Rrethanori i lejimit tregon fakt, në kundërshtim me të cilin kryhet veprimi, fakt që pritej të pengonte veprimin, po , fundi i fundit, s’e pengon: Punonte sa për dy veta me gjithë moshën e kaluar. Rrethanori i lejimit del kryesisht i veçuar. Ai shprehet me:
- togfjalësh, gjymtyra kryesore e të cilit është emër i prirë nga parafjala me e fjala gjithë. Të dy trotuaret e mbushura plot derdhin një pjesë të kalimtarëve në rrugë, me gjithë vërshëllimat e paprera të bilbilave të policëve.
- formë të pashtjelluar mohore: Shfrytëzuesit rronin mirë pa punuar.
Shënim. Në gjuhën letrare, sidomos në stilin administrativ, publicistik e shkencor, përdoret gjithashtu një emër, përemër a togfjalësh i prirë nga lokucioni parafjalor pavarësisht nga. Përdorimi i këtij ndërtimi, që vjen nga ndikimi i gjuhëve të tjera, s’është i këshillueshëm, kur është plotësisht i barasvlershëm me një emër, përemër, togfjalësh të prirë nga parafjala me e fjala gjithë: Ata arritën rendimente të larta në grurë, pavarësisht nga moti i keq. Ata arritën rendimente të larta, me gjithë motin e keq.
Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe