Hartimi i tekstit të historisë së letërsisë së një kombi është çështje e ndërlikuar që kërkon një punë të mirëfilltë shkencore të institucioneve përkatëse të specializuara për studimin e kësaj problematike. Ndërliqësia është pasojë e shumëllojshmërisë së qasjeve metodologjike që zbatohen sot për studimin e letërsisë, si edhe e faktorëve letrarë dhe jashtëletrarë që kanë ndikuar në zhvillimin specifik të të gjitha letërsive kombëtare të popujve të ndryshëm.

Si metodologjia ashtu edhe faktorët veprues për zhvillimin e letërsisë paraqesin problematikë të paqëndrueshme dhe nje varg dilemash, që duhet të zgjidhën me shumë kujdes gjatë procesit të studimit dhe të identifikimit të strukturave relevante që përfaqësojnë prodhimin e përgjithshëm letrar të një kombi, duke pasur parasysh etapat e zhvillimit të këtyre strukturave dhe llojet e veçanta të krijimeve letrare. Kështu, periodizimi i një letërsie kombëtare, si edhe klasifikimi i gjinive dhe llojeve letrare në procesin e tyre evolutiv brenda etapave zhvillimore paraqet një nga nyjat që duhet zgjidhur me kujdes para se të trajtohen çështjet e tjera të veçanta të historisë së letërsisë. Gjithashtu duhet pohuar se për historinë e letërsisë së një populli është me shumë rendësi edhe zanafilla e krijimit të traditës letrare, e cila do të jetë objekt i studimit në të gjitha periudhat zhvillimore të një letërsie. Dihet kaherë se letërsisë së kultivuar apo të shkruar tek të gjithë popujt i ka paraprirë një lloj i krijimtarisë artistike që përbën zanafillën e traditës. Ky lloj i krijimtarisë së pasinkretizuar në fushën e studimeve të përgjithshme të vlerave artistike të popujve është quajtur folklor, kurse dija për të quhet sot folkloristikë. Pra, tek të gjithë popujt letërsisë së shkruar i ka paraprirë folklori që mbështetet kryesisht në filozofinë dhe ndjeshmërinë popullore, të bazuar në shprehjen e folur, në tingujt e muzikës vokale e instrumentale dhe në lëvizjet ritmike, që përfaqësojnë trajtat e veçanta të vallëzimit.

Folkori, sipas kuptimit të sotëm, që zgjerohet pothuaj se në vazhdimësi në drejtim të etnologjisë dhe antropologjisë, përfshin edhe aspekte të tjera të jetës shoqërore dhe përgjithësisht të qytetërimit të popujve, duke u lidhur në të gjitha segmentet që e përbëjnë traditën e tij kulturore, pa të cilën nuk mund të dëshmohet veçanësia e identitetit të një populli. Brenda folklorit, si koncept i përgjithashëm, dhe folkloristikës, si fushë e dijes për të, rëndësi të veçantë ka arti i fjalës që është quajtur fillimisht letërsi popullore. Shpehja e këtillë për shkak të raporteve të caktuara të bashkëveprimit të gjuhës shqipe me gjuhët neoloatine është përdorur që në krye të herës në traditën shqiptare. Më vonë edhe në gjuhën tonë, njësoj si edhe tek popujt e tjerë, kanë filluar të përdorën edhe terma të tjera, midis të cilave vlen të përmenden ato: letërsi anonime, që lidhet me periudhën e studimeve për të ashtuquajturën çështje homerike, pastaj letërsi gojore (orale), që ka të bëjë me formën e bartjes dhe të ruajtjes, letërsi tradicionale, që dëshmon traditën si kuptim i veçantë dhe letërsi folkorike, që lidhet me konceptine përgjithshëm të folklorit, që është përcaktues i saj.

Në traditat studimore të letërsisë së popujve të ndryshëm përdoret edhe termi folkor letrar, njësoj siç përdoret edhe termi folklor muzikor për të dëshmuar muzikën popullore. Pa marrë parasysh çështjet e diskutueshme terminologjike, si edhe konceptin e një pjese të folkloristikës bashkëkohore, që nuk e pranon ndarjen e strukturave folklorike, prandaj edhe kuptimin e letërsisë popullore, jashtë folklorit ose folklorizmit, një pjesë e madhe e traditave të popujve të ndryshëm tekstin e fiksuar, të botuar, të krijimit folklorik e quan letërsi popullore ose gojore dhe e studion duke zbatuar edhe kriteret e veçanta vlerësuese që zbatohen për letërsinë e shkruar. Këtë çështje e kanë trajtuar me kujdesin e duhur edhe teoricinët më të njohur të letërsisë, midis të cilëve shquhen Rene Veleku dhe Austin Vareni, të cilët pohojnë se “studimi i letërsisë gojore është pjesë e pandashme e studimit të letërsisë, sepse nuk mund të ndahet nga studimi i letërsisë së shkruar dhe se midis letërsisë së shkruar dhe asaj të folur ka një bashkëveprim të përhershëm”.

Duke çmuar rëndësinë e lëtërsisë popullore për studime letrare, përgjithësisht, për hartimin e historisë së letërsisë, në veçanti, këta dy autorë, pos të tjerave, pohojnë: “studimi i letërsisë gojore mbetet një detyrë kryesore për çdo studiues të letërsisë, që deshiron të kuptojë proceset e zhvillimit të letërsisë, origjinën dhe afirmimin e zhanreve e të mjeteve artistike të sotme të letërsisë” 6 Popujt me origjinë të hershme, që në periudhat e mëvonshme historike i kanë përjetuar shekujt e shumtë të robërisë, siç ndodh edhe me popullin tonë dhe me disa nga fqinjët e tij ballkanikë, për shkak të rrethanave të veçanta të jetës së tyre, e kanë kultivuar dhe ruajtur për një kohë relativisht të gjatë letërsinë popullore, të cilën e kanë pasur si formë të vetme të traditës njohëse dhe argëtuese, prandaj edhe të identitetit të tyre kulturor.

Duke përkujtuar traditën mitologjike helene, që është bërë pjesë e kulturës së përgjithshme evropiane, do të theksojmë se edhe popujt e tjerë të Ballkanit, sidomos sllavët e jugut: serbet, bullgarët, kroatet e boshnjakët i kanë kushtuar dhe vazhdojnë t’i kushtojnë kujdes të veçantë letërsisë popullore, duke e trajtuar si lëndë të veçantë mësimore në fakultetet e filologjisë dhe duke hartuar studime të veçanta, madje edhe tekstet universitare për historinë e letërsisë popullore.

Burimi: HISTORIA E LETËRSISË SHQIPE

Përgatiti dhe përmblodhi:
WWW.STUDENTET.MK

About Author

Admin_S

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *