PSE DUHET TA RISHKRUAJMË HISTORINË E LETËRSISË SHQIPE
Nëse një pyetje të këtillë do ta bënim duke iu referuar letërsive angleze, franceze, italiane e ndoshta edhe ruse, ajo do të tingëllonte mjaft anakronike, pasi për këto letërsi studimet janë ku e ku më të plota dhe rreptësisht të sistemuara, krahasuar me studimet që janë bërë për letërsinë shqipe. Del, pra, e qartë, se hartimi i një Historie të Letërsisë Shqipe ka të bëjë në radhë të parë me sistemimin e dijeve letrare, me qëllim që të propozohet një pasqyrim koherent i dukurisë letrare dhe i proceseve kryesore që kanë kushtëzuar e që njëkohësisht kanë profilizuar zhvillimin e saj përgjatë epokave të historisë kulturore kombëtare. Nëse ne ende nuk e kemi bërë këtë në mënyrë të kënaqshme, atëherë të gjitha arritjet tona studimore mbeten jo bindëse. Për këtë punim kurorëzues kemi nevojë ne studiuesit e letërsisë në radhë të parë, sepse kjo do të na pajisë me referencën bazë dhe do të na kthejë besimin të vetja. Kanë nevojë punonjësit e letrave, autorët e sotëm, për t’u bindur se dikush merret seriozisht me punën e tyre. Ka nevojë shkolla shqipe, për të gjetur një pikë ekuilibri të qëndrueshëm, dhe ka nevojë publiku dashamirës i vendit dhe i huaj, i cili në njëfarë mënyre vazhdon të endet pa busull e pa hartë në botën e trazuar të letrave shqipe. Në pikëpamje kulturore e shkencore, rishkrimi i Historisë së Letërsisë Shqipe është një akt po aq i rëndësishëm e i nevojshëm sa rishkrimi i Historisë Shqiptare. Nëse kjo e fundit është shenjë e pjekurisë politike të një populli në një periudhë të dhënë, e para është shenjë e afirmimit dhe e pjekurisë së tij kulturore e shkencore. Nëse ndihemi të përmbushur me stadin e afirmimit kulturor dhe të pjekurisë shkencore të fillimviteve ’80 të epokës së diktaturës, atëherë le t’i dorëzojmë penat e t’ia lëmë këtë detyrim brezave pas nesh. Ama, kur të kemi dorëzuar penat, duhen dorëzuar edhe titujt akademikë që kemi fituar ndërkohë, e bashkë me këta edhe dinjiteti i shkencës letrare shqiptare.
SI MUND TË RISHKRUHET HISTORIA E LETËRSISË SHQIPE?
Sipas mendimit tim të ngulët, po të flasim në terma të thjeshtuar krahasimi, për mësimin e letërsisë i kemi të gjitha zairetë që na nevojiten, përveç dy gjërave që e bëjnë të mësuarit mësim: nuk kemi ‘librin e mësuesit’ e as ‘fletoren e punës’ për nxënësin, si me thënë elementet bazë me të cilat letërsia përcillet në shkollë, për t’u kthyer paskëtaj në njohuri dhe për t’u bërë pjesë e formimit kulturor të qytetarëve. ‘Libri i mësuesit’ do të ishte ky për të cilin po flasim, Historia e Letërsisë Shqipe. Ky libër, sintezë e zgjeruar dhe e qëndrueshme e zhvillimit të letërsisë, do t’i krijonte mësuesit bindjen se dijet e tij janë më të plota e më të sofistikuara se ato të nxënësit më të mirë, duke qenë se mësuesi ka aparatin e nevojshëm konceptual për të punuar me një libër të tillë. Nga ana tjetër, ‘libri i nxënësit’, si burim i besueshëm informacioni plotësues për autorët e për veprat përfaqësuese, do t’i krijonte nxënësit bindjen se letërsia është diçka serioze dhe se studimi i saj shtrihet doemos përtej faqeve të tekstit shkollor. Duke mos hyrë në detaje të metodës /metodave me të cilat do të punohet, për çka do të jetë përgjegjës grupi redaktues, po e përmbledh idenë time shkurtimisht: në momentin aktual, na lipset hartimi paralel i dy veprave njëlloj