Menaxhmenti është një proces universal i formulimit dhe i arritjes së qëllimeve në organizatë me dhe përmes njerëzve të tjerë, duke shfrytëzuar funksionet menaxheriale të planifikimit, organizimit, udhëheqjes dhe kontrollit, si dhe me koordinim të resurseve në mënyrë efikase dhe efektive. Nga ky definim mund të identifikohen lehtë elementet e menaxhmentit si proces: planifikimi, organizimi, personeli, udhëheqja dhe kontrolli, alokacioni dhe përdorimi i resurseve (ku bëjnë pjesë: lëndët e para, makinat, tregjet dhe paratë) efikasiteti dhe efektiviteti i realizimit të detyrave nga njerëzit e tjerë, si dhe realizimi i detyrave të paravendosura.
Funksionet kryesore që e përbëjnë esencën e menaxhmentit si proces në organizatat e biznesit janë:
- Planifikimi është funksioni themelor i menaxhmentit. Ky funksion përfshin zgjedhjen e misionit dhe të qëllimeve, mbi bazat e së cilave ndërmerren aksionet për realizmin e tyre në organizatë. Planifikimi plotëson zbrazëtirën midis asaj që organizata është dhe asaj që ajo dëshiron të jetë në të ardhmen
- Organizimi është funksioni i dytë i rëndësishëm i menaxhmentit, i cili vjen pas planifikimit. Që të realizohen qëllimet e planifikuara, duhet ndarë rolet që duhet t’i realizojnë anëtarët e caktuar të organizatës. Funksioni i organizimit i ka këto detyra: vendosjen dhe klasifikimin e të gjitha aktiviteteve në organizatë, grupimin e aktiviteteve në strukturën organizative të organizatës, ndarjen e aktiviteteve në njësitë e organizatës (të menaxherëve dhe të të punësuarve), përcaktimin e roleve të njerëzve që punojnë së bashku, duke i koordinuar mirë.
- Qeverisja me burimet njerëzore është një ndër funksionet të cilit në kohët e fundit i kushtohet një kujdes i veçantë. Detyrat kryesore të këtij funksioni janë: plotësimi i vendeve të punës në organizatë, mbajtja dhe motivimi i punonjësve, formimi, edukimi dhe zhvillimi i fuqisë punëtore, vlerësimi dhe pagesa e fuqisë punëtore
- Udhëheqja është funksioni i vetëm i vërtetë i menaxhmentit. Ai është funksioni më i rëndësishëm i menaxhmentit. Udhëheqja, si funksion i menaxhmentit apo si pjesë e procesit të tij, realizohet me njerëzit, duke i drejtuar sjelljet e tyre kah realizimi i qëllimeve. Menaxheri duhet patjetër të kuptojë dhe të njohë sjelljet e njerëzve dhe të jetë në gjendje të realizojë komunikimin, të motivojë dhe të udhëheqë, ashtu që të realizohen qëllimet e organizatës.16 Të udhëheqësh do të thotë të ndikosh te njerëzit me qëllim që t’i drejtosh aktivitetet e tyre dhe t’i motivosh kah realizimi i qëllimeve të organizatës.
- Kontrolli është funksioni i fundit i menaxhmentit, jo pse është më pak i rëndësishëm, por pse, duke krahasuar atë që është realizuar me atë që është planifikuar, e lidh, përkatësisht e integron procesin e përgjithshëm të menaxhmentit. Kontrolli si funksion i menaxhmentit përfshin mbikëqyrjen e punës së organizatës, duke e mbajtur atë në rrugë të drejtë për realizimin e qëllimeve. Procesi i kontrollit përfshin tri hapa:17
a) Vendosja e standardeve si madhësi referente për krahasimin e asaj që realizohet me atë që planifikohet;
b) Matja e rezultateve të realizuara në krahasim me planin;
c) Ndërmarrja e masave korrigjuese dhe eliminimi i devijimeve nga standardi dhe plani.
Përmblodhi dhe përshtati:
STUDENTET.MK