Rrëfehet për një mbret në të kaluarën se kishte vendosur që ti japë dhuratë 400 dinarë çdokujt që e thotë një fjalë të mirë.
Kështu që një ditë mbreti del me ushtarët e vet nëpër qytet dhe e takon një bujk nëntëdhjetëvjeçar i cili ishte duke e mbjellë një pemë ulliri.
Mbreti i tha: Përse po e mbjell këtë pemë ulliri kur asaj i duhet njëzet vjet që ta japë frytin e saj, ndërsa ti je nëntëdhjetëvjeçar dhe exheli të është afruar?!
Bujku plak u përgjigj: Ata që jetuan para nesh mbollën pemë që ne sot po i shfrytëzojmë frytet e tyre, prandaj edhe ne sot duhet të mbjellim pemë që pasardhësit tanë ti korrin frytet e tyre.
Mbreti tha: Fole mirë! Kjo është fjalë e mirë dhe urdhëroi që ti jepen 400 dinarë si shpërblim.
Bujku plak e mori shpërblimin dhe buzëqeshi.
Mbreti i tha: Pse buzëqeshe?
Bujku u përgjigj: Pema e ullirit jep frytin e vet pas njëzet viteve, kurse pema ime e dha frytin e saj tash.
Mbreti tha: Fole mirë! Jepjani edhe 400 të tjera.
Bujku i mori dhe buzëqeshi përsëri!
Mbreti i tha: Pse buzëqeshe?
Bujku u përgjigj: Pema e ullirit jep frytin e saj një herë në vit, kurse pema ime e dha dy herë frytin e saj.
Mbreti tha: Fole mirë! Jepjani edhe 400 të tjera dhe mbreti u largua me shpejtësi.
I habitur komandanti i ushtrisë i tha:
Përse ike me shpejtësi prej bujkut?
Mbreti iu përgjigj: Nëse do të kisha qëndruar deri në mëngjes me bujkun, thesaret e mbretërisë do të shtereshin, kurse fjalët e bujkut nuk do të shtereshin!
Mirësia çdoherë e jep frytin e saj!
Shkruan: Irfan Jahiju
STUDENTET.MK