Rrethanori i kushtit shpreh një hipotezë ose kusht, nga plotësimi i të cilit varet plotësimi i veprimit; përdoret kryesisht në gjuhën e shkruar. Në rast alarmi, fikni dritat! Rrethanori i kushtit plotëson gjymtyrë të shprehura me folje që mund të jenë në mënyrën kushtore, në urdhërore ose në dëftore në kohën e ardhme dhe në të tashmen (me kuptimin e së ardhmes). Pra gjithsesi veprimi nuk është kryer në të vërtetë. Ky rrethanor të shumtën e herës del si gjymtyrë e veçuar. Veçimi s’pikat kushtin në fjali. Marrëdhëniet kushtore janë më të qarta kur ky rrethanor është i shoqëruar nga pjesëza vetëm, që thekson kushtin. Rrethanori i kushtit ka pika takimi dhe me kundrinën. Ai mund të plotësojë, sido që rrallë, edhe një emër a mbiemër foljor.
Rrethanori i kushtit shprehet me:
- emër të prirë nga lokucionet parafjalore në rast, në pamundësi: Në rast sulmi nga armiku, tërhiquni në drejtimin tonë dhe, në pamundësi tërheqjeje, sulmoni ballë për ballë,
- emër të prirë nga parafjalët me ose pa: Me kujdes më të madh mund ta prodhojmë edhe këtë aparat. Pa fishekë s’mbahet kalaja. Me mendje të huaja, mjerë këmbët tuaja;
- ndajfoljet ndryshe, përndryshe në periudhë: Do të dilni faqebardhë, ndryshe, mos m’u ktheni në shtëpi, -u tha ajo djalit e vajzës kur i përcolli vullnetarë;
- formë të pashtjelluar mohore ose përcjellore: Përveç kësaj, ai thotë se, duke gërmuar sa më në thellësi, zvogëlohet mundësia e dëgjimit të zhurmës së qysqive nga kështjellarët. S’e arrin dot pa nxituar.
Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe