Mbajtja e premtimit

Ibrahim en-Nahaij, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kur ishim fëmijë, na edukonin ta mbanim premtimin.”

Për ta edukuar fëmijën ta mbajë premtimin:

– Edukatori duhet të ndalet të mendojë para se ta japë premtimin dhe ta rritë namin e tij.

– Të kërkojë falje kur nuk e mban premtimin, shkaku i pamundësisë, duke e kompensuar atë më vonë.

– Duhet ta mbajë premtimin, pasi e jep atë. Ibn Amir tregon: “Një ditë më thirri nëna ime të më jepte diçka, kur Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ishte në shtëpinë tonë. Ajo më  tha: ‘Eja të të jap diçka.’ Atëherë Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i tha: ‘Çfarë deshe t’i japësh?’ Tha: ‘Desha t’i jepja një hurmë.’ Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: ‘Nëse nuk do t’ia jepje, do të shënohej për gënjeshtër.’ ”[1]

Kujdes nga mosrealizimi i premtimit

Babai iu drejtua të birit duke i thënë: “Të premtoj, inshallah!”

Biri i tha: “Më premto, por pa thënë inshallah!”

Babai i tha: “Përse?”

Biri u përgjigj: “Që të mos më thuash si zakonisht kur nuk e realizon premtimin: ‘Unë të premtova, por thashë edhe inshallah (me dëshirën dhe vullnetin e Allahut)’!”

Mësimi i nxjerrë: Ata thithin prej veprave tona më shumë se që thithin prej fjalëve tona. Nëse ne nuk mundemi të mbjellim domethënie pozitive, më e pakta që mund ta bëjmë është ta ndalim përcjelljen e mesazheve negative.

Prej pikëpamjeve edukative të fëmijës kundrejt pasurisë

– Pasuria është mjet e jo synim.

– Arritja e saj kërkon përpjekje dhe punë.

– Ka gjëra të mëdha të cilat nuk arrihen vetëm me pasuri, si: nderi, vëllazëria, dashuria e sinqertë, amaneti, dija etj.

– Altruizmi dhe dhënia japin kënaqësi më të madhe se plotësimi i dëshirave.

– Përgatitja për marrjen në pyetje se: Prej ku e fitove pasurinë? Dhe ku e shpenzove atë?

– Mosdorëzimi ndaj dëshirave për të blerë çdo gjë që e do dhe lakmon pas saj.

Buxheti i fëmijës

Qarkullimi apo zhvillimi i buxhetit të fëmijës mund të bëhet në disa aspekte edukative:

– Stërvitja e tij që ta menaxhojë buxhetin e tij dhe t’i bartë vështirësitë e shpenzimeve të tij.

– Stërvitja e tij për të dhënë, si për shembull: t’i japë të holla shokut të tij i cili i ka harruar të hollat e veta.

– Stërvitja e tij që ta realizojë synimin e vet duke e ruajtur një pjesë të shpenzimeve të veta për ta blerë atë që i nevojitet. Kjo e çon që t’i ruajë të hollat e veta dhe të gëzohet shumë kur të arrijë ta realizojë synimin e vet.

– Me rëndësi është baraspesha në sasinë e shpenzimeve duke pasur kujdes nga teprimi që e çon në devijim dhe nga shtrëngimi që ia jep ndjesinë e privimit.

Shokët e fëmijës

Respektimi i shokëve të fëmijëve dhe mikpritja e tyre kur na vijnë në shtëpitë tona, i rrit ndjenjat në vetëbesim dhe nuk i lejon ata të formojnë lidhje shoqërore në errësirë.

Edukata me mirësjellje para veprës

Edukimi i fëmijëve me mirësjellje i paraprin veprës dhe e shoqëron atë. Ky proces bëhet shkallë-shkallë dhe me përsëritje, pa lodhje dhe bezdisje, derisa fëmija të arrijë ta përvetësojë sjelljen dhe të shndërrohet në zakon të tij. Ajo që synohet është vepra dhe sjellja, e jo veç arsimimi.

Omer ibn ebi Seleme, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Isha i vogël nën përkujdesjen e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ndërsa me dorën time merrja nga të gjithë anët e pjatës. Kur më pa Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: ‘O ti djalosh, thuaj bismilah (me Emrin e Allahut), ha me dorën e djathtë dhe ha përpara vetes.’ Kështu sot e kësaj dite unë e zbatoj këshillën.”[2]

Shfrytëzimi i mundësive

Që fëmijët të arrijnë sukses, prej shkaqeve është të mbjellim në shpirtrat e tyre shfrytëzimin e mundësive.

Vendbanimet e fisit të Amru ibn Seleme ishin vendkalim për udhëtarët që ktheheshin prej Medines, e ai e shfrytëzonte mundësinë dhe i pyeste ata kur kalonin andejpari. Kështu mësoi përmendsh nga Kurani një pjesë të madhe. Më vonë fisi i tij shkuan në formë delegacioni te Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili u tha: “Le t’ju prijë në namaz ai që di më së shumti nga Kurani.” Askush nuk dinte më shumë pjesë të Kuranit se Amru ibn Seleme, i cili e mësoi Kuranin prej udhëtarëve që kalonin andejpari. Atëbotë i kishte shtatë vjet kur u priu në namaz. Ia dhanë një petk ta mbulonte trupin (dhe t’u printe në namaz). Për këtë rast thotë: “Nuk ka pasur gëzim më të madh se gëzimi kur ma dhanë petkun.”[3]

Baraspeshimi në ushqim

Ibn el-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Prej edukimit të keq të fëmijës është dhënia hapësirë atyre të teprojnë në ushqim dhe pije. Ndërsa prej edukimit të dobishëm është që t’u jepet aq sa u mjafton e jo të ngopen, me qëllim që tretja e ushqimit të jetë më e lehtë, të pakësohen hedhurinat në trupat e tyre, të qëndrojnë të shëndoshë me trup, të rrallohen sëmundjet, shkaku i pakësimit të mbetjeve në trup, t’u pakësohen problemet që rrezikohen të tjerët prej tyre si rrufa dhe dhembja në zemër.”[4]


[1] Sahih Ebu Davud.

[2] Shënon Buhariu.

[3] Sahih Ebu Davud.

[4] Tuhfetul Meudud (fq. 166).

Irfan Jahiu

WWW.STUDENTET.MK

About Author

Admin_F

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *