Vepra më e mirë që jep fryt dhe shpërblim

Disa prej gjeneratave të para kanë thanë: “Çdo vepër që me të nuk synohet Fytyra e Allahut, humbet.”

Në fillim të çdo vepre dhe të çdo viti, ripërtërihet kujtimi i nijetit. Nijeti e ruan veprën që mos t’i ikën gjurma e saj në dynja dhe shpërblimi në ahiret. Edukimi dhe arsimimi janë më të mirat nga veprat ku gjurmët dhe frytet e tyre shpresohet të shihen në dynja dhe shpresohet në shpërblimin e pandërprerë të tyre në ahiret.

Edukatori i mirëfilltë është mbrojtje për nxënësin

Seid ibn el-Musejib, Allahu e mëshiroftë, një ditë i tha birit të vet: “Do të fali më shumë namaz vullnetar, t’i afrohem më tepër Allahut, që Ai të të ruajë ty. Pastaj e lexoi ajetin: ‘Babai i tyre kishte qenë njeri i mirë…’ (El-Kehf: 82).”

Ajeti tregon se Allahu e ruajti thesarin e dy djelmoshave që ua kishte lënë prindi i tyre e, kur e arritën moshën e pjekurisë, e nxorën atë. Thesari mbeti i paprekur për shkak se prindi ishte njeri i mirë dhe Allahu e shpërbleu për mirësinë e tij.

Ibn el-Munkedir, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Njeriut të mirë Allahu ia ruan djalin, nipin dhe shtëpitë përreth tij, të gjithë ata janë nën mbrojtjen e Allahut.”

Shfaqja e veprës me qëllim që ajo të ndiqet

Pëlqehet shfaqja e veprës së mirë me qëllim që ajo të ndiqet dhe të mësohet. Kjo nuk llogaritet prej syefaqësisë. Syefaqësi është kur vepra bëhet për ta marrë lavdërimin e njerëzve. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, një ditë u fal në minber dhe pastaj tha: “O njerëz! Me të vërtetë unë e veprova gjithë këtë, që ju të më ndiqni mua dhe të mësoni si e fal unë namazin.”[1] [2]

Përputhja e veprave me fjalët

Përputhja e veprave të edukatorit me fjalët e tij dhe bashkimi i dijes me veprën e tij kanë shumë rëndësi për jetën e atij që merr edukatë, sepse përmes shëmbëlltyrës shfaqen idetë dhe rrënjosen bindjet.

Ndërsa atëherë kur vepra e kundërshton fjalën, ai që merr edukatën do të anojë t’i ndjekë dëshirat dhe tekat e tij, do të mësohet me ëndrra të kota dhe do të mburret me gjëra që nuk i posedon, kurse gabimet e tij i arsyeton me pretekstin se mungojnë shëmbëlltyra. Për këtë shkak Shuajbi, alejhi selam, iu drejtua popullit të vet dhe i tha: “Unë nuk dëshiroj të bëj atë që jua ndaloj juve.” (Hud: 88)

Dobi më e madhe se një mijë libra

“Po qe se njerëzit për dhjetë vjet radhazi do të diskutonin për kuptimin e vlerave dhe mjeteve të saj, dhe të botonin njëqind libra lidhur me këtë temë e më pas e vërejnë një njeri të virtytshëm me kuptimet më të drejta të vlerës dhe fillojnë të përzihen dhe të shoqërohen me të, ky njeri i vetëm do të jetë më i dobishëm se gjithë ato diskutime, më i vlefshëm për njerëzit dhe udhëzues më i mirë për në vlerë se njëqind libra, madje se një mijë libra.”[3]

Mungesa e shëmbëlltyrës

Mungesa e shëmbëlltyrës së mirëfilltë e parapërgatit nefsin për t’u lidhur me çdo emër që shkëlqen, qoftë edhe prej atyre që nuk e meritojnë të mirëpriten dhe nderohen, sepse zemrën e ka gjetur të zbrazët dhe zë vend në të. Kjo ishte arsyeja që gjeneratat e para ua mësonin fëmijëve të tyre jetëpërshkrimin e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, qysh në fëmijërinë e hershme.

Alij ibn el-Husejn thoshte: “I mësonim betejat dhe ekspeditat e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, sikur i mësonim suret e Kuranit.”[4]

Pranimi i së vërtetës është vlerë

Në tregimin e banorëve të hendekut (as’habul uhdud)[5], dijetari i tha djaloshit që kishte mësuar tek ai: “O djalosh! Ti sot je më i mirë se unë.”[6] Kjo është një situatë apo rast ku u pranua e vërteta dhe, për këtë shkak, edukatori, qoftë prindi apo mësuesi, duhet ta thotë të vërtetën, me qëllim që t’i japë hapësirë talentit ta marrë hisen e vet prej shpikjeve dhe punës. Modestia, mundja e zilisë, frika nga humbja e talentit dhe se e vërteta është më meritore të ndiqet; të gjitha janë mësime praktike që na i mëson kjo ngjarje.

Babai i vet e mësoi

Tavusi një ditë eci shtrembër, por të bijtë e tij ecën njëjtë si ai,

Ai i pyeti:

– Përse çaloni?

– Ti fillove e ne të pasojmë ty – i thanë ata,

– Ndryshoje ecjen e shtrembër tënden e drejtohu, sepse, kur ti të drejtohesh, drejtohemi edhe ne,

A nuk e di o babai ynë, se çdo degë ecën hapave të atyre që i kanë edukuar,

Ndërsa ne si fëmijë rritemi, ashtu siç na mësoi babai.

Fëmijët dhe nxënësit i vështrojnë fjalët dhe veprat e edukatorit e më pas e pasojnë atë. Kujdes! Shikoje veten!

Përgatitja e objektivit

Objektivi i qartë në mendjen e edukatorit dhe përkujtimi i tij në situata të përditshme e ka rëndësinë më të madhe në procesin edukator. Ai është shkaku kryesor që çon në shfrytëzimin e ndodhive dhe sqarimin e tyre, duke qenë se e rrënjos bindjen në objektivin dhe i përkrah domethëniet e tij.

Dallimi në mes mësuesit dhe edukatorit

Edukata nuk është transmetim i informacioneve të dobishme prej brendësive të librave në mendjet e nxënësve, derisa ajo të bëhet pjesë e memories së tyre, por synon mbjelljen e këtyre informacioneve në sjelljet e tyre, derisa ajo të bëhet pjesë e personaliteteve të tyre. Pikërisht ky është dallimi në mes mësuesit dhe edukatorit.

Edukatori patjetër duhet të përkujdeset për veten

E rëndësishme për edukatorin është të përkujdeset për veten dhe t’i vendosë pikat e dobëta të tij nën llupë precize, që të mos ngjyroset me to ai që e merr edukatën prej tij (nxënësi apo fëmija etj.) pa qëllim. Thuhet një fjalë: “Morali është me karakter tejkalues.”

Zhvilloje veten tënde

Edukatori i cili nuk e avancon veten dhe nuk e shton dijeninë e tij është sikur thotë imam Abdurrahman el-Mehdij, Allahu e mëshiroftë, për ata dijetarë të hadithit që përkushtohen me transmetimin e hadithit a, në anën tjetër, nuk merren me shtimin e dijenisë. Ai tha: “Dijetari i hadithit është sikur ndërmjetësuesi në shitblerje. Nëse mungon për pesë ditë në treg, i ikin atij çmimet e tregut.”

Te nxënësi apo fëmija lë gjurmë negative ndjenja se edukatori është harxhuar në dijeni.


[1] Buhariu dhe Muslimi.

[2] El-Kaulu el-Mufid, Ibn Uthejmin.

[3] Vahjul Kalemi, Er-Rafiij.

[4] Xhami’ li ahlak er-ravij.

[5] Kjo histori është përmendur në suren el-Buruxh, në ajetet 4 deri 9, ndërsa i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, në “Sahihun” e Imam Muslimit, hadithi nr. 7148, e rrëfeu më detajisht. Allahu i Lartësuar thotë: “Mallkuar qofshin njerëzit e Hendekut, zjarrit (të ushqyer) me lëndë djegëse, kur rrinin ulur rreth tij, duke dëshmuar atë që po u bënin besimtarëve! Ata i munduan besimtarët, vetëm pse këta i besuan Allahut, të Plotfuqishmit, të Denjit për çdo lavd, të Cilit i përket pushteti i qiejve dhe i Tokës dhe që është Dëshmitar i çdo gjëje.” (El-Buruxh: 4-9). “Njerëzit e Hendekut”: Në rrëfim bëhet fjalë për një mbret i cili veten e llogariti për zot dhe i detyronte të tjerët të besonin një gjë të tillë. Mirëpo do të përballet me një djalosh i cili e besoi Allahun Një, i Cili i Vetmi e meriton adhurimin, i përballoi të gjitha mundimet që iu bënë, duroi dhe e sakrifikoi veten, duke bërë që njerëzit e fshatit ta besonin Allahun dhe ta mohonin çdo besim tjetër. Mbreti, kur e pa se njerëzit po e mohonin si zot dhe po i besonin Allahut, hapi hendeqe dhe ata që i besonin Allahut i hidhte në zjarr, ku digjeshin të gjallë dhe bëheshin hi, mirëpo kjo nuk i kthente nga besimi i tyre. E flijonin jetën për ahiretin e tyre. (sh.p.)

[6] Muslimi.

Irfan Jahiu

WWW.STUDENTET.MK

About Author

Admin_F

Previous Post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *