1. Përkujdesja për ndjenjat e atyre që e duan të mirën, por nuk munden ta veprojnë, nga pamundësia ose dalja në rrugë e ndonjë pengese:
Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “Allahu, atij që del në luftë për hir të Tij dhe dalja e tij vjen vetëm për shkak besimit të tij në Allahun dhe në Të Dërguarin e Tij, i garanton se do ta kthejë me atë që e fitoi nga shpërblimi, ose plaçkat e luftës, ose do ta futë në Xhenet. Sikur mos ta rëndoja umetin tim, s’do ta lija prapa ndonjë ekspeditë që lufton për hir të Allahut, por nuk po gjej mjet që i bart dhe as transport. Po më vjen rëndë që ata të mbeten pas meje.”
Xhabir ibën Abdullah, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Ishim me Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, në një nga betejat dhe na tha: ‘Disa burra në Medine nuk ishin me ju, por çdo rrugë që e keni ecur dhe çdo luginë që e keni kaluar, ata kanë qenë me ju. I pengoi sëmundja që të vinin me ju’.”
Ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, thotë: “Othmani, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, mungoi në luftën e Bedrit për shkak se gruaja e tij, e cila ishte vajza e Pejgamberit, lavdërimi dhe
paqja e Allahut qofshin për të, u sëmur. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, në këtë rast i tha: ‘Ti e ke shpërblimin e një burri që mori pjesë në luftën e Bedrit dhe të takon hise nga plaçkat e luftës’.”
2. Përkujdesja për ndjenjat e atij që mundohet ta veprojë një të mirë, mirëpo ia tejkalojnë të tjerët dhe e veprojnë para tij, ose ai vetë nuk arrin ta përsosë atë:
Abdurrahman ibën Aufi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Qëndroja në rreshtin e parë në ditën e Bedrit, kur shikova në të djathtën dhe në të majtën time, e pashë se isha në mes të dy ensarëve të rinj në moshë. Kur i pashë sa të rinj ishin, dëshirova të isha në mes të dy burrave më të fortë se ata. Njëri prej tyre ma bëri me sy dhe më tha: ‘Xhaxha, a e njeh Ebu Xhehlin?’ I thashë: Po, por ty çfarë të duhet ai, nipi im. Më tha: ‘Më lajmëruan që ai po e ofendon Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, pasha Atë që shpirti im është në Dorën e Tij, nëse e shoh atë nuk do t’i ndahem atij derisa njëri nga ne të vdesë i pari.’ Këto fjalë të tij më mahnitën. Pastaj edhe tjetri ma bëri më sy dhe m’i tha po të njëjtat fjalë sikurse shoku i tij. Pas pak e pashë Ebu Xhehlin duke ecur nëpër njerëz dhe iu thashë: A po e shihni, ky është ai që po e kërkoni. Nxituan të dy së bashku drejt tij dhe i ranë me shpatë derisa e vranë. Pastaj shkuan te Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e lajmëruan për vrasjen e tij, ndërsa ai iu tha: ‘Cili nga ju të dy e vrau’ Të dytë i thanë: ‘Unë e vrava atë.’ Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, iu tha: ‘A i keni fshirë shpatat?’ I thanë: ‘Jo, o I Dërguar i Allahut.’ I mori shpatat t’i shikonte dhe tha: ‘Vërtetë, të dytë e keni vrarë.’ Plaçkat e tij ia ndau Muadh ibën Amru ibën El-Xhemuh. Kurse dy të rinjtë quheshin Muadh ibën Amru ibën El-Xhemuh dhe Muadh ibën Afra.”
Abdullah ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, rrëfen: “Më kishte dërguar Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, në një ekspeditë ushtarake80, por kur ushtarët nisën të iknin nga armiku, ika edhe unë. Kur u takuam me njëri-tjetrin thamë se si të veprojmë tani kur ikëm nga fushëbeteja dhe e merituam zemërimin. Thamë të hyjmë në Medine fshehurazi që të mos na shohë askush. Pasi që hymë i thamë njëri-tjetrit më mirë të shkojmë te Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, nëse ka për neve pendim do të qëndrojmë, e nëse nuk ka falje do të largohemi prej këtu. Para namazit të sabahut shkuam u ulëm para shtëpisë së Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, derisa doli për në namaz dhe i thamë: Ne jemi ata që ikëm dhe dezertuan. U nis drejt neve dhe tha: ‘Jo, ju jeni kthyer që të sulmoni përsëri ose t’i bashkëngjiteni grupit tjetër të besimtarëve.’ Iu afruam Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe ia puthëm dorën. Ai na tha: ‘Unë jam grupi (tjetër) i besimtarëve’.”
Në librin Avnu El-Mabud, autori El-Adhim Abadij, për fjalët e hadithit: “ ‘Jo, ju jeni kthyer që të sulmoni përsëri ose t’i bashkëngjiteni grupit tjetër të besimtarëve.’; thotë që këto fjalë nënkuptojnë
që ju jeni kthyer për të sulmuar përsëri.” Kurse El-Hatabij për fjalët e hadithit: “ ‘Unë jam grupi (tjetër) i besimtarëve’; thotë që me këto fjalë ua lehtësoi arsyetimin e tyre. Ky është komenti i fjalës së Allahut: “…ose për t’u bashkuar me një grup tjetër…” (El-Enfal: 16)”
3. Përkujdesja për ndjenjat e atyre që dështojnë, të cilët dëshirojnë të veprojnë mirë, por nuk e patën mundësinë edhe përskaj përpjekjes së tyre:
Abdullah ibën Amru, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, përcjell se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Çdo grup luftëtarësh ose ekspeditë ushtarake e cila lufton në rrugë të Allahut, i fiton plaçkat e luftës dhe mbetet gjallë, i përshpejtohen dy të tretat e shpërblimit të tyre. Dhe çdo grup luftëtarësh ose ekspeditë ushtarake e cila lufton në rrugë të Allahut, por dështon (nuk mund t’i marrë plaçkat e luftës) dhe goditet, e merr shpërblimin e plotë (në ahiret).”
Amru ibën Abeseh, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë që e dëgjova Të Dërguarin e Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, duke thënë: “Çdo mysliman që gjuan me shigjetë në rrugë të Allahut dhe ajo e arrin armikun, e qëlloi atë apo jo, e merr shpërblimin sikur të lirojë një skllav nga bijtë e Ismailit.”
Seleme, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se kishin dalë me Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, për në Hajber. “Ndërkohë njëri prej tyre tha: ‘O Amir, lexona gjë nga poezitë e tua.’ (Pasi i recitoi disa vargje) Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, pyeti: ‘Kush është ai që po e nget devenë dhe po reciton?’ I thanë: ‘Amiri.’ ‘Allahu e mëshiroftë!’ – iu tha Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të. Thanë: ‘O I Dërguar i Allahut, po lutesh për të që të bjerë dëshmor, sikur të mbetej të dëfreheshim me të edhe pak?!’ Në mëngjesin e asaj nate u godit (rastësisht me shpatën e tij e cila iu kthye kah vetja) dhe nga plaga e marrë ndërroi jetë. Disa thanë: ‘I humbi veprat, sepse e mbyti veten.’ Kur u ktheva (e thotë transmetuesi Seleme) ata ishin duke folur për Amirin që i ka humbur veprat, unë shkova te Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i thashë: O I Dërguar i Allahut! U bëfshin kurban për ty baba im dhe nëna ime. Disa po pretendojnë që Amirit i kanë humbur veprat e mira të tij. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: ‘Ka gënjyer ai që i ka thënë këto fjalë. Amiri i ka dy shpërblime, ai ka dhënë përpjekje për të mirë dhe ka luftuar në rrugë të Allahut’.”
Irfan Jahiu
WWW.STUDENTET.MK