themelore: i Historisë së Letërsisë Shqipe dhe i Enciklopedisë së Letrave Shqipe. Në mënyrë që Historia e Letërsisë Shqipe të mos merret me jetë autorësh, me kronologji dhe me analizë të thjeshtëzuar temash e motivesh, lipset që ky informacion, po kaq i domosdoshëm dhe po kaq mungues, t’i vihet gjithashtu në dispozicion publikut, por në një volum ose në disa volume të tjerë, të karakterit enciklopedik, ku të përfshihen pa dallim të gjithë autorët shqiptarë me vlerë dhe të gjitha veprat e tyre përfaqësuese, si ato të krijimit letrar, ashtu edhe ato të prodhimit më të specializuar, siç janë veprat e mendimit, veprat në fushë të historisë, të gjuhësisë, të etnokulturës e të antropologjisë, të sferës së artit dhe të shkencës, me një fjalë gjithçka që mendja shqiptare ka krijuar të qëndrueshme në rrjedhë të moteve.
Dy botimet paralele për të cilat po flasim, HLSH dhe ELSH, duhet të shihen si plotësim i njëri-tjetrit, gjithë duke qenë krejtësisht të dallueshëm prej njëri-tjetrit: Historia e Letërsisë Shqipe si tekst me karakter akademik dhe me destinim mësuesin, pedagogun e kulturologun në përgjithësi; ndërsa Enciklopedia e Letrave Shqipe si botim me karakter informativ, në shërbim të nxënësit, të gazetarit e të mediave, dhe sigurisht në shërbim të lexuesit e të publikut përgjithësisht, qoftë ky i vendit apo i huaj. Një botim elektronik i ELSH, paskëtaj, jo vetëm do t’i jepte prestigj kulturës shqiptare, por edhe do ta rriste ndjeshëm rolin e saj formues për brezat e sotëm shkollorë, gjithë duke shënuar një bazament fort të qëndrueshëm për brezat e mëpasëm të studiuesve, të cilët, ndryshe nga ne, nuk do të kenë më nevojë t’i nisin gjërat nga fillimi. Nëse nuk u trembemi punës dhe angazhimit, atëherë për të gjithë bëhet e kuptueshme se projekti i Enciklopedise së Letrave Shqipe imponohet si domosdoshmeri e kohës: në botën shqiptare ende nuk ekziston një bilanc i plotë, në formën e një inventari i cili do të na siguronte një njohje të saktë të gjendjes letrare e shkrimore dhe përgjithësisht një pasqyrë objektive të veprave të botuara. Me zellin e pashembullt për të përjashtuar gjithkend që s’na pëlqen ose që nuk e kuptojmë, ne ende nuk kemi qenë të zot të realizojmë studime sistematike për autorët dhe për botimet e tyre. Mirëpo, pa këtë njohje paraprake, asnjë Histori e Letërsisë Shqipe nuk mund të realizohet në parametrat e duhur. Të gjithë ne jemi dëshmitarë se, si pasojë e cenzurës së gjatë e të egër, thuajse çdo muaj që nga janari i vitit 1992 vazhdojnë të dalin në dritë autorë dhe botime të rëndësishme, që nuk njihen jo vetëm nga publiku, por as nga specialistët. Enciklopedia e Letrave Shqipe mundëson që, pikesëpari, të bëhet ky bilanc, e pastaj, mbi bazën e këtij inventari themelor, të hartohen një a disa Histori të Letërsisë Shqipe pa zbrazëti kërcitëse e pa mangësi të ndjeshme. Pra, nëse Enciklopedia e Letrave Shqipe do të na japë të dhëna të plota biografike e biobliografike për autorët dhe veprat përfaqësuese, kjo do të na lejojë që Historinë e Letërsisë Shqipe të mos e konceptojmë si jetëshkrim bibliotematizues, por si një punim sintetik reference, të nevojshëm në këtë kuptim vetëm për studimet universitare dhe ato akademike. Publiku i gjerë, ndërkaq, do të gjejë gjithçka të nevojshme në Enciklopedinë e Letrave Shqipe, e cila lipset parashikuar në 3 vëllime me dopiokolonë.
