Kuptimi i menaxhimit të parave dhe investimi i duhur mundëson pavarësi dhe stabilitet financiar.

Format e ndryshme të kursimit dhe investimit, përfshirë pasuritë e paluajtshme dhe fondet financiare, kërkojnë një qasje dhe strategji individuale.

Në një kohë tregjesh të pasigurta, pyetja se si të menaxhohen paratë me mençuri shtrohet gjithnjë e më shpesh.

Cili është vendi më i zgjuar për të investuar sot, cilat gabime duhen shmangur dhe si të merren vendime financiare cilësore, i shpjegon eksperti financiar dhe redaktori i portalit “Kamatica”, Dushan Uzelac.

“Sot, më shumë se kurrë, jemi nën presion për të fituar aftësi të ndryshme, sepse bota po ndryshon. Menaxhimi i financave është një aftësi që bën dallimin mes një jete të mirë dhe një jete jo aq të mirë”, tha redaktori i “Kamatica” për RTV.

Si të arrihen paratë

Uzelac shpjegon se dikur njohuritë bazë lidheshen me mbijetesën, si të gjuaje ushqim apo të ndezësh zjarr , ndërsa sot njohuritë financiare janë thelbësore.

“Si të fitohen paratë, si të shpërndahen me mençuri dhe si të menaxhohen në afat të gjatë, të gjitha këto janë pyetje reale dhe shumë të rëndësishme.”

Duke folur për investimin, Uzelac thekson:

“Investimi është si noti. Gjithmonë duhet të lageni. Nuk mund të mësohet vetëm nga librat apo teoria. Investimi është në thelb një marrëdhënie,nuk është transaksion, por një raport në të cilin ia besoni paratë tuaja një pale tjetër, dhe duhet të bashkohen dy gjëra: kuptimi dhe besimi. Nëse nuk e kuptoni se si paratë tuaja prodhojnë para, por thjesht besoni se do të jetë mirë, kjo quhet bixhoz.”

Prandaj, investimi është më shumë një marrëdhënie dhe duhet ta kuptoni procesin edhe nëse nuk keni shumë kapital.

A është e nevojshme të keni shumë para për të investuar?

Në pyetjen nëse duhet të keni shumë para për të investuar, Uzelac përgjigjet:

“Mund ta bëni edhe me shuma më të vogla. Investimi është më shumë një marrëdhënie dhe duhet ta kuptoni procesin edhe nëse nuk keni shumë kapital. Përmes investimit fitoni njohuri për menaxhimin e financave.”

Një nga përkufizimet e tij praktike është:

“Investimi ju çliron nga puna. Nëse një pjesë e parave tuaja kthehet përmes investimit, nuk keni më nevojë ta fitoni atë pjesë duke punuar. Nëse merrni një mijë dinarë nga investimi, ato janë një mijë dinarë për të cilët nuk duhet të punoni.”

Uzelac shpjegon edhe rëndësinë psikologjike të investimit:

“Me investimin mësoni si qarkullojnë paratë. Kur e dini që diçka sjell 10 për qind në vit, çdo shpenzim bëhet më i kontrolluar sepse humbni fitim potencial. Gjithashtu, investimi është ende një fushë e re në këto zona. Njerëzit shpesh nuk nisin nga këndi i të mësuarit, por nga mosbesimi dhe përvojat e këqija nga e kaluara. Kjo ka krijuar një ngërç. Ndonjëherë kam përshtypjen se nuk na mësojnë qëllimisht si të investojmë.”

Mënyrat e kursimit

Uzelac këshillon që në baza mujore të përcaktojmë një shumë parash që do ta “harrojmë” dhe do ta lëmë mënjanë. Pas kësaj lind pyetja : çfarë të bëjmë me tepricën? Bankë, ar, fonde, bursë apo ndonjë biznes , gjithçka varet nga preferencat personale dhe besimi. Të gjitha qasjet janë legjitime.

“Nëse kurseni në bankë dhe norma e interesit është tre për qind, ndërsa inflacioni pesë, humbni dy për qind, kjo është matematikë e pastër. Investimi është i disponueshëm për të gjithë, por jo të gjithë janë të gatshëm t’i qasen. Prandaj them se secili duhet të ‘stërvitet’ në investim, duke mësuar procesin pa rrezik real.”

Në fund, kur bëhet fjalë për investime konkrete, Uzelac përfundon:

“Gjithçka varet nga qëndrimi ndaj rrezikut. Rreziku është kategori individuale, disa e perceptojnë në një mënyrë, disa ndryshe. Mund të investoni në aksione, fonde, pasuri të paluajtshme, një copë tokë apo madje të mbillni një pyll dhe të prisni 20 vjet. Matematika është e thjeshtë, por gjithçka që ju sjell gjumë të qetë është zgjedhja e duhur.”

Përgatiti dhe përshtati:

WWW.STUDENTËT.MK

About Author

Admin_F

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *