Mund të veçohet edhe kundrina, veçanërisht disa nëntipa të kundrinës së zhdrejtë me parafjalë, e disa ndërtime të tjera analoge.

Për arsye stilistike, për ta vënë më në pah, për ta theksuar, mund të veçohet në letërsinë artistike edhe një kundrinë e drejtë ose një kundrinë e zhdrejtë pa ose me parafjalë. Veçimi ndodh, zakonisht, kur kundrina është në krye të fjalisë. Ajo ndahet me pauzë dhe në të shkruar me presje. Zgjerimi me fjalë plotësuese mund të ndihmojë veçimin po faktor kryesor është synimi theksues:

Dhitë plaka, ai i therte dhe i bënte pastërma për dimër. Një pjesë të mirë së lëndëve, na i diktonte mësuesi në klasë dhe ne i shkruanim. Skënderit, foli ti. Populli, me krijimet e veta poetike, mori pjesë aktive në hedhjen e hapave te parë të letërsisë së re.

Mund të veçohen emrat e përemrat me parafjalët e lokucionet parafjalore bashkë me, së bashku me, krahas, nëpërmjet, ose fjalët a togfjalëshat që shënojnë shoqërim e përfshirje, mjet etj. Po ashtu veçohen gjymtyrët e prira nga lokucionet në lidhje me, në raport me, lidhur me, që shënojnë lidhje.

Veçimi i tyre është i lidhur me ngarkesën stilistike, me dëshirën e folësit për t’i vënë në dukje, me vendin jo të zakonshëm që zënë në fjali, me zgjarimin e tyre. Mundësitë e veçimit shtohen edhe nga drejtimi i dobët i tyre:

Një orë më vonë, bashkë me dy fshatarë, kaloi postobllokun, i hipur në një mushkë. Së bashku me masat fshatare, në këto zona malore u strehua pas pushtimit turk, edhe një pjesë e klasës feudale shqiptare. Krahas privatizimit, Parlamenti i kushtoi rëndësi të madhe nxerrjes së bujqësisë nga prapambetja.

Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe

Përgatiti dhe përshtati:

WWW.STUDENTËT.MK

About Author