Mënyra se si shumica e studentëve studiojnë sot është e pakuptimtë ose jo e menduar mirë, vinë në përfundim psikologët Henry Rodger dhe Mark McDaniel të Universitetit të Uashingtonit. Ata kaluan 18 vite së bashku në analizën e të mësuarit dhe memorizimin, ndërsa zbulimet e tyre i botuan në librin „Make it Sick: The science of Successful Learning“.

Shumica e studentëve mësojnë në atë mënyrë sa që i lexojnë shumë herë shënimet e tyre, tekstet dhe materialet tjera. Megjithatë, kjo është mënyra më e keqe e të mësuarit, shkruan “Vox”. Mënyra më e mirë dhe më efektive për të mësuar është duke punuar me diagrame, harta dhe duke i parashtruar pyetje vetes tonë. Psikologu Mark McDaniel ndan disa këshilla për të mësuar më mirë.

Mos i lexoni vetëm shënimet

McDaniel thotë se shumica e studentëve kanë thënë se kjo është strategjia e tyre kryesore e mësimit, por me hulumtime ai arriti në përfundimin se kjo nuk mund të krijojë kujtesë të përhershme. Vëzhgimi i studentëve tregoi se ata që e lexonin materialin vetëm një herë mbanin mend njëjtë si ata që e lexonin atë dy herë.

Parashtroni shumë pyetje

Një teknikë e mirë e të mësuarit është që të parashtroni pyetje pasi ta keni lexuar tekstin një herë. Kjo është një mbledhje më efektive e informacionit. Nëse i përgjigjeni pyetjes gabimisht, e kuptoni se nuk dini diçka dhe ju mund ta ri-studioni atë, dhe kështu të menaxhoni mësimin tuaj, shpjegon psikologu.

Lidhni informacionet e reja me ato të vjetra

Mundohuni t’i lidhni informacionet kryesore me ato informacione që tashmë i keni të njohura. Jepni shembuj dhe në këtë mënyrë më lehtë do ta mbani mend materialin më të rëndësishëm.

Vizuelizoni informacionet

Një strategji e shkëlqyer është punimi me diagram, me hartë mendore ose modele të ngjashme vizuele të cilat i keni në kokë. Mësimi aktiv, kur ne i japim vetë kuptim informacioneve, luan një rol të madh në memorizimin e informacionit. Thjesht, ai që mëson duhet të jetë i kyçur dhe të angazhohet, jo të jetë pasiv.

Përdorni kartelat e kujtesës

Megjithëse shumica e studentëve atë që tashmë e kanë mësuar e lënë anësh dikun, kjo nuk është e mirë. Në fund të fundit, duhet ta testoni dhe përsëritni atë që tashmë keni mësuar.

Organizoni materialin

Shumë studentë mësojnë përmendësh ngase e presin momentin e fundit e të mësuarit. Kjo është e keqe për kujtesën afatgjate, veçanërisht nëse disa mësime të mëhershme nevojiten për disa më të reja. Është e rëndësishme që të organizohet koha e të mësuarit dhe të përsërisni pak nga pak çdo ditë.

Nuk është e natyrshme që disa lëndë të “mos ju shkojnë”

Ky është qëndrim i gabuar. Ju kufizon që nga fillimi, sepse ju mendoni në atë mënyrë që disa lëndë mund t’i kuptoni dhe mësoni vetëm deri në një shkallë të caktuar, gjë e cila është gabim. Në vend të kësaj, psikologët po u bëjnë thirrje që të përqendroheni në një përmirësim gradual të asaj që mendoni se ajo është ana juaj e dobët. Kushtoni më shumë kohë dhe angazhohuni më shumë për atë lëndë.

Përgatiti dhe përshtati:

WWW.STUDENTET.MK

About Author

Admin_B