Para se të hyjmë në thelb të këtij studimi, mirë është të paralajmërojmë për disa botëkuptime që duhet pasur kujdes, para dhe gjatë nisjes së korrigjimit dhe shërimit të gabimeve të tjerëve.
1. Sinqeriteti për Allahun:
Korrigjimi i gabimit bëhet me nijet për ta fituar kënaqësinë e Allahut e jo për mburrje, hakmarrje dhe përpjekje për ta fituar admirimin e njerëzve.
Ukbe ibn Muslim tregon se Shefij el-Asbahij i kishte thënë: “Kur hyra në Medine i pash njerëzit të tubuar përreth një burri. U interesova se kush është ky njeri, më thanë që ishte Ebu Hurejra . Iu afrova afër dhe u ula përballë tij. Ai u tregonte hadithe atyre, e kur mbaroi bisedën dhe mbeti vet i thash: ‘Të lutem për hir të së vërtetës, më trego një hadith që e ke dëgjuar nga Pejgamberi ﷺ, e ke mbajt në mend dhe e ke mësuar atë?’ Ebu Hurejra h, tha: ‘Do të tregojë për një hadith të cilin ma ka treguar Pejgamberi ﷺ, e kam mbajtur në mend dhe e kam mësuar.’ Mirëpo (para se ta tregojë hadithin), Ebu Hurejra h, filloi të ngashërojë (të qajë me dënes), u ndal pak e pasi u kthjellë tha: ‘Do të tregojë për një hadith të cilin ma tregoi Pejgamberi ﷺ, në këtë shtëpi, ku ishim veç unë dhe ai, nuk kishte njeri tjetër.’ Ebu Hurejra h, sërish filloi të ngashërojë, pastaj u kthjellë, e fshiu fytyrën dhe tha: ‘Do të tregojë për një hadith të cilin ma tregoi Pejgamberi ﷺ, në këtë shtëpi, ku ishim veç unë dhe ai, nuk kishte njeri tjetër.’ Pastaj sërish filloi të ngashërojë, pas pak u kthjellë, e fshiu fytyrën dhe tha: ‘Do të tregojë për një hadith të cilin ma tregoi Pejgamberi ﷺ, në këtë shtëpi, ku ishim veç unë dhe ai, nuk kishte njeri tjetër.’ Edhe këtë herë filloi ngashërojë, por shumë më rëndë, derisa i ra të fikët dhe ra përtokë me fytyrë. E morra e mbështeta për trupin tim, qëndroi ashtu për një kohë derisa u kthjellë, e pastaj më tregoi se Pejgamberi ﷺ, ka thënë: ‘Kur të ndodh Dita e Kiametit do të zbresë Allahu që të gjykojë në mes robërve të Tij. Atë ditë të gjithë popujt do t’i shohësh të gjunjëzuar. Të parët që do të thirren për llogaridhënie janë hafëzi i Kuranit, luftëtari në rrugë të Allahut dhe i pasuri. Allahu do t’i thotë hafëzit të Kuranit: ‘A nuk ta mësova shpalljen (Kuranin) që ja zbrita të dërguarit Tim?’ Hafëzi thotë: ‘Po, o Zot.’ Allahu i thotë: ‘E çfarë punove me atë që e mësove?’ Hafëzi thotë: ‘Punoja me të gjatë natës dhe gjatë ditës.’ Allahu i thotë: ‘Po gënjen!’ I thonë po ashtu melekët: ‘Po gënjen!’ Pastaj Allahu i thotë: ‘Doje që njerëzit të thonë se filani është hafëz, ashtu edhe u tha.’ Më pas e sjellin pasanikun dhe Allahu i thotë: ‘A të dhashë me bollëk derisa nuk kishe nevojë prej askujt të kërkosh?’ Pasaniku thotë: ‘Po, o Zot.’ Allahu e pyet: ‘E çfarë punove me atë që të dhashë?’ Pasaniku thotë: ‘I mbaja lidhjet farefisnore, (ju ndihmoja me pasuri) dhe jepja sadaka.’ Allahu i thotë: ‘Po gënjen!’ I thonë po ashtu melekët: ‘Po gënjen!’ Pastaj Allahu i thotë: ‘Doje që njerëzit të thonë bujar, ashtu edhe u tha.’ Më pas e sjellin luftëtarin që u vra në rrugë të Allahut dhe Allahu i thotë atij: ‘Përse u vrave?’ Ai thotë: ‘Kërkohej prej meje të luftojë në rrugën Tënde dhe luftova derisa u vrava në betejë.’ Allahu i thotë: ‘Po gënjen!’ I thonë po ashtu melekët: ‘Po gënjen!’ Pastaj Allahu i thotë: ‘Doje që njerëzit të thonë se filani është trim që nuk trembet, ashtu edhe u tha.’ Pas kësaj Pejgamberi ﷺ, më ra në gjunjë dhe më tha: ‘O Ebu Hurejra! Me këta të tre do të ndizet zjarri i Xhehenemit në Ditën e Kiametit.’ ”
Nëse nijeti i atij që këshillon është i drejtë, do arrijë të shpërblehet, të ndikojë te tjetri dhe fjala e tij të jetë e pranuar, me lejen e Allahut.
2. Gabimi është natyrshmëri e njeriut:
Pejgamberi ﷺ, thotë: “Çdo i bir i Ademit është gabimtar, e gabimtarët më të mirë janë ata që pendohen.”
Qartësimi dhe rikujtimi i këtij realiteti i bën gjërat të shkojnë në vijën e duhur. Edukatori nuk duhet të ngre hipotezë dhe të mendojë për njeriun si superior apo të përsosur, e pastaj t’i merr në llogari simbas këtij mendimi, ose t’i gjykojë për dështim nëse gabimi rritet apo ripërsëritet. Përkundrazi, ai duhet t’i trajtojë me korrektësi, e ajo vjen me njohjen e natyrshmërisë së shpirtit njerëzor, tek i cili ndikojnë padija, pakujdesia, mangësia, epshi dhe harresa.
Po ashtu, ky realitet ndihmon të parandalohet humbja e baraspeshës, e cila vjen si rezultat i sulmit të papritur me rastin e bërjes së gabimit dhe që mund të çojë deri në kundërveprime të papëlqyera.
Ky realitet ia rikujton edukatorit dhe thirrësit në fe esencën e tij, se është qenie njerëzore sikur të tjerët dhe mund të gabojë sikur tjetri që ka ra në gabim. Kjo e nxit ta trajtojë gabimtarin me anën e mëshirës më shumë se me anën e ashpërsisë, sepse në esencë synohet korrigjimi e jo dënimi.
Mirëpo, e tëra kjo që u përmend më lart, nuk nënkupton që gabimtari të lihet në gabimet e tij, mëkatari dhe gjynahqari të justifikohet me të qenit e tij njeri, apo me të qenit e tij në periudhën e adoleshencës, apo me periudhën kohore që jeton se është e mbushur me sprova dhe me gjëra që joshin, etj. Përkundrazi, ata duhet t’i kundërshtojmë dhe t’i marrim në llogari, por simbas peshores së fesë.
Irfan Jahiu
WWW.STUDENTET.MK