Përshtatja e kallëzuesve me kryefjalët homogjene

Kallëzuesit foljorë dhe këpuja e kallëzuesit emëror të disa kryefjalëve homogjene përshtaten me to në numër e vetë, pjesa emërore e shprehur me mbiemër në numër e gjini. Përshtatja mund të bëhet zakonisht me tërësinë e kryefjalës, por mund të bëhet edhe me njërën prej tyre. Ajo është e kushtëzuar nga një sërë faktorësh nga natyra e raporteve midis kryefjalës homogjene, nga mënyra e bashkimi të tyre dhe nga mjetet e lidhjes, nga rendi i gjymtyrëve, ndonjëherë nga veçoritë leksikore, e sidomos nga synimet e folësit.

Përshtatja e kallëzuesit foljor dhe e këpujës

Kallëzuesi foljor dhe këpuja vihen në shumës, kur një ose disa prej kryefjalëve homogjene me lidhje këpujore ose me bashkim jolidhëzor janë në shumës:

Disa shkarpa, një fije pishe dhe një kuti shkrepëse ishin vendosur te këmbët e stufës.

Kur kryefjalët homogjene janë vetash të ndryshme, kallëzuesi dhe këpuja vihen në vetën e parë shumë, në qoftë se kryefjalët janë të vetës së parë e të vetës së dytë a të tretë; vihen në vetën e dytë shumës, në qoftë se janë të vetës së dytë a të tretë:

Nëna dhe ne të tjerët e shikonim të habitur. As unë, as vëllezërit e mi nuk e njihnin atë. Ti dhe shokët e tu keni punuar mirë.

Në të njëjtën mënyrë bëhet përshtatja në vetë edhe kur vihet në shumës kallëzuesi foljor a këpuja e disa kryefjalëve homogjene të numrit njëjës:

Më të “diturit” nga të gjithë ne, që sheh këtu, jemi unë e Dekoja. As unë, as ti, s’jemi ende në gjendje të hidhemi në betejë ashtu siq është hedhur, bie fjala, Skënder Shpata. Ti e Demka do ta shpini në Korçë. Të pushtuar nga një ngashërim i papërshkruar, ti, unë, Shyqyriu, Xhoxhi dhe Sabaudini shkonim për të mësuar andej nga Erzeni.

Kur kryefjalët homogjene janë të numrit njëjës, përshtatja ndryshon sipas raporteve të vendosura midis tyre dhe sipas lidhëzave, sipas rendit të gjymtyrëve ose sipas asaj që kërkohet të vihet në dukje, të theksohet. Në mjaft raste ka mundësi për përshtatje të ndryshme, ka edhe luhatje. Po mund të përcaktohen disa rregulla si prirje pak a shumë të përgjithshme.

Nëse kryefjala bashkohet asindetikisht ose me anë të lidhëzave këpujore e, dhe, edhe, po edhe, si edhe, dhe kemi në fjali rend të zakonshëm, kallëzuesi foljor dhe këpuja vihen, në përgjithësi, në shumës, përshtatja bëhet me tërë kryefjalët:

Toka, jeta, mosha bëjnë të tyren. Që ditën e parë puna me orar të caktuar si edhe shoqëria i hynë në zemër. Forca natyrore e kështjellës dhe trimëria e mbrojtësve të saj e bënin Krujën të pazaptueshme. Djalë e vajzë lëvizën nga vendi si me përtim. Të blertët e errët të fletëve të panxharit, shkëlqimi i ujërave që rridhnin nga mali, humbën në muzgun e mbrëmjes.

Kallëzuesi ose këpuja e disa kryefjalëve homogjene këpujore të bashkuara me mjetet e mësipërme, vihet në njëjës, kur kryefjalët homogjene shënojnë një objekt të vetëm ose janë kuptimisht shumë të afërta, kanë lidhje të ngushtë gramatikore-strukturore, kur kërkohet të theksohet vështrimi i kryefjalës si një njësi tërësore e vetme ose kur janë të ndjeshme ngjyrimet shtesore:

Kyçi dhe kryeporta e Shqipërisë ishte tanimë në duart e armiqve. Burrëria dhe trimëria jonë tregohet sot kur jemi në furtunë. Populli ynë, si edhe gjithë rinia, do t’i kujtojë me nderim e respekt këto bija e bij të lavdishëm të tij. Porosia, detyra, aksioni qe kishte nisur e përmbajti.

Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe

About Author