- Duhet të merret në konsideratë pozita e atij që e korrigjon gabimin:
Prej disa njerëzve më lehtë pranohen këshillat në krahasim me disa të tjerë, shkaku që kanë pozitë që të tjerët nuk e kanë apo kanë autoritet te gabimtari që të tjerët nuk e kanë. Si shembull, babai me fëmijën, mësuesi me nxënësin, hoxha me xhematin. Pastaj i moshuari nuk është sikur i vogli, i afërmi nuk është sikur i huaji, njeriu me autoritet nuk është sikur ai pa autoritet; pra kuptimi i këtyre dallimeve ia mundësojnë korrigjuesit që t’i vendos gjërat në vend të duhur dhe t’i përcaktojë sipas meritave që i meritojnë. Korrigjimi apo kundërshtimi i tij i gabimit nuk duhet ta çojë deri në shkaktimin e një gabimi tjetër më të madh, si dhe nuk duhet harruar faktin që pozita dhe personaliteti i tij në shpirtin e gabimtarit janë shumë të rëndësishëm për ta përcaktuar nivelin e kundërshtimit dhe ujdisjen e kriterit të ashpërsisë dhe butësisë. Nga kjo që u cek i përfitojmë dy gjëra:
E para: Atij që Allahu i ka dhënë autoritet apo pushtet duhet t’i shfrytëzojë ato të thirrë në të mirën dhe të ndalojë nga e keqja, t’i mësojë njerëzit dhe ta kuptojë se përgjegjësia që bie mbi të është e madhe, sepse fjala e tij te njerëzit në përgjithësi është më e pranuar në krahasim me të tjerët dhe mund t’ia del mbanë aty ku të tjerët nuk munden.
E dyta: Ai që merret me thirrjen në të mirë dhe që ndalon nga e keqja nuk duhet ta keqpërdorë autoritetin e tij, saqë ta vendosë veten me një pozitë më të lartë se që është dhe të shfaqet me tipare të cilat nuk i posedon, sepse kjo çon që njerëzit të ikin dhe të refuzojnë këshillën e tij.
Pejgamberi ﷺ, e shfrytëzonte autoritetin dhe pozitën që ia kishte dhënë Allahu t’i korrigjojë gabimet dhe t’i mësojë njerëzit. Ajo që e vepronte Pejgamberi ﷺ, me gabimtarët, poqëse e vepronin të tjerët po të njëjtën gjë, ndoshta nuk do të arrinin suksesin e njëjtë. Në vazhdim do ta sjelli një shembull që ndërlidhet me këtë pikë:
Jeish ibn Tehfete el-Gifarij përcjell prej babës së vet i cili tregon se kishte qenë mysafir i Pejgamberit ﷺ, në pjesën e xhamisë ku qëndronin të ngratët dhe të pastrehët. Gjatë natës erdhi Pejgamberi ﷺ, të kujdeset për mysafirët e tij dhe e vërejti që isha shtrirë me bark. M’u afrua dhe më goditi me këmbë, pastaj tha: “Mos u shtri në këtë mënyrë, sepse Allahu i Madhëruar e urren këtë shtrirje.” Me një transmetim tjetër: “E goditi me këmbë saqë e zgjoi dhe i tha: “Kjo e shtrirë është mënyra e shtrirjes së banorëve të zjarrit.”[1]
Kjo mundësi e korrigjimit të gabimit ka qenë e përshtatshme për autoritetin dhe pozitën e Pejgamberit ﷺ, por s’do të thotë që kjo është e përshtatshme për të tjerët, sepse jo çdokush mund ta godasë me këmbë e ta zgjojë nga gjumi atë që ka fjetur i shtrirë me bark, e pastaj të pret prej tij ta pranojë këshillën dhe ta falënderojë.
Po ashtu, nga rasti vërejmë se Pejgamberi ﷺ, nganjëherë ka qenë më i ashpër me disa sahabij që i mbante më afër tij se sa që ishte me ndonjë beduin apo me një të huaj. E gjithë kjo llogaritet nga urtësia dhe përcaktimi i situatës gjatë kundërshtimit të gabimit.
- Ka dallim në mes atij që gabon nga padija dhe atij që është në dijeni:
Rast i njohur është rasti i Muavije ibn el-Hakem es-Sulemij h, kur erdhi prej shkretëtire në Medine dhe nuk e dinte se ndalohet të folurit gjatë faljes së namazit. Muavije h, tregon: “Ishim duke e falur namazin të cilit i printe Pejgamberi ﷺ, kur njëri prej namazfalësve teshtini në namaz, e unë i thashë ‘jerhamukallah (Allahu të mëshiroftë)’. Njerëzit i ngulën sytë kah unë e m’i hodhën vështrimet e tyre, saqë thash: ‘E humbi nëna birin e saj! Përse më shikoni kështu?’ Ata filluan me duart e tyre t’i bien kofshëve. Kur e pashë që donin të më heshtnin, për pak sa nuk fola, por e përmbajta veten dhe heshta. Pasi që Pejgamberi ﷺ, e përfundoi namazin, flijofsha babë e nënë për të, nuk kam parë mësues më të mirë, as para e as pas tij, që të mëson sikurse ai. Pasha Allahun, nuk më priti i mrrolur, as nuk më goditi dhe as nuk më shau, por më tha: ‘Ky është namaz, nuk lejohet në të të thuhet diçka nga fjalët e njerëzve, në të vërtetë namazi është tesbih (lartësim i Allahut), tekbir (madhërim i Allahut) dhe lexim i Kuranit.’ ”
I padijshmi ka nevojë për ta mësuar, ai që ka dyshime ka nevojë për t’ia qartësuar, i pakujdesshmi ka nevojë për t’ia kujtuar dhe ai që këmbëngul në mëkate ka nevojë për ta këshilluar. Nuk është e rrugës të barazohen në trajtim dhe në kundërshtim ai që di dhe ai që nuk di. Sjellja e vrazhdë me të padijshmin shpeshherë e çon të largohet dhe ta refuzojë këshillën, sepse ai veten nuk e sheh në gabim. Po qe se në fillim e mëson me urtësi dhe me butësi, rezultati do të jetë krejtësisht ndryshe, do të jetë i dobishëm. Ai sikur do t’i thotë atij që e kundërshton për gabimin: përse njëherit nuk më mësove para se të më sulmosh!
Mund të ndodh që gabimtari të jetë larg të së vërtetës pa e ndjerë fare, madje të mendojë se e ka të drejtë dhe me këtë ta mbrojë veten e tij. El-Mugire ibn Shuabe h, tregon se Pejgamberi ﷺ, ishte duke ngrënë ushqim derisa kur thirri ikameti, pastaj u ngrit për në namaz. Ia solla ujin të merr abdes, ta ripërsëritë abdesin e tij sepse më herët kishte pas marrë abdes, mirëpo më ndali dhe më tha: “Zmbrapsu!” Pasha Allahun, u ndjeva keq. Pas namazi, u ankova te Omeri h, e ai i tha: “O i Dërguar i Allahut! Mugires i erdhi rëndë fakti se e largove (zmbrapse, reshte, trembe) të jep ujë për abdes, frikohet mos je prekur diçka prej tij.” Pejgamberi ﷺ, tha: “Kam mendim të mirë për të dhe nuk kam gjë me të. Ai më solli ujin të marr abdes pasi që ngrëna ushqim, e po qe se do të merrja abdes, njerëzit do të më ndjeknin dhe do ta vepronin (duke menduar se marrja abdes pas ngrënies është prej feje).”
Duket qartë këtu se Pejgamberi ﷺ, sahabët sikur el-Mugire ibn Shuabe kur i qortonte për bërjen e gabimit, nuk e vepronte këtë gjë që të ndikojë negativisht në shpirtrat e tyre, e t’i nxitë në urrejtje apo largim, përkundrazi veprimi i tij kishte ndikim pozitiv në shpirtrat e tyre. Kur i qortonte Pejgamberi ﷺ, ai (i qortuari) e qortonte veten për gabimin e bërë dhe nuk ndjehej rehat shpirtërisht derisa vërtetohej se Pejgamberi ﷺ, është i kënaqur me të.
Nga rasti i fundit duket qartë se Pejgamberi ﷺ, qortimin që ia bëri Mugires, nuk ishte personale me të, por në shenjë dhembshurie dhe qartësim për njerëzit, që mos të mendojnë se ju detyrohet një gjë që realisht nuk është i detyruar për ta, e kjo t’ua vështirëson gjendjen.
Pozita e edukatorit dhe e mësuesit në zemrat apo në brendësinë e shokëve të tij është e madhe. Nganjëherë edukatori mund të vërejë se qortimi i njërit prej shokëve të tij është i dobishëm për të tjerët, andaj e qorton atë për hir të dobisë së përgjithshme. Mirëpo kjo s’do të thotë që të lëmë gjurmët negative në brendësinë e atij që e korrigjuam, ngase ajo mundet të korrigjohet dhe gjurmët t’i fshihen me disa mënyra, ndër to: i qortuari ta shprehë pakënaqësinë dhe të ankohet, qoftë edhe nëpërmjet ndërmjetësuesit, sikur veproi el-Mugire që e morri për ndërmjetësues Omerin h. Në anën tjetër qartësohet ngjarja, vërtetohet pozita e të qortuarit dhe mendimi i mirë që e ka edukatori për të.
Irfan Jahiu
WWW.STUDENTET.MK
.