1. Përkujdesja për ndjenjat e nevojtarit i cili nuk lyp nga njerëzit:

Myslimanit mund t’i ndodhë që të kalojë nëpër halle dhe kriza të ndryshme materiale, por e ruan fytyrën dhe veten, nuk bëhet lypsar. Në raste të këtilla, myslimanët e kanë për detyrë t’i ndihmojnë dhe t’ia plotësojnë nevojat atij, nuk duhet ta lejojnë që vëllai i tyre të bëhet lypsar, por t’ia ruajnë nderin dhe fytyrën e tij.

Ebu Seid El-Hudrij, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Derisa ishim në udhëtim me Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, erdhi një njeri i hipur mbi kafshën e tij, e kthente kokën në të djathtë dhe në të majtë (se kush do t’i jepte ushqim dhe do ta ndihmonte). Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: ‘Kush posedon ndonjë kafshë tepricë, le t’ia japë atij që nuk ka kafshë, kush posedon ushqim tepricë, le t’ia japë atij që nuk ka ushqim.’ (Transmetuesi thotë) Pastaj Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i përmendi disa lloje të pasurive, derisa na vërtetoi që asnjëri nga ne nuk paska hak në ato tepricat e pasurive që i posedonim.”

Imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë, rreth dobive të këtij hadithi thotë: “Hadithi nxit për sadaka, bujari dhe përkrahje, për bamirësi ndaj shoqëruesve dhe shokëve, për përkujdesje ndaj dobive të shokëve, si dhe e nxit prijësin e popullit t’i ndihmojë nevojtarit. Për ta kuptuar nevojën e nevojtarit mjafton edhe që ai ta ekspozojë veten pa lypur dhe ky është kuptimi i fjalëve në hadith: ‘e kthente kokën në të djathtë dhe në të mjatë’, d.m.th. e kërkonte dikë që do t’i ndihmonte ta largonte nevojën e tij. Po ashtu hadithi nxit për ta ndihmuar udhëtarin, t’i jepet lëmoshë nëse ka nevojë, edhe nëse ka kafshë dhe me vete rroba ose është pasanik në vendin e tij. Prandaj në raste të tilla i jepet nga zeqati i myslimanëve. Allahu e di më së miri.”

Nga cilësitë e udhëheqësit të suksesshëm janë vështrimi me kujdesje i fytyrave të shokëve, kuptimi i personaliteteve të tyre, sjellja me ta sipas rrethanave, mbulimi i tyre që të mos vijë çështja deri në atë nivel, saqë të detyrohen ta deklarojnë një gjë që turpërohen, si lypja e nevojtarit dhe të ngjashmeve me të.

Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Pasha Allahun, që vetëm Atij i takon adhurimi dhe askujt tjetër, isha i uritur aq shumë derisa shtrihesha për tokë dhe nga uria e madhe e lidhja gurin për barkun tim. Një ditë u ula në rrugën që e frekuentonin njerëzit, ndërkohë kaloi Ebu Bekri dhe e pyeta për një ajet në Kuran, nuk kisha interesim për pyetje, shpresoja t’ia tërhiqja vëmendjen të më ftonte për ushqim, por ai kaloi dhe nuk më ftoi. Pas tij kaloi Omeri, e pyeta për një ajet në Kuran, nuk kisha interesim për pyetje, shpresoja t’ia tërhiqja vëmendjen të më ftonte për ushqim, por edhe ai kaloi dhe nuk më ftoi. Më vonë kaloi Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, u buzëqesh kur më pa, sepse ma kuptoi gjendjen nga pamjet e fytyrës sime. Më tha: ‘O Ebu Hurejra!’ I thashë: Jam në shërbimin tënd o I Dërguari i Allahut. Më tha: ‘Eja me mua.’ Ai ecte, unë i shkoja pas. Kur arriti në shtëpi, mori leje të hynte dhe pasi që iu dha leja kërkoi nga unë të futesha brenda. Brenda në shtëpi gjeti qumësht në enë dhe tha: ‘Prej nga erdhi ky qumësht?’ I thanë: ‘Erdhi dhuratë nga filani apo filanja.’ Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: ‘O Ebu Hurejra!’ I thashë: Jam në shërbimin tënd o I Dërguari i Allahut. Më tha: ‘Shko deri tek ‘ehlu sufah’ dhe ftoji të vijnë.’ Ebu Hurejra thotë: ‘Ehlu Sufah janë ata myslimanë që nuk kishin vendstrehim e as pasuri. Kur Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i vinte ndonjë lëmoshë ua dërgonte atyre dhe vetë nuk merrte asgjë nga ajo, ndërsa kur i shkonte ndonjë dhuratë ua dërgonte atyre dhe vetë merrte nga ajo.’ (Ebu Hurejra thotë) Kjo më bëri të mendoja me vete dhe të pyesja: Ky qumësht çfarë u mjafton atyre? Unë jam më meritori të pi nga ky qumësht dhe të forcohem! Kur ata të vijnë te Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ai do të më urdhërojë që t’u shërbej, kështu ndoshta nuk do të mbetet gjë për mua. T’i bindem Allahut dhe Të Dërguarit të Tij,

lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e kam për detyrim. Shkova i ftova, pasi që erdhën kërkuan leje të hynin dhe pasi që iu dha leja secili u ul në vendin e vet. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: ‘O Ebu Hurejra.’ I thashë: Jam në shërbimin tënd, o I Dërguari i Allahut. Më tha: ‘Merre qumështin shërbeju.’ E mora enën me qumësht dhe fillova të shërbeja. Ia dhashë njërit, ai piu derisa u ngop, pastaj enën ma ktheu prapë. Ia dhashë tjetrit me radhë, ai piu derisa u ngop, pastaj enën ma ktheu prapë. Pastaj ia dhashë tjetrit me radhë, ai piu derisa u ngop, pastaj enën ma ktheu prapë. Vazhdova kështu derisa i erdhi radha Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ndërkohë të gjithë kishin pirë dhe ishin ngopur. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e mori enën në dorë, shikoi në mua, u buzëqesh dhe më tha: ‘O Ebu Hurejra!’ I thashë: Jam në shërbimin tënd o I Dërguar i Allahut. Më tha: ‘Mbetëm vetëm unë dhe ti.’ E vërtetë, o I Dërguari i Allahut. ‘Ulu pi,’ – më tha. U ula piva, kurse ai më tha: ‘Vazhdo pi.’ Unë vazhdoja të pija, kurse ai nuk ndalej duke më thënë të vazhdoja derisa i thashë: Pasha Atë që të dërgoi me të vërtetën, nuk mundem më, nuk kam vend në lukth. Pastaj më tha: ‘Ma jep mua.’ Ia dhashë enën dhe e falënderoi Allahun, e përmendi Allahun (tha bismilah) dhe piu nga qumështi që kishte mbetur.”

Ibën Haxheri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Tek imam Tirmidhiu hadithi ka ardhur me këto fjalë: ‘Kur i parashtroja pyetje Xhafer ibën Ebi Talibit, nuk më përgjigjej derisa të shkoja me të në shtëpinë e tij’.”

Fjalët e Ebu Hurejrës në hadith:

“dhe ”; nënkuptojnë në vete.

“Ky qumësht çfarë u mjafton atyre?”; për qëllim e kishte se qumështi ishte shumë pak në krahasim me numrin e ehlu sufah. Në një transmetim tjetër: “Ku i del ky qumësht ehlu sufas.”

“e mori enën në dorë, shikoi në mua dhe u buzëqesh”; sipas një trasmetimi tjetër: “e ngriti kokën e tij dhe u buzëqesh”; do të thotë që Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e përqendroi shikimin e tij në Ebu Hurejrën, a ky në vete mendonte se nuk do të mbetet diçka nga qumështi, dhe kjo e bëri Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, të buzëqeshej me të, t’ia bënte me dije se nuk i ka humbur gjë nga qumështi, edhe përskaj frikës që e kishte Ebu Hurejra se do të mbetej duarthatë.

2. Përkujdesja për ndjenjat e nevojtarëve nëse rrezikohen që t’ua shtrijnë dorën njerëzve dhe mbrojtja e tyre nga kjo përbuzje:

Amru ibën Auf, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e dërgoi Ebu Ubejd ibën El-Xherah, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, në Bahrejn për ta

sjellë xhizjen. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, me banorët e Bahrejnit pati nënshkruar marrëveshje për paqe dhe për udhëheqës të tyre e pati emërtuar El-Ala ibën El-Hadremij, Allahu qoftë i kënaqur prej tij. Kur erdhi Ebu Ubejde me të hollat nga Bahrejni, ensarët kishin dëgjuar për ardhjen e tij. Në mëngjes shkuan në xhami për namazin e sabahut dhe e falën bashkërisht me Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të. Pas namazit Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, u ngrit të shkonte, por ata i dolën përpara. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, u buzëqesh kur i pa dhe iu tha: “Besoj që keni dëgjuar për ardhjen e Ebu Ubejdes me diçka nga Bahrejni.” I thanë: “Po, o I Dërguar i Allahut.” Iu tha: “Përgëzohuni dhe shpresojeni atë që ju gëzon…”

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, iu parapriu atyre me fjalët e tij: “ ‘Besoj që..’, e pastaj iu tha: ‘Përgëzohuni dhe shpresojeni atë që ju gëzon…’; kjo ishte lehtësim për ta nga gjendja e rëndë që e kishin dhe përgëzim se atë që e shpresojnë do t’u vijë shumë shpejt’.”

Irfan Jahiu

WWW.STUDENTET.MK

About Author

Admin_F

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *