Shqipja letrare zotëron një varg mjetesh që shërbejnë për të shprehur brendinë e fjalisë dhe për të siguruar lidhjen e pjesëve përbërëse të saj. Këto janë: 1.trajtat e fjalëve; 2. fjalët shërbyese; 3.rendi i fjalëve; 4.intonacioni.

Shqipja letrare zotëron një sistem të pasur lakimi dhe zgjedhimi që ndihmon për zbulimin e drejtpërdrejtë të funksionit sintaksor të fjalëve. Për shqipen ky është mjeti kryesor, i cili vepron në bashkëlidhje me fjalët shërbyese.

Vlera e përgjithshme rasore te fjalët emërore mund të diferencohet nëpëmjet parafjalëve.

Shqipja ka një inventar të pasur parafjalësh, qoftë me kuptim shumë të përgjithshëm, qoftë me kuptim të specializuar.

Veç parafjalëve, në strukturën e fjalisë dhe të gjymtyrëve të saj luajnë rol të rëndësishëm edhe disa nga lidhëzat sidomos lidhëzat bashkërenditëse.

Në gjuhën shqipe mund të dallohen disa lloje të rendit të fjalëve: a) rendi i ngulitur normativ; b)rendi i lirë me vlerë të mirëfilltë gramatikore; c) rendi i lirë me vlerë gramatikore-stilistike.

Intonacion i fjalisë quhen ndërrimet e ndryshme të zërit në lartësi, në forcë, në ritëm. Intonacioni i fjalisë përfshin edhe pauzat (ndalesat) e ligjërimit. Elementet kryesore të intonacionit janë: theksat(theksi i frazës dhe theksi logjik), melodika e tonit (ngritja dhe ulja e tij), ritmi i ligjërimit (shpejtimi, ngadalësimi, pauzat).

lntonacioni përmbush funksione të ndryshme gramatikore:

  • a) tregon se fjalia është e mbaruar, e plotë dhe ndan rrjedhën ligjërimore në fjali;
  • b) dallon fjalitë, sipas qëllimit të thënies, sipas funksionit të tyre në ligjërim, në fjali dëftore, pyetëse, nxitëse, dëshirore dhe fjalitë thirrmore nga jothirrmoret;
  • c) në periudhë ndihmon për të bërë dallimin midis kuptimeve sintaksore, sidomos në periudhën asindetike;
  • ç) ndihmon për të bërë dallimin e disa gjymtyrëve të fjalisë, të gjymtyrëve homogjene e të gjymtyrëve saktësuese;
  • d) dallon gjymtyrët e veçuara të fjalisë nga gjymtyrët e paveçuara;
  • dh) një funksion të rëndësishëm ka intonacioi dhe për të ndarë në vargun ligjërimor fjalët dhe fjalitë e ndërmjetme, si dhe fjalët e fjalitë e ndërkalluara (me anë të pauzave, të uljes së tonit dhe të rikthimit në lartësinë e mëparshme). 

 

Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe

About Author

Admin_S