Termi dialektologji rrjedh nga greqishtja e vjetër dialektos “e folme, bisedë” dhe logos “shkencë, dije”. Dialektologjia është degë e gjuhësisë e cila merret me studimin e dialekteve territoriale, d.m.th gjuhës së folur popullore. Ajo studion variantet gjeografike të një gjuhe të përbashkët. P. sh. dialektoIogjia shqiptare merret me studimin e larmisë dhe veçorive të përbashkëta gjuhësore të të folmeve shqipe.

Ndryshimet dialektore janë pasojë e veçimit, e mungesës së shkëmbimeve midis grupeve të ndryshme njerëzish. Popullsi të caktuara, kur veçohen njëra nga tjetra, pa marrëdhënie të mjaftueshme, pavarësisht se dikur mund të kenë pasur një gjuhë të përbashkët, të njësuar; fillojnë të zhvillojnë forma të ndryshme të përdorimit të të njëjtës gjuhë. Gjuha është si qenie e gjallë që zhvillohet në drejtime të ndryshme, sipas mjedisit ku jeton, sipas përdoruesve dhe rrethanave natyrore. Me fjalë të tjera, diferencimi dialektor i shqipes është rrjedhojë historike e rrethanave politike, ekonomike dhe kulturore të cilat kanë mbizotëruar në trojet shqiptare që nga periudha antike e deri në ditët e sotme.

Gjuha e një kombi megjithëse karakterizohet nga një unitet, ajo prapëseprapë ka laramani në shtrirjen gjeografike të saj. Me studimin e këtyre larmive territoriale të një gjuhe të përbashkët merret dialektologjia (Gjinari, 1970: 7). Ajo ka objektin e studimit dhe metodat e saja (vrojtimin e drejtpërdrejtë, metodën e anketës dhe gjeografinë gjuhësore).

Për arsye se qytetet shqiptare përgjithësisht janë një shumësi pikash të folmesh të ndryshme, mund të thuhet se qyteti nuk përfaqëson një pikë dialektologjike. Rrjedhimisht edhe dialektologjia shqiptare është rurale (merret me të folmet e fshatrave).

Objekt studimi i dialektologjisë shqiptare janë jo vetëm të folmet shqipe me vazhdimësi tokësore në Shqipëri dhe ish-Jugosllavi, por edhe gjuha e ngulimeve shqiptare me trajtat e saj arkaike. Të folmet e shqiptarëve me punë të përkohshme jashtë atdheut, të shpërndarë anekënd botës nuk janë lëndë e dialektologjisë, sepse ato janë më të reja dhe shqiptarët, krahas gjuhës shtetërore, flasin po atë variant territorial prej nga edhe janë.

Duhet përmendur se përkatësinë dialektore të qyteteve e përcaktojnë të folmet e fshatrave përreth tij. P.sh. e folmja shqipe e qytetit të Shkupit i takon gegërishtes qendrore, sepse shumica e banorëve shqiptarë të Shkupit janë nga katundet përreth tij. Qytetet shqiptare, veçmas ato me përzierje popullatash që flasin dy e më tepër gjuhë, sigurojnë material për shqyrtimin e ndërlidhjeve midis fakteve gjuhësore dhe fakteve shoqërore (karakteri shoqëror i gjuhës) dhe me këtë studimet sociolinguistike të gjuhësisë së zbatuar.

Dialektologjia mund t’i studiojë dialektet duke përshkruar gjendjen e tyre në një etapë ë dhënë të zhvillimit historik, zakonisht në gjendjen e sotme; por ajo mund të studiojë edhe zhvillimin që kanë pasur dialektet nëpër etapa të ndryshme të historisë së tyre. Me studimin e gjendjes së sotme të të folmeve merret dialektologjia përshkruese (sinkronike), kurse me zhvillimin e të folmeve në rrjedhë të kohës merret dialektologjia historike (diakronike).

 

Përmblodhi dhe përshtati:

STUDENTET.MK

About Author

Admin_S