Fjalitë e përbëra me bashkërenditje shtuese. Pjesët përbërëse të këtyre fjalive të përbëra lidhen me anë të lidhëzave bashkërenditëse shtuese: e, dhe, edhe, as, si, jo vetëm… por edhe etj.
Një njeri hedh një gurë në lum dhe njëqind s’mund ta nxjerrin.
Para lidhëzave shtuese të thjeshta e, edhe, as nuk vihet presje.
Shkojmë një herë në shtëpi dhe pastaj dalim.
Para pjesës së dytë të lidhëzave të përsëritura dhe para pjesës së dytë të lidhëzave të dyfishta gjithmonë vihet presje.
Vajzat as nuk donin të hanin, as nuk donin të rrinin.
Fjali të përbëra me bashkërenditje veçuese. Pjesët përbërëse të këtyre fjalive të përbëra lidhen me anë të lidhëzave bashkërenditëse veçuese: ose, apo, a, ose… ose etj.
Në stadiumin e qytetit ose zhvillohen ndeshje futbolli, ose organizohen manifestime sportive.
Para lidhëzave të thjeshta veçuese ose, a, apo nuk vihet presje. Para pjesës së dytë të lidhëzave të përsëritura gjithmonë vihet presje:
Ose nisemi tani, ose nuk shkojmë fare.
Lidhëza apo përdoret kur fjalia është pyetëse: Unë do të shkoj, apo do të shkoni ju?
Fjali të përbëra me bashkërenditje kundërshtuese. Pjesët përbërëse të këtyre fjalive të përbëra lidhen me anë të lidhëzave bashkërenditëse kundërshtore ose kundërshtuese: po, por, kurse, mirëpo, megjithatë, ndërsa, teksa, porsa, veç, veçse etj.
E lëshoj, po s’më lëshon.
Para pjesës së dytë të këtyre fjalive vihet presje.
Fjalitë e përbëra me bashkërenditje përmbyllëse. Pjesët përbërëse të këtyre fjalive të përbëra lidhen me anë të lidhëzave bashkërenditëse përmbyllëse: andaj, ndaj, prandaj, pa etj.
Ishte shumë e lirë, prandaj e bleva.
Para lidhëzave përmbyllëse vihet presje.
Përgatiti dhe përshtati:
WWW.STUDENTET.MK