Kjo kundrinë shprehet vetëm me trajtat e rasës dhanore të emrit, të përemrit a të një fjale të emërzuar. Kundrina e zhdrejtë në dhanore shprehet po me ato pjesë të ligjëratës e me ato mënyra si kundrina e drejtë: Nebiut i kishte mbetur kova në dorë. Disave u tundeshin jataganët. Kësaj i thonë punë. Pjesën më të madhe të tij e zinte portokalli të cilit i ngjiteshin degët përmbi çati. U është tretur buzëqeshja të dyve.
Ndërtohet zakonisht me folje dhe shpreh objekt të jashtëm, d.m.th. objekt që ekziston pavarësisht nga veprimi. Folja me të cilën ndërtohet kundrina e rasës dhanore mund të jetë në çdo diatezë, mund të jetë kalimtare e jokalimtare, mund të jetë edhe njëvetore e pavetore. Kjo kundrinë shenjohet gjithmonë nga trajtat e shkurtra të përemrave vetorë.
Kundrina e zhdrejtë mund të përdoret edhe me një pjesore. Kjo kundrinë nuk shenjohet nga trajtat e shkurtra të përemrave vetorë. Kundrina e zhdrejtë me foljet kalimtare veprore mund të përdoret vetëm ose njëkohësisht me kundrinën e drejtë. Në rastin e dytë kundrina e zhdrejtë në dhanore zakonisht shënon vetë, ndërsa e drejta send.
Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe