Nxitja për marrjen e informatës

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i tha Ibn el-Mualas, Allahu qoftë i kënaqur prej tij: “Do të ta mësoj një sure, e cila është surja më e madhe në Kuran, para se të dalësh prej xhamisë.” Ibn el-Muala tha se para se të dilnin prej xhamisë iu drejtua: “O i Dërguari i Allahut! A më the se do ta mësoj një sure e cila është më e madhe në Kuran.” Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i tha: “Elhamdu lil-lahi rabbil alemin (surja el-Fatiha); e cila është Seb’ul Methani ‘shtatë vargjet që përsëriten’. ”84

Parapërgatitja shpirtërore e nxënësit për ta marrë informatën, duke ia bërë të dashur atë para se njohë, garanton mbjelljen e saj në mendjen e tij.

Pjesëmarrja prej edukatorit

Diku para pesëmbëdhjetë vjetëve kur isha në studime universitare, ia pashë në dorë profesorit tim një revistë dhe e pyeta rreth saj.

M’u përgjigj me habi: “A nuk e lexon këtë revistë? Të paskan ikur shumë mirësi, andaj mbërriji!”

Prej asaj dite nuk më iku asnjë numër i saj, ndërsa për ato të vjetrat hulumtova derisa i gjeta dhe në fund përfitova shumë.

Tash parashtrohet pyetja se si mundemi t’ua tërheqim vëmendjen nxënësve tanë dhe t’ua bëjmë të dashur atë që u bën dobi dhe vetë ata pastaj të shkojnë pas saj!?

Aplikimi praktik

Ajo që e tërheq vëmendjen në hadithet e transmetuara për mënyrën e marrjes së abdesit sikur hadithi i Othmanit, i Aliut, i Abdullah i Zejdit, i Ibn Abasit, Allahu qoftë i kënaqur prej atyre të gjithëve, është se ato kanë ardhur me ujdisje të përafërt. Kur u kërkua prej tyre transmetimi i hadithit për marrjen e abdesit, ata nuk deshën që fjalët e hadithit të mbeteshin vetëm teori, por kërkuan t’u sillnin ujë dhe të merrnin abdes në praktikë. S’ka nevojë këtu për habitje, sepse dihet se kështu ishte udhëzimi profetik, udhëzimi i mësuesit të parë, Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, të cilin kur e pyeti një burrë se si merret abdesi, iu përgjigj duke kërkuar t’i sillnin ujë në një enë dhe mori abdes.”85

Mësimi me aplikim praktik është më i sigurt dhe më i qartë për nxënësin.

Shpërngulje e qetë nga pyetja e sikletshme

Nxënësi mund të parashtrojë pyetje të padobishme, por metoda e urtë e edukatorit duhet të jetë shpërngulja e qetë, pa qortim, kah ajo që është më e dobishme. Nxënësi atëherë do ta kuptojë udhëzimin e paraqitur në formë indirekte ‘pyet rreth asaj që të bën dobi’.

E pyeti një burrë Omer ibn Dher el-Kufij për kaderin, e ai iu përgjigj: “Ka çështje tjetër që na tërheq vëmendjen prej kaderit!” I tha: “Cila është ajo?” Tha: “Nata, kur sabahu i saj është Dita e Kiametit.” Pas këtyre fjalëve filluan bashkërisht të qajnë.86

Skena arsimore

Nga mësimi i mirë i Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ishte se i qartësonte gjërat abstrakte me shembuj të perceptueshëm të cilët e përafronin kuptimin dhe e përforconin në zemrën e atij që i dëgjonte sikur në hadithin: “Besimtari për besimtarin është sikur ndërtesa, e forcon njëra-tjetrën”; dhe gërshetoi gishtat.87

Po ashtu hadithi: “Besimtari ndien dhembje për goditjet që i marrin besimtarët sikur që koka ndien dhembjen kur trupi sëmuret.”88

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, kaloi pranë një djaloshi i cili e rripte një dele dhe i tha: “Largohu mënjanë të të tregoj si ta rrjepësh delen (me një transmetim tjetër: po të shoh që nuk po e zotëron mirë rrjepjen e deles.)”. E futi dorën e tij në mes të lëkurës dhe mishit të deles derisa dora iu fsheh deri te nënsqetulla dhe i tha: “O ti djalosh, kështu rripe kafshën”. Pastaj u largua prej aty.89

Në jetën tonë të përditshme dhe në punët tona të zakonshme ka shanse për zhvillimin e aftësive të fëmijës

Memoria e tij, mendimet e tij, idetë e tij, shpikjet e tij, analizat e tij dhe lidhja e tij me idetë dhe gjërat janë kushte paraprake për edukatorin t’i ngjallë ato aftësi në vazhdimësi.

