1. Kthimi i hakut te pronari dhe ruajtja e pozitës së atij që gabon:

Auf ibn Malik h, tregon: “Një burrë (mysliman) nga Himejra në betejë e vrau një ushtarë nga armiku. Ai deshi t’ia marrë armët dhe gjërat me vlerë të të vrarit, porse Halid ibn Velidi h, i cili ishte prijës i tyre, nuk ia lejoi një gjë të tillë. Auf ibn Malik h, shkoi e lajmëroi Pejgamberin ﷺ, e Pejgamberi ﷺ, i tha Halidit: ‘Çfarë të pengoi t’ia japësh plaçkat?’ Halidi tha: ‘O i Dërguari i Allahut! Ato ishin shumë për një njeri (sepse prej tyre mund të përfitojnë edhe ushtarët e tjerë).’ Pejgamberi ﷺ, tha: ‘Jepja njeriut.’ Halidi më vonë kaloi pranë Avfit, e ky e tërhoqi për petku Halidin dhe i tha: ‘A e përmbusha premtimin tim se do të ankohem kundër teje te Pejgamberi ﷺ!’ Kur i dëgjoi Pejgamberi ﷺ, fjalët e Aufit u zemërua në të dhe tha: “Mos ia jep o Halid! Mos ia jep o Halid! A po i lëni rehat udhëheqësit e mi?! Shembulli i tyre dhe i juaji, është sikurse shembulli i një burri që i kërkohet t’i ruaj devetë apo delet, e ai i ruan ato. Më pas kur të vijë koha për tu dhënë ujë, i dërgon tek huazi. Ato hyjnë aty, ku pinë ujin e kthjellë dhe e lënë ujin e turbullt. Kështu edhe ju po i merrni vetëm gjërat e kthjellura, e gjërat e turbullta po ua leni atyre.”.”[1]

Në një version tjetër më të plotë se i pari, Auf ibn Malik el-Eshxhaij h, tregon: “Dolëm në një ekspeditë deri në skaj të Shamit dhe udhëheqësi i ekspeditës u caktua Halid ibn Velidi h. Një burrë nga Himjere na u bashkëngjitë si përforcim nga trupat shtesë, me vete nuk kishte armë tjetër përveç një shpatës. Një prej myslimanëve e theri një deve, e ky u mundua të merr diçka prej saj, derisa arriti të merrte një copë lëkure në formë të parzmores. E shtriu për tokë lëkurën, pastaj e la në diell derisa u tha dhe e morri atë si mburojë në formë të parzmores. Gjatë rrugës u takuam me armikun, ushtria e tyre përbëhej prej romakëve dhe arabëve nga fisi Kudaah. Ishte luftë e ashpër dhe e fortë. Në mesin e tyre ishte një romak i hipur në kali të kuq, shalën dhe rripin i kishte të lyer me ari, po ashtu edhe shpatën. Filloi t’i sulmojë dhe luftojë myslimanët, derisa burri nga Himjere u fsheh dhe e priste të afrohet, e kur kaloi romaku pranë tij, nga pas ia preu kalit këmbët dhe kali ra përtokë. Menjëherë i shkoi romakut i ra me shpatë dhe e vrau. Pasi që myslimanët e fituan betejën, shkoi te udhëheqësi i ushtrisë t’i kërkojë plaçkat e romakut të vrarë. Të tjerët dëshmonin për të se ai e ka vra romakun. Halid ibn Velidi h, i dha një pjesë prej plaçkave të romakut, ndërsa të tjerat i ndali. Burri shkoi te Aufi i tregoi për rastin dhe ai i tha: ‘Kthehu le t’i jep edhe të tjerat.’ Burri u kthye, por Halidi refuzoi t’ia jep. Aufi shkoi vet te Halidi dhe i tha: ‘A nuk e di që Pejgamberi ﷺ, e ka caktuar që plaçkat e të vrarit nga armiku t’i takojnë atij që e vret në betejë?’ Halidi ju përgjigj: ‘Po.’ Aufi e pyeti: ‘E çfarë të pengon t’ia japësh plaçkat e të vrarit?’ Halidi i tha: ‘Ato ishin shumë për një njeri (prej tyre mund të përfitojnë edhe ushtarët e tjerë).’ Aufi i tha: ‘Kur ta takojë Pejgamberin ﷺ, do t’ia paraqesë rastin.’ Kur u kthyen në Medine, Aufi e lajmëroi te Pejgamberi ﷺ, dhe Halidi u thirrë menjëherë të vjen. Kur erdhi, Aufi ishte i ulur, ndërsa Pejgamberi ﷺ, i tha: ‘O Halid, çfarë të pengoi t’ia japësh plaçkat e atij që e vrau?’ Halidi tha: ‘O i Dërguari i Allahut! Ato ishin shumë për një njeri (prej tyre mund të përfitojnë edhe ushtarët e tjerë)’. Pejgamberi ﷺ, tha: ‘Dorëzoja njeriut.’ Halidi më vonë kaloi pranë Avfit, e ky e tërhoqi për petku Halidin dhe i tha: ‘E përmbusha premtimin tim se do të ankohem kundër teje te Pejgamberi ﷺ!’ Pejgamberi ﷺ, e dëgjoi Aufin duke fol kështu, u zemërua në të dhe tha: “Mos ia jep o Halid! Mos ia jep o Halid! A po i lëni rehat udhëheqësit e mi?! Shembulli i tyre dhe i juaji, është sikurse shembulli i një burri që i kërkohet t’i ruaj devetë apo delet, e ai i ruan ato. Më pas kur të vijë koha për tu dhënë ujë, i dërgon tek huazi. Ato hyjnë aty, ku pinë ujin e kthjellë dhe e lënë ujin e turbullt. Kështu edhe ju po i merrni vetëm gjërat e kthjellura, e gjërat e turbullta po ua leni atyre.”[2]

Ajo që vërehet prej haditheve është se kur Halidi h, gaboi në mendimin e tij që mos t’ia jep luftëtarit prej myslimanëve të gjitha plaçkat e atij që e vrau në betejë, me pretekst se ato janë shumë, Pejgamberi ﷺ, urdhëroi që çështja të kthehet në binaret e veta, duke kërkuar ti jepet pjesa e mbetur e plaçkave atij që i takojnë. Mirëpo më pas Pejgamberi ﷺ, u zemërua kur e dëgjoi Aufin h, t’i drejtohet Halidit h, me fjalët: “E përmbusha premtimin tim se do të ankohem kundër teje te Pejgamberi ﷺ!” Para se t’ia thotë këto fjalë, Aufi e tërhoqi për petku Halidin në momentin kur Halidi kaloi pranë tij, e Pejgamberi ﷺ, i tha: “Mos ia jep o Halid!” Këtë e veproi ta ruaj autoritetin e udhëheqësit dhe prijësit, sepse dobia është evidente kur ruhet pozita e tij në mesin e njerëzve.

Këtu mund të lind një paqartësi: “Nëse luftëtari e meritoi plaçkën e atij që e vret në betejë, përse mos t’i jepet atij?” Pyetjes ju përgjigj imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë, në dy mënyra: “

Mënyra e parë: Sipas gjitha gjasave ia ka dhënë më vonë, ndërsa vonesa u bë në formë edukimi për burrin luftëtar dhe për Auf ibn Malikun h, të cilët e zgjatën gjuhën e tyre kundër Halid ibn Velidit h, duke e cenuar nderin e tij si udhëheqës dhe të atij që e vendosi në këtë pozitë.

Mënyra e dytë: Ndoshta e qetësoi zemrën e atij që e meritonte plaçkën e luftës, kështu që ai me vetdëshirë e la plaçkën për myslimanët, dhe me këtë synonte ta qetësojë zemrën e Halidit h, në shenjë respekti dhe nderimi për udhëheqësit.”[3]

Prej argumenteve që dëshmojnë për kthimin e autoritetit të atij që akuzohet me pafaj është ngjarja që e tregon Ebu Tufejl Amir ibn Vathile h, për një burrë i cili kaloi pranë disa vetave, ju dha selam dhe ata ja kthyen selamin. Pasi që i tejkaloi, njëri nga të pranishmit tha: “Pasha Allahun, këtë njeri e urrej për hir të Allahut!” Të tjerët ju përgjigjën: “Sa keq ke folur, pasha Allahun! Do ta lajmërojmë atë.” “Ngritu o filan, shko lajmëroje – i tha njëri burrë tjetrit prej tyre.” U nis pas tij derisa e arriti dhe e lajmëroi. Sa po e morri lajmin shkoi te Pejgamberi ﷺ, dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Ishin ulur në një ndejë disa burra mysliman, e unë kalova pranë tyre, u dhashë selam dhe ma kthyen selamin. Por pasi që i tejkalova, erdhi njëri prej tyre më lajmëroi që filani kish thënë: ‘Pasha Allahun, këtë njeri e urrej për hir të Allahut!’ O i Dërguari i Allahut, thirre të vijë dhe pyete përse më urren!” Pejgamberi ﷺ, e ftoi të vjen dhe e pyeti për saktësinë e lajmit që i treguan. E pohoi lajmin dhe tha: “I kam thënë ashtu, o i Dërguari i Allahut!” Pejgamberi ﷺ, tha: “E përse e urren?” Burri tha: “Jam fqinj me të, e njoh mirë. Pasha Allahun, nuk e kam parë të falë namazin, kurrë asnjëherë, përveç namazit farz që e fal atë i miri dhe i keqi!” Burri tjetër (i cili u ankua te Pejgamberi ﷺ) tha: “O i Dërguari i Allahut! Pyete a e kam vonuar namazin ndonjëherë? Pyete abdesin që e kam marrë për namaz, a ka pas gabim në të? Pyete a kam bërë gabim në ruku dhe në sexhde gjatë namazit?” Pejgamberi ﷺ, e pyeti, ai ju përgjigj se nuk ka parë diçka nga ajo, e pastaj vazhdoi dhe tha: “Pasha Allahun, nuk e kam parë të agjërojë, kurrë asnjëherë, përveç agjërimit të Ramazanit që e agjëron i miri dhe i keqi!” Burri tjetër (i cili u ankua te Pejgamberi ﷺ) tha: “O i Dërguari i Allahut! Pyete a më ka parë ta prishi një ditë të Ramazanit apo të kem mangësuar diçka nga rregullat e agjërimit?” Pejgamberi ﷺ, e pyeti, ai ju përgjigj se nuk ka parë diçka nga ajo, e pastaj vazhdoi dhe tha: “Pasha Allahun, nuk e kam parë t’i jep diçka lypësit, nuk e kam parë të shpenzojë diçka nga pasuria e tij për në mirësi dhe në rrugë të Allahut, përveç zekatit që e jep i miri dhe i keqi!” Burri tjetër (i cili u ankua te Pejgamberi ﷺ) tha: “O i Dërguari i Allahut! Pyete a më ka parë të kem fshehë diçka nga zeqati ndonjëherë apo të kem mashtruar atë që e kërkon zeqatin prej meje?” Pejgamberi ﷺ, e pyeti, ai ju përgjigj se nuk ka parë diçka nga ajo. Pejgamberi ﷺ, i tha: “Ngritu! Ku ta dish, ndoshta ky është më i mirë se ti!”[4]

Prej çështjeve me rëndësi është ruajtja e pozitës së gabimtarit pas pendimit dhe kthimit të tij, që ai të përqendrohet në rrugën e drejtë dhe të jetojë jetë normale në mesin e njerëzve. Në hadithin që tregohet për gruan mahzumije që ju pre dora shkaku i vjedhjes, Aisha i, tha: “Pasi që e morri gruaja dënimin, u pendua dhe u dallua në pendimin e saj, më vonë u martua dhe pastaj shpesh më vizitonte për nevojat e saj, të cilat ia paraqitja Pejgamberit ﷺ.”[5]

  1. Kur dy palë konfrontohen në mes veti dhe janë pjesëmarrës në të njëjtin gabim, duhet t’i drejtohemi me fjalim të dy palëve:

Shpeshherë ndodh që gabimi të jetë i përbashkët, saqë të gabon edhe ai që ndaj tij është bërë gabimi. Ndoshta sasia e gabimit mund të dallojë në mes të dy palëve, por prapëseprapë duhet t’ju drejtohemi me këshillë të dy palëve që kanë ra në gabim.

Abdullah ibn Evfa i, tregon për Abdurrahman ibn Aufin h, se u ankua kundër Halid ibn Velidit h, te Pejgamberi ﷺ,  e Pejgamberi ﷺ, i tha: “O Halid, mos e shqetëso një burrë nga pjesëmarrësit e luftës së Bedrit, ngase ti edhe po shpenzove ar sa kodra e Uhudit, nuk i arrin veprat e tij.” Halidi  h, tha: “Po flasin për mua për të keqe, e unë po ua kthej.” Pejgamberi ﷺ, tha: “Mos e shqetësoni Halidin, sepse ai është shpatë nga shpatat e Allahut, i cili i lufton jobesimtarët.”[6]

  1. Kërkohet nga ai që gaboi të shkojë të kërkojë falje për dëmin që ia bëri tjetrit:

Enes ibn Malik h, thotë: “Arabët e kishin traditë t’i ndihmonin dhe shërbenin njëri tjetrit gjatë udhëtimeve. Ebu Bekri  h, dhe Omeri  h, ishin nis me një udhëtim e me vete e kishin një person që ju shërbente. Rrugës u ndalën të pushojnë dhe i zuri gjumi. Pasi u zgjuan e panë që edhe shërbëtori kishte fjetur dhe s’ju kishte përgatitur ushqim. I thanë njëri tjetrit: ‘Gjumi i tij i përngjan gjumit të atij që fle në shtëpi (e jo në udhëtim)!’[7] E zgjuan dhe i thanë: ‘Shko te Pejgamberi ﷺ, thuaji se Ebu Bekri dhe Omeri të çojnë selam, dhe kërkojnë t’ju japësh ngjëratë[8] për ushqimin.’ Shkoi shërbëtori e lajmëroi për selamin dhe kërkesën e tyre, e Pejgamberi ﷺ, i tha: “Tregoju që selamin e pranova dhe lajmëroi ata dy se veç më e kanë ngrënë ngjëratën!’ Kur ju shkoi lajmi, u frikësuan dhe menjëherë shkuan te Pejgamberi ﷺ. I thanë: ‘O i Dërguari i Allahut! E dërguam shërbëtorin të kërkojë ngjëratë dhe kishe thënë që veç më e kemi ngrënë ngjëratën! Me çka e kemi ngrënë atë?’ Pejgamberi ﷺ, tha: ‘Me mishin e vëllait tuaj! Pashë Atë që në Dorën e Tij e ka shpirtin tim, po e shoh mishin e tij në dhëmbët tuaj; do të thotë mishin që e kanë përgojuar.’ Të dy thanë: ‘Lute Allahun për neve të na falë.’ Pejgamberi ﷺ, tha: ‘Ai (shërbëtori) le të lutet për juve.’ ”[9]

  1. Gabimtarit t’i kujtohet vlera e atij të cilin e dëmtoi, që të pendohet dhe të kërkojë falje:

Këtë e veproi Pejgamberi ﷺ, me Ebu Bekrin dhe Omerin j, kur ndodhi një mosmarrëveshje në mes tyre.

Ebu Derdai h, tregon se në mes Ebu Bekrit dhe Omerit j, ndodhi një diskutim, ku Omeri u zemërua prej Ebu Bekrit dhe u largua prej aty. Ebu Bekri i shkonte pas, i kërkonte falje, por Omeri nuk pranonte, derisa madje ia mbylli derën para fytyrës. Ebu Bekri shkoi te Pejgamberi ﷺ, e ne ishim aty (Ebu Derda tregon se ishte aty prezent me të tjerët). Pejgamberi ﷺ, tha: “Ky shoku juaj është përfshirë në grindje.” Pas pak Omeri erdhi te Pejgamberi ﷺ, i penduar për atë që e veproi, dha selam, u ul pranë Pejgamberit ﷺ, dhe ia tregoi rastin. Ebu Derda tregon se Pejgamberi ﷺ, u zemërua, ndërsa Ebu Bekri i tha: “O i Dërguari i Allahut! Pasha Allahun, unë i bëra padrejtësi!”[10] Pejgamberi ﷺ, tha: “A po ma lini të qetë mikun tim? A po ma lini të qetë mikun tim? Kur ju thash: O ju njerëz unë jam i Dërguari i Allahut për të gjithë njerëzit, ju më thatë: po gënjen. kurse Ebu Bekri tha: Të vërtetën e thua.”[11] Sipas një transmetimi tjetër Ebu Derda h, tregon: “Isha i ulur Pejgamberin ﷺ, kur erdhi Ebu Bekri h, duke e mbajtur fundin e rrobës së tij, derisa i kishte shpalosur gjunjët. Pejgamberi ﷺ, i tha: ‘Ky shoku juaj është përfshirë në grindje.’ Ebu Bekri pasi që dha selam, tha: ‘Në mes meje dhe Omerit ndodhi një grindje, u nguta dhe gabova, por më pas u pendova. Kërkova prej tij të ma fal, mirëpo refuzoi. Prandaj erdha te ti.’ Pejgamberi ﷺ, tha: ‘Allahu të faltë, o Ebu Bekër.’ Këtë ia përsëriti tri herë. Pastaj Omeri h, ndjeu keqardhje, shkoi te shtëpia e Ebu Bekrit, por nuk e gjeti aty. U nis për te Pejgamberi ﷺ, dha selam dhe u ul. Pejgamberi, ﷺ, filloi të mrrolet në fytyrë, kur e pa Ebu Bekri i erdhi keq për Omerin, u ul në gjunjë dhe tha: ‘O i Dërguari i Allahut! Pasha Allahu faji është i imi, unë i bëra padrejtësi!’ Ja përsëriti këtë dy herë. Pejgamberi ﷺ, tha: ‘Allahu më dërgoi tek juve (njerëz), por ju më thatë: po gënjen, ndërsa Ebu Bekri tha: Ai po e thotë të vërtetën! Ebu Bekri më ndihmoime jetën dhe me pasurinë e tij. A po ma lini, pra, të qetë mikun tim?’; këtë e përsëriti dy herë. Pas kësaj askush më nuk e shqetësoi Ebu Bekrinh.”[1]


[1] Buhariu (3661).


[1] Muslimi me Sherh en-Nevevij (12/64).

[2] El-Musned (22862), e saktësoi Albani në Irva el-Galil (5/56).

[3] Sherh en-Nevevij ala Muslim (12/64).

[4] Ahmedi (23803), hadithin e vlerësuan të dobët recensuesit e haditheve të Musnedit.

[5] Buhariu (2648), Muslimi (1688).

[6] Sahih Ibn Hiban (7091).

[7] Këtë ja thanë në formë të kritikës dhe të qortuarit (sh.p.)

[8] Ushqim i lëngshëm, që mund të hahet duke ngjyer bukën në të (si shëllirë, qumësht etj.) (sh.p.)

[9] Ed-Dija në El-Muhtara, shejh Albani e saktësoi në es-Sahiha (2608).

[10] Ebu Bekri u frikësua se Pejgamberi ﷺ, do ta qortojë Omerin h, prandaj u ul në dy gjunjë dhe i tha që tek ai është faji. (sh.p.)

[11] Buhariu (4640).

Irfan Jahiu

WWW.STUDENTET.MK

About Author

Admin_F

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *