Në shikim të parë, “punonjësi i mirë” është ëndrra e çdo kompanie. Ai është i përgjegjshëm, i përkushtuar, gjithmonë i disponueshëm dhe i gatshëm të ndihmojë. Rrallë refuzon detyra, qëndron më gjatë kur duhet dhe gjithmonë e vendos punën në radhë të parë. Por pikërisht ky profil përfundon më shpesh me burnout (djegie në punë). Shtrohet pyetja: pse punonjësit më të vlefshëm digjen më shumë?
Kush është “punonjësi i mirë”?
“Punonjësi i mirë” shpesh është ai që:
- Merr përsipër më shumë sesa detyrat e veta
- Rrallë vendos kufij
- Ndjen përgjegjësi për detyrat e të tjerëve
- E lidh vlerën personale me performancën
Në vend që të shpërblehet me mbështetje, ky tip punonjësi zakonisht merr edhe më shumë punë.
Ku fillon problemi?
Problemi nuk është përkushtimi, por kultura që shpërblen sakrificën e tepruar. Kur vazhdimisht pritet “edhe pak më shumë”, pa kufij të qartë dhe pa njohje të mjaftueshme, motivimi ngadalë shndërrohet në rraskapitje. “Punonjësi i mirë” rrallë do të thotë se është i mbingarkuar ,derisa të bëhet tepër vonë.
Roli i menaxherëve dhe HR-it
Menaxherët shpesh pa vetëdije e nxisin këtë dinamikë, sepse e dinë se mund të mbështeten te të njëjtët njerëz. Ekipet e HR-it, nga ana tjetër, kanë rol kyç në identifikimin e shenjave të hershme: rënie të energjisë, tërheqje, frustrim të heshtur. Burnout-i nuk ndodh menjëherë,ai ndërtohet me kalimin e kohës.
Si të ndërpritet cikli?
Zgjidhja nuk është më pak përkushtim, por kufij më të shëndetshëm. Kompanitë që duan të mbajnë talentet më të mira duhet:
- Ta shpërndajnë barrën e punës në mënyrë të barabartë
- T’i shpërblejnë rezultatet, jo sakrificën
- Të krijojnë një kulturë ku “jo”-ja nuk është dobësi
- Të inkurajojnë pushimin pa ndjenjë faji
Çfarë mund të bëjnë punonjësit?
Edhe vetë punonjësit duhet të mësojnë se dëshmia e vazhdueshme e vlerës nuk është një strategji e qëndrueshme. Kufijtë nuk e ulin vlerën ,ata e mbrojnë atë.
Sindroma e punonjësit të mirë është një problem i heshtur, por i kushtueshëm për kompanitë. Njerëzit më të vlefshëm nuk largohen sepse nuk u intereson, por sepse u ka interesuar shumë ,për shumë gjatë. Kompanitë vërtet të suksesshme nuk i shpenzojnë më të mirët. Ato i mbrojnë.
Përgatiti dhe përshtati:
WWW.STUDENTËT.MK