Pyesim si për shembull: Çfarë pamë? Kur arritëm? Çfarë nëse nuk është aty? Çfarë do të veproje nëse ti do të ishe përgjegjës për…?.

Mirëpo pyetjet tona le të jenë të qarta, precize, shpikëse që ngjallin sfida.

Kritika formuese

Ndjesia e kritikës formuese mund të zhvillohet te fëmijët tanë përgjatë pyetjeve të përfytyruara, me ngjalljen e debatit për ndonjë dukuri imagjinare rreth gjërave pozitive dhe negative të saj, si për shembull: Si do të ishte ditën ta kalonim në gjumë dhe natën të shkonim në shkollë?

Saherë që pyetja është tërheqëse për vëmendjen dhe e nxit të menduarit, aq më shumë zgjerohet para nesh harta e punës për ta vlerësuar aftësinë e kritikës, përforcimin e mbresave me shpjegim dhe propozimin e alternativës.

Paraqit eufori për atë që e dëshiron ta veprosh

Ata që posedojnë personalitet tërheqës entuziazmohen kundrejt punës që e punojnë. Mësuesi i cili nxënësve të vet në orën e parë u thotë: “Jeni në prag ta mësoni një mësim shumë të rëndësishëm në jetën tuaj”; padyshim që kjo te ta do të ngjallë eufori për ta mësuar mësimin dhe për ta dashur lëndën e tij.

Meseleja llogaritëse

Një burrë xhaminë e ka larg shtëpisë së tij 500 metra, ndërsa një hap i tij kur ecën është 40 centimetra, tash parashtrohet pyetja se sa hapa i bën deri sa të arrijë dhe të kthehet prej xhamisë? E nëse e di që Allahu shpërblen me dhjetë shpërblime për një hap të bërë për në xhami, sa të mira do t’i arrish me shkuarjen tënde për në xhami?

Njëri i ka falur dy rekate, pastaj e fal drekën katër rekate, sa rekate i ka falur?

Këto janë disa shembuj që mësuesi mund t’i përdorë për t’ia mësuar matematikën nxënësit dhe duke e lidhur nxënësin me ibadetin.

Test

Ajo që ndihmon të zotërohet tabela e shumëzimit është fokusimi në tabelën e shumëzimit me numrin 5 dhe me numrin 10.

Për ta mësuar rezultatin e shumëzimit të numrave 8 me 6, themi 8 × 5 është e barabartë me 40.

Pastaj e mbledhim me numrin 8 dhe vijmë deri te rezultati 48.

Për ta ditur rezultatin e shumëzimit të numrave 9 me 7, themi se 10 × 7 është e barabartë me 70.

Pastaj e zbresim me 7 dhe vijmë te rezultati 63.

Po ashtu, zhvillimi i garave për krejt familjen duke i parashtruar dhjetë pyetje dhe ai i cili i di ato, do të marrë të udhëheqë garën etj.

Me rëndësi është të mos ndalemi vetëm te memorizimi, por patjetër t’i mësojmë se si të llogarisin që të arrijnë deri te rezultati.

A mjafton që edukimi të jetë i suksesshëm, nëse ti i sjell në shtëpi kanalet televizive islame dhe bibliotekën me libra edukativë dhe i largon nga shtëpia haramet?

S’ka dyshim në rëndësinë e asaj që u përmend më lart, por mbetet bashkëjetesa edukative faktori më i rëndësishëm që edukatori të ketë gatishmëri t’i afrohet nxënësit-fëmijës, të përkujdeset për nevojat e tij edukative, t’i zgjidhë problemet e tij, t’i shërojë dobësitë e tij, ta ndihmojë t’i zbulojë aftësitë e tij, ta përkrahë për t’i formësuar në vepra reale elementet e informacioneve teorike që i mëson.

Peshimi i ndikimit të mësimit

Ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i tha Seid ibn Xhubejrit: “Trego hadithe!”

Ai ia ktheu: “Të flas unë kur ti je këtu?!”

