O ti edukator, ji i dhimbshëm!
Puthja e fëmijës është ushqim i ndjenjave, balsami i emocioneve, qerpiç në ndërtimin e mentalitetit të saktë dhe personalitetit të matur, për prindin dhe për fëmijën së bashku.
Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, përcjell se erdhën te Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, disa beduinë dhe u thanë të pranishmëve: “A i puthni fëmijët tuaj?” Ata u thanë: “Po.” Beduinët thanë: “Pasha Allahun, ne nuk i puthim!” Atëherë Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Çfarë të bëj unë, kur Allahu jua ka hequr mëshirën (prej zemrës)!”39
Lutja e prindit për fëmijën
Lutja e prindit për fëmijën e tij është prej traditave të të dërguarve dhe të besimtarëve.
Ibrahimi, alejhi selam, thoshte: “O Zoti im, bëj që unë dhe pasardhësit e mi të kryejmë përherë namazin! O Zoti ynë, na i prano lutjet!” (Ibrahim: 40)
Zekerija, alejhi selam, thoshte: “Zoti im! Dhuromë nga ana Jote një pasardhës të mirë! Se Ti, me të vërtetë, je Dëgjues i lutjes!” (Ali Imran: 38)
Besimtari, pasi e arriti moshën e burrërisë dhe e falënderoi Zotin, u lut: “Më dhuro pasardhës të mirë!” (El-Ehkaf: 15)
Robërit e të Gjithëmëshirshmit i luten Zotit të tyre duke thënë: “O Zoti ynë, dhurona nga gratë tona dhe trashëgimtarët tanë, ç’është prehje për sytë tanë dhe bëna shembull për të mirët!” (El-Furkan: 74)
Arma më e fortë në edukatë
Në shumicën e rasteve prindërit përpiqen t’i realizojnë shumë nga mjetet edukatore bashkëkohore dhe të vjetra në udhëzimin e fëmijëve të tyre për kah e mira. Kjo gjë është e mirë. Por, ata nganjëherë zhyten aq thellë në përdorimin këtyre mjeteve derisa e harrojnë mjetin më të fortë dhe më ndikues, e ai është lutja e vazhdueshme për fëmijët të jenë të mirë dhe në rrugë të Zotit: “O Zoti im, bëj që unë dhe pasardhësit e mi ta kryejmë përherë namazin! O Zoti ynë, na i prano lutjet!” (Ibrahim: 40)
Ndoshta lutja jote rastis me momentet e përgjigjes së lutjeve
Allahu thotë: “Njeriu mallkon në të keqe, ashtu siç lutet edhe për të mirë; vërtet që njeriu është i ngutur.” (El-Isra: 11)
Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Mos u lutni kundër vetes, mos u lutni kundër fëmijëve tuaj dhe mos u lutni kundra pasurisë suaj, sepse lutjet tuaja mund t’i rastisin momentet e pranimit të lutjeve dhe Allahu t’u përgjigjet lutjeve tuaja.”40
Andaj, t’i mësojmë gjuhët tona të luten për udhëzimin dhe mbarësinë e fëmijëve e, ndoshta, ato lutje rastisin me orën e pranimit e na pranohen dhe fëmijët bëhen prehje për sytë tanë. T’u largohemi lutjeve kundra fëmijëve tanë, që të mos bëhemi ne shkak për mjerimin e tyre pa e ndier fare.
Ndeja me njerëzit e mirë
Edukatori duhet të përkujdeset që t’i takojë nxënësit-fëmijët me dijetarët dhe njerëzit e mirë, t’i përziejë dhe të qëndrojnë me ta, duke e pasur parasysh ndikimin që e japin këto takime në shpirt dhe janë rrugë që i inkurajon për t’i ndjekur ata.
Salihu, djali i imam Ahmed ibn Hanbelit, Allahu i mëshiroftë, thoshte: “Babai im, kur i vinte në vizitë ndonjë asket i devotshëm, e dërgonte dikë pas meje të më thërriste (që të rrija me ta), donte të bëhesha sikur ata.”41
“Ajka e edukimit të fëmijëve është mbrojtja e tyre nga shoqëria e keqe.”42
Edukimi varësisht nga kohëgjatësia që e kalojnë mes vete
Niveli i ndikimit të edukatorit te nxënësi varet nga koha që e shpenzon me të. Me të vërtetë, shoqërimi ka ndikim të madh dhe lë gjurmë në tabiate dhe bindje. “Për shkak të kësaj rregulle, njeriu edhe ndikon edhe ndikohet nga të tjerët, me përzierje dhe me shoqërim përvetëson nga morali i tjetrit. Po ashtu njeriu, kur e shoqëron ndonjë kafshë, përvetëson nga morali i saj. Për këtë shkak i sheh ata që ruajnë deve se e përvetësojnë prej devesë cilësinë e kryelartësisë dhe krenarisë, ndërsa ata që ruajnë dele e përvetësojnë butësinë.”43
Ky njeri ishte i kujdesshëm t’i rriste fëmijët me edukatë të drejtë e një mesdite të nxehtë kaloi pranë disa punëtorëve që punonin nën vapën përvëluese të diellit. Kjo pamje e preku në shpirt, e ndali klimën në makinë dhe u tha fëmijëve të tij: “A po i shihni këta punëtorë që po punojnë nën vapën e diellit? Çfarë do të vepronit ju po të ishit në vend të tyre?” Pastaj nisi t’ua kujtonte mirësitë e Allahut
që i posedonin dhe ua citoi hadithin: “Kulmin e nxehtësisë që e ndieni në verë është nga shfryrja e Xhehenemit.”44 Ndeja me fëmijët sikur ky rast, lë ndikim të madh në shpirtrat e fëmijëve.
Ta pish një çaj me fëmijën nën hijen e muhabetit të qetë e të dashur ndoshta është më e mirë se mësimi i plotë që ia shpjegon atij e pastaj largohesh prej aty. Thjeshtësia dhe ndeja me të bëjnë që edukata ta ketë ndikimin e saj.
Situatat e njerëzve i përngjasojnë njëra-tjetrës
Situatat nëpër të cilat kalon njeriu u përngjasojnë në shkallë të madhe situatave të njerëzve të tjerë, prandaj edukatori mendjemprehtë është ai i cili e shfrytëzon një ndodhi të zakonshme që ta japë një koment të shkurtër dhe nëpërmjet tij ta përçojë një mesazh pozitiv.
Përshtatshmëria e mjetit
Njeriu nuk është lëndë e ngurtë e cila përmban rregulla që i mban nën kontroll veprimet e tij në situata të ndryshme, por ai është krijesë e gjallë i cila posedon mendje, zemër, trup dhe shpirt. Për këtë shkak, mjeti edukator që i përshtatet dikujt nuk do të thotë se mund t’i përshtatet edhe tjetrit, bile ai mjet që përshtatet në një periudhë kohore të caktuar nuk është e patjetërsueshme t’i përshtatet në periudhat e tjera të jetës së tij.
Prej veçorive që dallohet edukimi me situata e ndodhi:
– Është realitet që ndodh dhe jo thjesht prezantim teorik.
– Ka ndikim të madh edukativ në shpirtin e nxënësit dhe vështirë harrohet.
– Nuk kushton dhe nuk merr kohë në përgatitje, po ai vjen vetvetiu.
– I jep edukatorit aftësi për t’i përdorur situatat, ndodhitë dhe ndryshimet.
– Është argument i cili aludon për edukatorin se përkujdeset dhe interesohet për atë që e edukon.
Irfan Jahiu
WWW.STUDENTET.MK