Sqarime të përgjithshme. Gjuha është një dukuri e ndërlikuar dhe shumëplanëshe, prandaj ekzistojnë një varg disiplinash që e studiojnë atë. Gjuha shërben për të formësuar dhe komunikuar mendimet. Për ta plotësuar këtë rol, ajo ka një sistem mjetesh (tinguj, morfema, fjalë, togfjalësha, trajta) dhe rregullash për vargëzimin e tyre (për ndërtimin e fjalëve, togfjalëshave e fjalive). Megjithatë komunikimi nuk arrihet thjesht nga vargëzimi i mjeteve sipas disa rregullave, por me ndërthurjen e tyre në përputhje me pasqyrimin e realitetit, me vijueshmërinë logjike, me synimet e folësit në rrethanat e komunikimit dhe me veprimin e përbashkët të gjithë anëve sipas mënyrave të përvijuara historikisht në përvojën e kulturës gjuhësore të një populli.
Komunikimi kërkon organizimin tërësor të lëndës gjuhësore. Ky është organizimi parësor gjuhësor. Ai është i domosdoshëm për të komunikuar dhe ai e përcakton strukturën e gjuhës dhe zhvillimit të saj.
Qysh në kohët më të lashta njerëzit krijuan bashkësi shoqërore, në të cilat jetonin së bashku e për të jetuar bashkërisht kusht i domosdoshëm është marrëveshja dhe komunikimi me njëri-tjetrin. Prandaj ata qysh në atë kohë krijuan të folurit e artikuluar apo gjuhën si mjet për marrëveshje midis tyre. Gjuha ndikohet në mënyrë të pashmangshme nga zhvillimi i shoqërisë në epoka të ndryshme historike. Zhvillimi i gjuhës është i lidhur ngushtë me zhvillimin e formave të qëndrueshme të bashkësive njerëzore. Këtu është fjala për të parë se si paraqitet dhe si funksionon gjuha në formacionet e ndryshme ekonomiko-shoqërore. Nga ky këndvështrim, sigurisht gjuhëtari depërton edhe në veçoritë e brendshme gjuhësore, që, në fund të fundit, përcaktojnë tiparet e strukturës gjuhësore.
Sa më tepër do të shtyhemi në kohët e mugëta të parahistorisë së shoqërisë, aq më pak të dhëna reale do të kemi për gjuhën. Vështruar në lidhje me rendet ekonomiko-shoqërore, zhvillimi i gjuhës karakterizohet në përgjithësi nga dy procese: diferencimi dhe integrimi ose njësimi. Këto procese kanë drejtime të ndryshme dhe sipas rrjedhojave janë kontradiktore.
Me proces të diferencimit kuptojmë ato ndryshime që shpiejnë në shtimin e dallimeve midis dialekteve ose midis gjuhëve me prejardhje të përbashkët, duke shpurë në ndarje, në degëzim, në formim të gjuhëve në vete. Ndërsa në procesin e integrimit ndodhë e kundërta: ndryshimet në dialektet në gjuhët shpien drejt zbutjes, pakësimit ose rrafshimit të dallimeve, drejt forcimit e mbizotërimit të asaj që është e përbashkët, d.m.th. çojnë në bashkimin, nënshkrirjen e degëzimeve të gjuhës.
Sidoqoftë, në periudhat e mëvonshme të zhvillimit shoqëror, kur kolektivat njerëzore vendosen në një territor të caktuar dhe lidhen ngushtë me këtë territor, zakonisht, bëhet përqendrimi i fiseve me gjuhë të përbashkët. Në rrethana të tilla të reja shoqërore vendosen lidhje më të ngushta, formohen kombësitë dhe gjuhët e popujve. Dallimet gjuhësore të trashëguara nga periudhat e mëparshme fillojnë të zbuten, të rrafshohen në një shkallë të rëndësishme dhe, në kushte të favorshme, në disa raste mbi bazën e njërit prej dialekteve fisnore, është formuar edhe në gjuhë e përbashkët letrare.
Gjuha e përgjithshme që ka dallime dialektore është shprehje dhe dëshmi e prejardhjes së përbashkët. Dialektet territoriale janë degëzime të gjuhës së përgjithshme popullore. Për dialektet e një gjuhe janë karakteristike disa veçori dalluese, nëpërmjet të cilave një dialekt dallohet nga tjetri. Këto dallime shtrihen në të gjitha rrafshet e gjuhës: në fjalor, në fonetikë e në gramatikë. Sot nocionin dialekt e përdorim me kuptimin e së folmes së një krahine a zone të gjerë gjuhësore me veçori karakteristike fonetike, morfologjike, sintaksore, leksikore, fjalëformuese etj. Me fjalën e folme kuptojmë gjuhën që përdorin banorët e një territori më të vogël e madje edhe të një vendbanimi të vetëm si, p.sh. e folmja shqipe e rrethit të Shkupit, e folmja e fshatit Bojanë etj.
Nga e gjithë kjo mund të konkludojmë se gjuha gjithmonë ka pasur dhe do të ketë, në mënyrë permanente, rëndësi të veçantë për njeriun dhe, në përgjithësi, për popullin. Pikërisht ashtu siç thuhet në thënien e urtë “Gjuha është ushqimi i parë i përbashkët që i jep gjallëri popullit”.
Përmblodhi dhe përshtati:
www.studentet.mk