Së fundi, e kjo nuk është më e pakëta, përgatitja e ELSH-së e bën të panevojshme pyetjen e ankthshme të publikut shqiptar se cilit autor do t’i përmendet emri e do t’i shqyrtohet vepra, dhe cilit jo: e thamë se në ELSH do të jenë të pranishëm të gjithë autorët me kontribut të ndjeshëm cilësor apo sasior në letrat shqipe, të cilësdo bindje qofshin e cilësdo epoke apo periudhe që t’i përkasin. Gjithesi, kjo do të ishte një punë e mbarë, megjithëse e vështirë.
KUSH DO T’I HARTOJË HISTORINË E LETËRSISË SHQIPE DHE ENCIKLOPEDINË E LETRAVE SHQIPE?
Në formën që sapo paraqitëm, është e qartë se asnjë individ, madje asnjë nga institucionet universitare e kërkimore, nuk janë gati të marrin përsipër të vetëm rishkrimin e Historisë së Letërsisë Shqipe dhe hartimin e Enciklopedisë së Letrave Shqipe në parametrat dhe me besueshmërinë e kërkuar. Nëse kjo do të kishte qenë e mundur, tashmë do t’i kishim pasur të përfunduara të dyja këto vepra. Në këtë situatë, alternativat nuk janë të shumta: për hartimin e këtyre dy botimeve kërkohet kontributi i disa specialistëve dhe i një numri të madh bashkëpunëtorësh, të cilët duhet të kenë mbështetjen e institucioneve: të akademive, universiteteve, qendrave dhe instituteve albanologjike. Nëse arrihet ky bashkëpunim ndërinstitucional vullnetesh, atëherë këtë detyrë mund ta marrë përsipër Qendra e Studimeve Albanologjike, duke angazhuar në këtë projekt Institutet e saj, njësinë e Enciklopedisë Shqiptare, si dhe një numër të konsiderueshëm doktorantësh dhe studentësh cilësorë të nivelit Master. Me mbështetjen bashkëpunuese të studiuesve, brenda e jashtë Shqipërisë, të cilët kanë shënuar rezultate të pranueshme me studimet e me botimet e tyre të deritashme, QSA mund ta finalizojë ELSH-në brenda katër vitesh. Me botimin e ELSH-së, çështja e Historisë së Letërsisë Shqipe mund të quhet e zgjidhur njëherë e mirë dhe për një afat të gjatë: cilado njësi kërkimore ose cilido kërkues i letërsisë shqipe mund ta hartojnë HLSH-në e tyre sipas parametrave e standardeve që i shohin të arsyeshme. Po nuk patëm kohë për të humbur, le ta kthejmë këtë konferencë në pikënisje të realizimit të rezultatit që dëshirojmë dhe për të cilin kemi detyrim. Pritja e madhe e publikut, e shkollës shqipe dhe e vetë letrareve, le të përbëjë nxitjen më të madhe për ne, në mënyrë që Enciklopedia e Letrave Shqipe dhe Historia e Letrave Shqipe të hartohen me përgjegjësi shkencore dhe të përmbushin zbrazëtinë e pafalshme që është krijuar në studimet tona letrare e përgjithësisht në vlerësimin e realizimeve kulturore të botës shqiptare.
Burimi: HISTORIA E LETËRSISË SHQIPE
Përgatiti dhe përmblodhi:
WWW.STUDENTET.MK