. Ai asnjëherë nuk duhet t’i hedhë poshtë qëndrimet dhe mendimet tuaja ose ta dezorientojë lexuesin e punimit tuaj.

Në punimin tuaj për citimet dhe mendimet e parafrazuara të autorit tjetër medoemos duhet ta shënoni burimin dhe atë në fund të citimit dhe parafrazimit. Ajo bëhet në këtë mënyrë: Në qoftë se është përmendur autori ose vepra në punimin tuaj pas citimit ose parafrazimit, fq. Nëse jo, atëherë e shënoni mbiemrin e autorit dhe i shënoni faqet (Ismail, fq.).

Kjo do të thotë t’u largoheni shënimeve, përkatësisht fusnotave dhe të jepet vetëm literatura e shfrytëzuar, përkatësisht bibliografia në fund të punimit. Largojuni plagjiaturës, që do të thotë të përpiqeni të lini përshtypje se ju vetë keni shkruar ose keni menduar për atë, e në fakt e keni huazuar atë prej dikuj tjetër.

Mbani mend! Atë që e shkruani nuk është e mundshme të jetë e juaja, përkatësisht nëse 1% është e juaja, ky do të jetë një kontribut i madh. Gjithçka që shkruani është prodhim i diçkaje që e keni lexuar, mësuar, dëgjuar ose parë. Origjinaliteti i punimit tuaj përbëhet në mënyrën, përkatësisht stilin në të cilin të njëjtën e prezentoni.

Lidhur me përgatitjen dhe prezentimin e bibliografisë është e rekomanduar që t’i respektoni këto rregulla teknike:

a) të jepni njësitë bibliografike sipas renditjes alfabetike të mbiemrit të autorit;

b) titulli i veprës shkencore, monografisë, punimit shkencor, studimit etj., të shkruhen me shkronja të pjerrëta (italic);

c) vendi i botimit (qyteti);

ç) botuesi, shtëpia botuese dhe

d) viti i botimit.

Përmblodhi dhe përshtati:

www.studentet.mk

About Author

Admin_S