Me një pjesore të zgjeruar;

Pjesorja e veçuar përdoret më pak se mbiemrat prejpjesorë. Ajo takohet sidomos në letërsinë artistike dhe ka deri diku një karakter arkaik, sidomos në përdorimin e dendur individual të disa autorëve, në vend të fjalive të varura. Pjesorja e veçuar përdoret kur vjen ose menjëherë pas fjalës së përcaktuar, ose pas një përcaktori tjetër të paveçuar të kësaj fjale:

Ndanë monopatit, rrethuar me gardh të lartë, ngrihej një kasolle, thurur me shufra e baltë. Mbi shtyllën e lartë të Pirganit, ngritur me blloqe gurësh cilindrikë, digjej ylli i mbrëmjes. U afrua me të shpejtë një djalë i ri, veshur si qytetar. Disa ishin ulur në kolltukët e vjetër, vendosur në të dy anët e sallës së vogël. Hyri një njeri i gjatë e i shëndoshë, lyer i tëri me baltë.

Në gjuhën e sotme pjesoret e veçuara mund të këmbehen në shumicën e rasteve me mbiemrat prejpjesorë përkatës. Ky zëvendësim sot përbën jo vetëm një mundësi, por edhe një prirje. Këmbimi i tyre bëhet pa u ndryshuar kuptimi themelor, megjithëse pjesorja e ka më të theksuar kuptimin e veprimit.

Pjesorja në funksionin e një gjymtyre të veçuar del, në radhë të parë, kur ka kuptim pësor. Pikërisht në këtë rast ndodh zakonisht edhe këmbimi i saj me mbiemrat prejpjesorë përkatës, që, gjithashtu, e ruajnë kuptimin pësor. Gjymtyrët e veçuara të shprehura me pjesore, që këmbehen me mbiemrat prejpjesorë përkatës, janë sinonimike me një fjali përcaktore. Ja disa shembuj gjymtyrësh të veçuara të shprehura herë me pjesore, herë me mbiemra prejpjesorë:

Nga brezi i pishave, ngarkuar me dëborë, frynte një thëllim i lehtë që të shponte fytyrën si me gjëlpërë. Qerrja, e ngarkuar me misërishte, dukej sikur do të përmbysej. Ktheu kokën dhe zuri të vështronte shtratin e kanalit të ri, ngritur në trajtën e një lugu të lartë. Qyteza e vogël, e ngritur brenda gjashtëdhjetë orëve midis ligatinës së mbuluar me xunkthe, ishte plot gjallëri. Kitoja, zgjedhur në presidium, s’dinte ku të shtinte duart. Fermen duhet ta drejtojnë njerëzit më të zot, më të drejtë, të zgjedhur nga vetë anëtarët e saj.

Pjesoret dhe mbiemrat prejpjesorë si gjymtyrë të veçuara përdoren ndonjëherë edhe me kuptim vepror, e kjo zakonisht kur u takojnë foljeve moskalimtare; në vend të këtyre, duhen parapëlqyer ndërtimet me fjali të varur:

Korricrët e kryeministrisë, hipur në triçikle, përshkonin me një zhurmë shurdhuese rrugët e Tiranës. Një traktor tjetër, ardhur nga ugaret, filloi të kryqëzonte dritat dhe zhaurimën. Fshatarit të varfër, zbritur nga mali, i kishin shtruar në dhomën pritjes. Taboret turke, mbetur rrugëve pa ushqim e pa komandë, tërhiqeshin në panik e rremujë drejt Vlorës.

Përgatiti dhe përshtati:

WWW.STUDENTËT.MK

About Author