Përcaktori kallëzuesor përshtatet me emrin a përemrin të cilit i referohet. Kur është emër, përshtatet në numër dhe në rasë ose dhe vetëm në rasë: Stërnipërit e mi do të dalin fitimtarë. Nxënësit u bënë shqetësimi im i përhershëm. Kur është mbiemër, përshtatet në numër, gjini dhe rasë. Pikat e shiut binin të rralla mbi baltën e kuqe të hedhur në të dy anët e gropave. Sytë i kishte të mëdhenj e të shndritshëm.
Përcaktori kallëzuesor i shprehur me mbiemër që i referohet përemrit lidhor që, përshtatet në gjini e në numër me emrin që zëvendëson përemrin lidhor: Ganiu më s ’priti, po u hodh më këmbë dhe rrëmbeu të bijën që një kohë mbeti e mahnitu fort.
Përcaktori kallëzuesor që i referohet emrit kolektiv shumica (sidomos kur ndiqet nga një emër në gjinore shumës, që konkretizon sasinë e shprehur nga emri), vihet në shumës, pra mund të përshtatet me të jo gramatikisht. po logjikisht: Shumica qëndruan të papërkulur, të paepur. Ata kishin shumë nevojë për ndihmë, sepse shumica e djemve kishin shkuar ushtarë.
Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe