Ndajshtimet e veçuara mund t’i përkasin çdo gjymtyre të fjalisë të shprehur me emër, mbiemër të emërzuar, përemër, numëror a togfjalësh:
Ata, gjeologët, e ndienin here-herë veten si muhaxhirë të përjetshëm. Të dy, si unë, ashtu edhe Besoja, ishim të vegjël. Më lejoni t’ju sjell juve, pjesëmarrësve të kësaj konference, përshëndetjet më të nxehta.
Emrat, mbiemrat e emërzuar, përemrat, numërorët a togfjalëshat, që përcaktohen nga ndajshtimet, shpesh janë fjalë me kuptim të përgjithshëm që kanë nevojë të sqarohen, siç janë p.sh.: çështje, veti, gjithçka etj.:
Kjo çështje, themelimi i shtetit shqiptar të pavarur, s’mund të zgjidhej ndryshe në rrethanat e atëhershme. Marku dëgjonte zërat e punëtorëve dhe e kuptoi se sonte ata kishin vetëm një shqetësim të madh, devijimin.
Kushtet e veçanta të veçimit të ndajshtimeve: vendi i ndajshtimeve të veçuara.
Lidhja e dobët sintaksore është faktor i veçantë i veçimit të ndjashtimeve, në bashkëveprim edhe me faktorë të tjerë. Po kështu zakonisht veçohen ndajshtimet që u përkasin gjymtyrëve të fjalisë të shprehura me përemra vetorë:
Ajo, një vajzë me aq krenari për zanatin e saj, po hynte në gjirin e malësisë si traktoriste. Me luftë e përpjekje të pareshtura, ne, të burgosurit, ngritëm brenda hekurave një kështjellë të pamposhtur.
Ndajshtimet e veçuara qëndrojnë përgjithësisht prapa fjalës së përcaktuar, më rrallë ato mund të gjenden edhe përpara saj, kur dalin me ngarkesë më të madhe kuptimore:
Shok i Çerçiz Topullit e i Themistokli Gërmenjit, Mihali u shqua veçanërisht edhe për ndjenjat e tij të thella demokratike.
Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe
Përgatiti dhe përshtati:
WWW.STUDENTËT.MK