Ibn Abasi i tha: “A nuk është për ty prej mirësive të Allahut të flasësh në praninë time; nëse ia qëllon ajo mbetet ashtu e, nëse gabon, unë të përmirësoj.”90

Me rëndësi në edukim dhe arsimim është që edukatori-pedagogu të gjejë kohë për ta peshuar ndikimin e mësimit të tij që ta vërtetojë sa e fuqishme është ajo që po ndërton dhe sa e pjekur është ajo që po e mbjell. Po ashtu pëlqehet që nxënësit-fëmijës t’ia japë të drejtën e menaxhimit karshi situatave të papritura e, nëse ia qëllon, e inkurajon, nëse gabon, e përmirëson.

Mundemi fëmijët tanë t’i mësojmë nga fëmijëria e hershme të punojnë me atë që e dinë, gjatë kalitjes së tyre që njohuritë e reja t’i nxjerrin në vepra në shtëpi. Poqë fëmija e mëson matjen e gjatësisë, prej tij kërkojmë të masë gjatësinë e dhomës së tij para se të blejë qilimin për në dhomë. Nëse e mëson se si matet temperatura e trupit nuk duhet të jetë problem nëse e teston ta masë atë vetë. Kur e mëson formën e kryerjes së umres, mbi të bie përgjegjësia për ta kujtuar mënyrën e kryerjes së saj para se të fillojë me umren etj.

Parashtrimi i pyetjeve për nxënësit

Parashtrimi i pyetjeve është stërvitje për mendjen e nxënësve, i mëson të hulumtojnë, e shfaq nivelin e tyre shkencor dhe

Abdullah ibn Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, një ditë u tha nxënësve të tij: “Në Kuran janë dy ajete, nuk ka rob i cili i bën gjynah Allahut dhe më pas i lexon këto dy ajete dhe kërkon falje, vetëm se i falet atij.” E pyetën cilat janë ato, por nuk iu përgjigj. Dy nxënësit e tij më të dalluar, Ilkame dhe el-Esved, Allahu i mëshiroftë, nisën të hulumtonin për dy ajetet dhe pastaj shkuan tek ai, e i thanë: “A janë këto dy ajete?” U tha: “Po.”

Dy ajetet janë: “Për ata që, kur bëjnë vepra të turpshme ose i bëjnë dëm vetes, e kujtojnë Allahun, i kërkojnë falje për gjynahet e tyre – e kush i fal gjynahet përveç Allahut? – dhe nuk ngulmojnë me vetëdije në gabimet që kanë bërë.” (Ali Imran: 135)

Dhe po ashtu: “Kush punon vepër të keqe ose e ngarkon veten me gjynahe, pastaj kërkon falje prej Allahut, do të gjejë se Allahu është Falës e Mëshirëplotë.” (En-Nisa: 110)

Kur mësuesi ua parashtron nxënësve pyetjet:

– Nuk i veçon çdoherë me pyetje vetëm disa nxënës.

– I ndihmon atij që përgjigjet rreth përgjigjes.

– Nuk e ndërpret derisa ta përfundojë.

– Nuk lejon që nxënësit e tjerë ta ndërpresin me ndonjë bisedë ose veprim.

– Nuk sillet ashpër nëse gabon, por me butësi ia qartëson gabimin, si p.sh. i thotë ishte përpjekje e mirë, por…

– Kur ia qëllon e lavdëron për përgjigjen, por pa e tepruar në lavdërim. Nxënësve të tjerë ua mëson këtë sjellje në shenjë respekti ndaj shokut të tyre dhe ua mëson etikën e debatit.

Përgjigjet e tua me “nuk e di”, për atë që nuk e di:

– Ia mësojnë nxënësit-fëmijës modestinë dhe ndjenjën e përgjegjësisë së plotë.

– Ia shton besimin tjetrit për atë që ti e lajmëron.

– Tregon për respektimin e vetes dhe respektimin e mendjes së atij që të dëgjon.

– Të mbron që të mos biesh prej syve të tij, në rast se nxënësi më vonë e gjen se ke gabuar .

Ibn Vehb, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Sikur të shkruanim prej imam Malikut sa herë ka thënë ‘nuk e di’, do t’i mbushnim fletat.

Irfan Jahiu

WWW.STUDENTET.MK

About Author

Admin_F

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *