Zëvendësimi i përshtatshëm
Shpeshherë gjejmë ndalesat fetare në sunetin profetik të vijnë me shtojcë që udhëzojnë për zëvendësim të përshtatshëm, sikur fjalët në hadith: “por, ju thoni këtë…”, “por, nëse ti dëshiron…”. Prandaj prej traditës profetike është që me ndalesën e gabimit të vijë udhëzimi për zëvendësimin e përshtatshëm të tij nëse gjendet. Jo që zëvendësimi është kriter për ta ndalur prej gabimit, po për shkak se shpirtrat janë të dobët dhe shejtani mund t’u bëjë cytje. Nëse nuk gjendet zëvendësim, s’do të thotë ta bësh gabimin, sepse ahireti është ngushëllimi dhe shpresa e besimtarit karshi çdo pasioni dhe dëshire që e braktis për hir të Allahut.
Gjurma e parë mbresëlënëse
Përdorimi i ndonjë fjalie mund ta prekë thellësinë e shpirtit, sikur që përshtypja e parë të lërë gjurmë që nuk harrohet.
Erdhën dy burra te Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe e pyeti mixhën e vet, Abasin, Allahu qoftë i kënaqur prej tij: “A po i njeh këta dy?” Abasi iu përgjigj: “Po, i njoh. Njëri është el-Bera ibn Ma’rur zotëria i fisit të vet, kurse tjetri është Kab ibn Malik.” Ky i fundit, pra Kabi, thotë: “Pasha Allahun, nuk e harroj asnjëherë fjalën e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, që e tha për mua: “A është ky poeti?” Abasi i tha: “Po, ky është poeti.” Prej asaj dite Kabi e ndihmonte Islamin me poezitë e veta.
Je krijuar të veprosh
“Shpirtrat nuk e braktisin një gjë pa e marrë një gjë tjetër. Me të vërtetë shpirtrat janë krijuar për të punuar e jo për të braktisur.”[1]
Këtë rregull duhet ta ndjekin edukatorët në edukimin e fëmijëve dhe nxënësve të tyre. Energjinë e tyre duhet ta drejtojnë të harxhohet për gjëra të dobishme e jo thjesht ajo të deponohet dhe të ruhet. Më e mirë është të udhëzohen të luajnë lojëra të dobishme, se t’i ndalojnë përherë nga loja, dhe më e mirë është të nxiten ta investojnë kohën e tyre në gjëra të dobishme, se të heshtin dhe të mos bëjnë zhurmë.
Turpi që buron nga natyrshmëria e njeriut
Turpi është mirësi e madhe, ua kursen shumë mundime edukatorëve dhe ua shkurton atyre gjysmën e rrugëtimit.
Ripërtëritja është e nevojshme
Disa mjete edukative zbehen nga përdorimi i shpeshtë i tyre, prandaj patjetër duhet ripërtëritja e mjeteve edukative, si ripërtëritja në llojin e shpërblimit dhe dënimit, në mënyrën e udhëzimit, në urdhëresat dhe ndalesat.
Edhe shumëllojshmëria është e nevojshme
Bashkimi në mes metodave të urdhërimit dhe ndalimit, inkurajimit dhe paralajmërimit, rrëfimit të përvojave dhe kujtimit të përfundimeve, për ta pohuar një koncept të vetëm, e gjithë kjo ndihmon në procesin e ndryshimit dhe sjelljen e koncepteve të reja të dobishme te nxënësi-fëmija.
Në Kuran kemi shumë shembuj dhe mësime të tilla. Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Allahu e përmendi durimin në Kuran në 90 vende.” Ibn el-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, i përmendi kontekstet ku është përmendur durimi, e ato janë 21 lloje dhe metoda.”
Shoqërimi i fëmijëve në rrugë është mundësi për t’i mësuar dhe për t’i edukuar sipas fjalëve të Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të: “Jepjani rrugës të drejtën e saj.”
Prej atyre mësimeve:
– Ecja me qetësi dhe modesti.
– Përkujdesja për pastërtinë e rrugës dhe moshedhja e mbeturinave në të.
– Largimi i pengesave dhe i gjërave që e dëmtojnë myslimanin sikur gjembat etj.
– Ulja e shikimit në haram.
– Mosdëmtimi i atyre që kalojnë në rrugë.
– Mosngritja e zërit dhe shkaktimi i poterës.
Mbrojtja
Me rëndësi të madhe është mbrojtja e atij që edukohet nga e kota, mjetet edhe vendet e saj. Megjithatë mbrojtja nuk përkufizohet te ndalimi dhe vetëdijesimi për dëmin e saj, por patjetër duhet të mbillet në shpirtin e nxënësit mbrojtja dhe mohimi i sherrit me atë që i përshtatet moshës dhe dijes së tyre. Kjo është mënyra më e mirë për ta mbjellë urrejtjen ndaj së kotës te fëmija. Prej porosive të Lukmanit që ia drejtoi të birit ishte: “O djali im, kryeje namazin, urdhëroje të mirën, pengoje të keqen dhe bëhu i durueshëm për çfarëdo që të godet! Me të vërtetë, ky është thelbi i patundur i të gjitha punëve!” (Lukmani: 17)
Shkrimi i tij i përngjason shkrimit të dijetarëve të hadithit
Fjala pozitive lë gjurmë efektive në shpirtrat e të vegjëlve. Prindërit ose mësuesi mund t’ia thonë fëmijës një fjalë dhe ajo të lërë gjurmë efektive dhe përshtypje në shpirtin e të adresuarit. Imam Dhehebiu, Allahu e mëshiroftë, thoshte për mësuesin e tij imam el-Birzalij: “Ai ma bëri të dashur kërkimin e dijes rreth shkencës së hadithit. Kur e pa bukurshkrimin tim, më tha: ‘Shkrimi yt i ngjason shkrimit të dijetarëve të hadithit.’ Këto fjalë të tij ndikuan tek unë.”[2]
Nxitja
Edukatori ka rol kyç në motivimin e atyre që i edukon për t’ua ngritur ambicien, duke ia lexuar atij jetëpërshkrimin e njerëzve me ambicie të larta prej gjeneratave të para, duke e parapërgatitur që të përpiqet më shumë, duke e ndihmuar atë t’i luftojë të këqijat e vetes, duke ia përcaktuar synimet që i përshtaten nivelit të tij, duke ia mësuar menaxhimin e kohës dhe shpenzimeve, duke e larguar prej gjërave që e pengojnë ngritjen e tij në ambicie, si: shoqërimi me dembelë, vonimi i punëve, përtacia dhe angazhimi me gjëra dëfrimi të kota.
Inkurajimi
Sa pamje e bukur është kur nxënësit apo fëmijët tubohen të lozin lojëra të lejuara, si gjuajtje apo not, etj., ndërsa edukatori i inkurajon dhe u jep ndjenjën se edhe ai është me ta në atë lojë. Kaloi Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, pranë disave që garonin në mes vete në gjuajtje me shigjeta dhe u tha: “Gjuani me shigjeta, o ju bijtë e Ismailit, se vërtet edhe babai juaj ishte harkëtar i madh. Unë jam me bijtë e filan fisit.” Pala tjetër u ndalën. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, u tha: “Pse nuk po gjuani?” I thanë: “Si të gjuajmë kur ti je me ta!” Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, u tha: “Gjuani, sepse unë jam me të gjithë ju.”[3]
Nuk je i vetëm në mejdan
Në të kaluarën nxënësi merrte dijeni vetëm prej mësuesit të tij, ndikohej prej tij dhe përfitonte prej tij, ndërsa sot, nxënësi e merr dijeninë prej dhjetë anëve: medias, rrugës, shkollës, shokut, internetit, etj. Mësuesi ka më së shumti nevojë të angazhohet rreth përfitimit, përmallimit dhe inkurajimit të nxënësit që të arrijë deri tek ajo që e synon. Ibrahim ibn Ed’hem, Allahu e mëshiroftë, tha: “Babai im një ditë prej ditëve më tha: ‘O biri im, kërkoje hadithin. Çdoherë që e dëgjon një hadith dhe e mëson përmendsh, do të ta jap nga një dërhem.’ Kështu e kërkova dhe e mësova hadithin.”
Shprehjet pozitive
Pëlqehet që prindërit fëmijës prej moshës së vogël t’i drejtohen me shprehje që ia japin ndjenjën e zhvillimit dhe përkrahjes, duke e lavdëruar atë për sjelljen pozitive, si për shembull “Ti je fëmijë mysliman i edukuar”, “Ti je vajzë myslimane e mëshirshme”, “Ti e do namazin”, “Ti e do sinqeritetin”, “Ti nuk ha përveçse me dorën e djathtë”.
Ndikimi i fjalës
Imam Shafiu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Qëndrova te fisi Hudhejl për shtatëmbëdhjetë vjet ku e mësova dialektin dhe gjuhën e pastër arabe. Kur u ktheva në Meke fillova të recitoja poezi, të flisja për letërsi dhe histori. Një ditë prej ditëve kaloi pranë meje një burrë dhe më tha: “Më vjen rëndë nëse me gjithë këtë oratori dhe mendjemprehtësi të mos ua tejkalosh bashkëkohësve të tu!”
I thashë: Ku shkojnë njerëzit të marrin dijen, cilin dijetar e synojnë?
Më tha: “Te imam Maliku, zotëria i myslimanëve!”
Kjo më la përshtypje në zemër, saqë e mora librin e imam Malikut “El-Muvata” e lexova dhe për nëntë net e mësova përmendsh.[4]
[1] Ibn Tejmije.
[2] Fevat el-Vefajat (3/189).
[3] Shënon Buhariu.
[4] Tertib el-Medarik.
Irfan Jahiu
WWW.STUDENTET.MK