Hendeku në mes prindërve dhe fëmijëve

Me të vërtetë i çuditshëm është fakti se shumë baballarë dhe nëna, edhe përskaj se qëndrojnë gjatë kohë me fëmijët, nuk diskutojnë me ta dhe nuk i dëgjojnë, por atyre u mjafton vetëm t’i urdhërojnë dhe t’i ndalojnë. Ky është ai hendeku që i lë gjurmët më të këqija në të ardhmen edukative të fëmijëve.

Folju njerëzve me gjuhën që e kuptojnë

Imam esh-Shatibiu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Përmendja e meseleve shkencore atij që nuk i përket asaj fushe, apo përmendja e meseleve të mëdha atij që mendja e tij nuk mund të bartë përveç mesele të vogla, bie në kundërshtim me edukatën që ligjërohet dhe kërkohet. E, nëse ndodh, atëherë çon në fatkeqësi. Më e mira që është thënë janë fjalët e Aliut, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili tha: ‘Foljuni njerëzve me gjuhën që e kuptojnë. Vallë a dëshironi që ata ta përgënjeshtrojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të.’ Për këtë shkak dijetari gjatë procesit edukativo-shkencor duhet të përqendrohet në këto kuptime, përndryshe ai nuk do të llogaritet edukator dhe më e rënda është se ai vetë do të ketë nevojë për dijetar që do ta edukojë.”76

Edukata është më e gjerë se kaq

Te disa edukatorë përkujdesja më e madhe e tyre është rreth përmirësimit të gabimeve dhe përcjellja e devijimeve. Realisht edukata është më e gjerë se kaq. Ajo është përsëritje e mësimit nga ana e mësuesit, mësim, formim, ndërtim, mbjellje e pikëpamjeve të drejta në shpirtra nëpërmjet shëmbëlltyrës së mirë, këshillës që ndikon, dialogut bindës dhe rrëfimit kuptimplotë.

Edukata fillimisht e synon largimin e devijimeve para se të ndodhin ato dhe po ashtu angazhohet në largimin e devijimeve pasi të ndodhin ato.

Harmonizimi i qëndrimeve

Prej gjërave që shkaktojnë çrregullime edukative është kur dy prindërit kanë qëndrime të ndryshme karshi veprimeve të fëmijës, i cili në këtë rast e ndien se gjërat nuk paskan kriter të veçantë. Ajo që të shtang në këtë rast është kur njëri prej prindërve fshehurazi e përkrah fëmijën ta kundërshtojë prindin tjetër, apo ia mbulon devijimet dhe gabimet e tij sepse frikohet për të, apo i shkon për qejfi atij deri në atë shkallë saqë ta shohë të kotën të vërtetë, gabimin e tij të saktë, e kështu të vështirësohet përmirësimi i tij dhe të jetë i pamundur drejtimi i tij.

Konsulta

Allahu thotë: “Por, nëse pas këshillimit, ata vendosin me pëlqim të ndërsjellë që ta ndajnë fëmijën nga gjiri, kjo nuk është gjynah për ata.” (El-Bekare: 233)

Për ta ndarë fëmijën nga gjiri i nënës para se t’i mbushë dy vjet, prindërit duhet të konsultohen në mes vete dhe të bien në ujdi që kjo është më e mira për fëmijën. Pasi konsultimi këtu qenka me rëndësi, vallë sa me rëndësi është konsultimi rreth asaj që lë më shumë gjurmë se çështja e lartpërmendur, sikurse konsultimi për mjetet edukative të përshtatshme dhe studimin e shkaqeve të devijimit dhe të dështimit?

Luksi e vret edukatën

Me rëndësi është të mos i vrasim ambiciet te fëmijët tanë duke e tepruar me plotësimin e çdo gjëje që ata e dëshirojnë, sikur blerja e makinave, dhënia e të hollave etj. Patjetër kanë nevojë ta kuptojnë se, para se t’u plotësohen dëshirat, ata duhet të mundohen dhe të punojnë. Luksi e vret edukatën serioze dhe e dobëson vullnetin.

Pasojat e angazhimit në llogari të kujdesit të fëmijëve

Kur prindi angazhohet me punë duke e lënë anash kujdesin për fëmijët e tij, kjo e rrit mundësinë që fëmijët të mbyllen në vetvete apo të bien në krim. Psikiatrit kanë konstatuar që kur prindi i fëmijës mungon, fëmija sajon rrëfime në mendjen e tij që ta kompensojë mungesën shpirtërore që e mundon. Për këtë shkak te disa fëmijë zhvillohen probleme psikike dhe çrregullime shpirtërore.

Konflikt i rrejshëm

Nëse baballarët e llogarisin lidhjen e tyre me fëmijët si lidhje konflikti, duhet pasur parasysh se fëmijët kanë më shumë forcë dhe kohë për t’i rezistuar presionit se prindërit. Kjo betejë mund të fitohet vetëm atëherë kur i përfitojmë fëmijët, edhe atë:

– Duke i dëgjuar me përkujdesje dhe duke ua shprehur atyre dashurinë.

– Duke u larguar nga ofendimi dhe akuzimi i tyre, kërcënimi i vazhdueshëm, apo duke bërë lutje kundra tyre.

– Duke u fokusuar në kritikën e sjelljes dhe jo të vetë personit.

Irfan Jahiu

WWW.STUDENTET.MK

About Author

Admin_F

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *