Nga tradita e Allahut në krijesat e Tij është dallimi i njerëzve në mes vete në talent dhe aftësi mendore, sikur që i ndau dhe i dalloi në tabiate dhe moral, në logjikë dhe kuptim, në gjuhë dhe ngjyrë: “Ndërmjet shenjave të Tij janë krijimi i qiejve e i Tokës dhe shumëllojshmëria e gjuhëve dhe e ngjyrave (racave) tuaja. Pa dyshim, në këtë ka shenja për ata që dinë.” (Er-Rum: 22)

Kjo shumëllojshmëri dhe dallim është prezent në çështjet e dynjasë dhe ato të fesë.

Në çështjet e fesë e shohim dikë që Allahu ia ka hapur derën e namazit, tjetrit ia ka hapur derën e sadakasë, dikujt tjetër ia ka hapur derën e leximit të Kuranit, e disa të tjerëve ua ka hapur derën e dijes në fushën e teuhidit, hadithit, fikhut dhe tefsirit.

Dikujt tjetër e shohim që ia ka hapur derën e ndihmës së nevojtarëve dhe të ngratëve, lehtësimin e vështirësive, larjen e borxheve, përkujdesjen e jetimëve dhe ndihmën, mësimin dhe mbikëqyrjen e tyre. Ai vazhdimisht është në aktivitete dhe lëvizje.

Ka prej tyre që Allahu ua ka hapur derën e ndërmjetësimit dhe paqësimit në mes njerëzve; e liron të burgosurin, i pajton gjaqet, e largon të keqen, e mbron të drejtën, e pengon të kotën dhe e largon padrejtësinë.

Në çështjet e dynjasë e shohim që dikujt i është hapur dera e mjekësisë, arkitekturës, tregtisë, teknologjisë, apo biznesit e kështu me radhë.

Dikush tjetër ka projekt për martesë që ta ruajë nderin, projekt për të arritur gradën e doktoratës, projekt për ndërtimin e shtëpisë, për blerjen e makinës, për punësim në kompani, për hapjen e një shoqate humanitare, për angazhim në aktivitet të davetit, për mësimin e gjuhës.

Projektet janë të llojllojshme: ka projekte afatgjate që realizimi i tyre nuk mund të bëhet vetëm se pas një periudhe kohore që zgjat me vite, si: studimet e larta, krijimi i një familjeje të ndershme dhe të shëndoshë, aktivitetet shoqërore e humanitare.

Ka projekte që janë afatshkurtra, realizimi i tyre zgjat diku një ose dy vjet, si: projekti i nxënies së Kuranit përmendsh, mësimi i ndonjë gjuhe të huaj dhe kompjuterit, pjesëmarrja në punime vullnetare, aktivitete të davetit, si: ngjitja e lajmërimeve për ligjërata, shpërndarja e cd-ve, librave apo fletushkave, mbajtja e seminareve, pjesëmarrja në organizata humanitare në projektet e tyre humanitare, si: dhënia iftar agjëruesit, shpërndarja e gjërave ushqimore dhe të nevojshme për nevojtarët dhe familjet e varfra, përkujdesja për jetimët etj.

Ka projekte që janë kryesore, kërkohet angazhim dhe kohë për realizimin e tyre dhe ka projekte që janë dytësore.

Ka projekte që realizimi i tyre ia merr kohën njeriut tërësisht dhe ka projekte që mundet bashkimi në mes tyre.

Ka projekte individuale dhe ka projekte shoqërore. Projektet shoqërore janë më të suksesshme, më të dobishme dhe me shumë mundësi realizimi.

Pra, projektet janë të shumta, ka projekte daveti, shkencore, shoqërore, tregtare, mediatike.

Projekte daveti, si: thirrja në fenë e Allahut nëpër tubimet familjare mujore, ose me blerjen e një grumbull të librave dhe fletushkave, e pastaj shpërndarja e tyre nëpër ofiçina, fabrika, kompani, spitale, apo dërgimi i mesazheve me përmbajtje daveti në celular dhe përhapja e tyre nëpër rrjete sociale dhe internet.

Projekte shkencore, si: përkthimi i disa shkrimeve mjekësore, shoqërore ose administrative që u bëjnë dobi myslimanëve, pastaj leximi frutdhënës, përgatitja e studimeve dhe hulumtimeve, shkrimi dhe nxënia përmendsh e disa haditheve, mësimi i disa shkencave të posaçme, si: gjuhët, shkencat kompjuterike, internetin, studimet shoqërore, politike dhe ekonomike e më pas të punuarit me to dhe përvetësimi i tyre aq sa mundet të përvetësohen.

Projektet e ibadetit, si: përcaktimi i një pjese të Kuranit për lexim. Bishr ibën El-Harith lexonte një të tretën e Kuranit për një ditë. Urve ibën Zubejr e lexonte nga Mus’hafi një të katërtën e Kuranit për çdo ditë, pastaj ngrihej natën e lexonte përmendsh atë që e lexonte gjatë ditës nga Mus’hafi. Këtë traditë nuk e ndali përveç atë natë kur ia prenë këmbën. Ndërsa imam Ahmedi çdo të shtatën natë e përfundonte hatmen.

Projekte shoqërore, si: martesa, vizita e të sëmurëve nëpër spitale dhe ndihmesa e tyre, përkujdesja për familjet e varfra.

Alij ibën Husejn, i njohur si Zejnul Abidin, Allahu e mëshiroftë, e ngarkonte ushqimin në shpinë dhe gjatë natës ua shpërndante të ngratëve. Banorët e Medines ushqeheshin dhe nuk e dinin se prej nga u vinte ushqimi. Kur ndërroi jetë Alij ibën Husejn, u ndal edhe shpërndarja e ushqimit. Kur e lanë xhenazen e tij, i vërejtën shenjat e thasëve që i kishte bartur me ushqim për te shtëpitë e të ngratëve, dhe kështu e kuptuan se ai paskësh qenë që e shpërndante ushqimin natën nëpër Medine.

Projekte tregtare, si: nisja njëherit me një dyqan të vogël. E kishte hapur njëri një dyqan të vogël për ndërrimin e pjesëve të makinës dhe shitjen e zbukurimeve për makina. Për më pak se njëzet vjet, aq shumë iu shtua puna, saqë u bë kompani e cila i posedon tridhjetë e një degë, ndërsa kapitali i saj arriti të jetë diku me qindra miliona dollarë.

Shumë nga kompanitë dhe bizneset e mëdha që janë sot, dikur kanë qenë projekte të vogla, si: Google-ja, ose ndonjë bankë e vogël e cila me kohë është zhvilluar derisa u bë bankë e madhe, ose ndonjë restorant i vogël që më vonë u bë zinxhir restorantesh… etj.

Projekte avancuese, si: mësimi i ndonjë profesioni, zanati, apo mjeshtërie.

Projekte mediatike, si: hapja e një kanali satelitor, faqe elektronike ose revistë e orientuar.

Irfan Jahiu

WWW.STUDENTET.MK

About Author

Admin_F

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *