1. Nuk duhet të ngutemi ta akuzojmë dikë për gabim:

Omeri h, tregon për një rast të vetin dhe thotë: “E dëgjova Hisham ibn Hakim ibn Hizamin j, duke lexuar suren el-Furkan, e recitoi disi ndryshe, jo ashtu si ishim mësuar ta dëgjojmë prej Pejgamberit ﷺ. Për pak sa nuk e sulmova duke qenë në namaz, e përmbajtja veten derisa sa dha selam. Kur doli prej namazi, e kapa për rrobe e tërhoqa dhe i thash: ‘Kush të mësoi ta recitosh këtë sure ashtu si të dëgjova’ Më tha: ‘Më mësoi Pejgamberi ﷺ.’ ‘Po gënjen – i thash! Pejgamberi ﷺ, ma recitoi ndryshe, e jo sikur ti që e recitove.’ (Omeri thotë) Atëkohë ishte gjallë Pejgamberi ﷺ, e çova Hishamin tek ai dhe i thash: ‘Hishamin e dëgjova duke recituar suren el-Furkan ndryshe asaj që ti e ke recituar.’ Pejgamberi ﷺ, tha. “Lëre të lirë. O Hisham, recitoje suren.’ (Omeri thotë) Filloi (Hishami) ta recitojë ashtu si e dëgjova, e Pejgamberi ﷺ, tha: ‘Me të vërtetë kështu ka zbritur Kurani.’ Më pas tha: ‘Recito o Omer.’ Fillova ta recitojë ashtu si e kisha mësuar, e Pejgamberi ﷺ, tha: ‘Me të vërtetë kështu ka zbritur Kurani. Ky Kuran ka zbritur me shtatë mënyra leximi, prandaj lexojeni cilën mënyrën që ju vjen më lehtë.’ ”[1]

Prej dobive edukative që i përfitojmë nga ky rast përmendim:

– Çdonjëri prej tyre u urdhërua të lexojë përpara tjetrit, kjo mënyrë është më e mira për ta vërtetuar të saktën, për ta korrigjuar gabimin dhe për të mos e fajësuar njëri-tjetrin për gabim. 

– Pejgamberi ﷺ, me fjalët e tij “Lëre të lirë” e urdhëroi Omerin ta lëre të lirë Hishamin. Kjo ishte parapërgatitje për të dy oponentët që ta dëgjojnë njëri-tjetrin të qetë. Rasti tregon se Omeri u ngut pak më tepër se që duhet.

– Kërkuesi i dijes nuk duhet të ngutet dhe ta fajësojë tjetrin për gabim nëse ia thotë një mesele (apo thënie) ndryshe që ai e di, përveçse pasi ta vërtetojë informacionin, sepse ajo mesele (apo thënie) mund të jetë e pranuar në rrethin shkencor dhe akademik.

– Rasti na mëson se nuk duhet të ngutemi me dënimin. Ka ardhur një rast tjetër në hadithet profetike që e dëshmon këtë, bëhet fjalë për Abad ibn Shurehbil h, i cili tregon: “Me mixhën shkuam në Medine. Me arritjen tonë atje, shkova te një kopsht mora kallinjtë e saj dhe i qërova. Nuk shkoi pak, erdhi pronari i kopshtit ma mori petkun (si kompensim për drithërat që ja mora) dhe më goditi. Shkova ju ankova Pejgamberit ﷺ, e ai e dërgoi dikë ta thirrë pronarin e kopshti të vjen. Kur erdhi, Pejgamberi ﷺ, e pyeti: ‘Çfarë të shtyri të veprosh ashtu?’ Tha: ‘O i Dërguari i Allahut! Hyri në kopshtin tim, morri kallinj i qëroi dhe i morri drithërat.’ Pejgamberi ﷺ, tha: ‘Përse nuk e mësove pasi është i padijshëm dhe nuk e ushqeve pasi është i uritur? Ktheja petkun e tij.’ Pejgamberi ﷺ, urdhëroi të më japin një ‘vask’[2]  apo gjysmë ‘vask’.”[3]

Ajo që përfitohet nga rasti është se njohja e gjendjes së gabimtarit apo gjynahqarit, na udhëzon si ta trajtojmë atë në mënyrën sa më të drejtë.

Po ashtu, nga rasti vërehet që Pejgamberi ﷺ, nuk e dënoi pronarin e kopshtit, sepse ai e kishte mirë, por e qortoi për mënyrën e sjelljes dhe ia tërhoqi vërejtën se trajtimi në rrethana të tilla nuk ka qenë i drejtë. Pastaj e udhëzoi si të sillet drejtë në rrethana të tilla dhe e urdhëroi t’i kthej petkun që ja morri.

  1. Ruajtja e qetësisë gjatë trajtimit të gabimtarit:

Qetësia është e nevojshme gjatë trajtimit të gabimtarit, në veçanti kur supozohet se ashpërsia në trajtimin e tij mund të çojë deri në zgjerimin e rrethit të dëmit. Kjo qartësohet dukshëm në rastin e ballafaqimit të Pejgamberit ﷺ, me gabimin e beduinit i cili urinoi në xhami. Enes ibn Malik h, thotë: “Derisa ishim në xhami me Pejgamberin ﷺ, erdhi beduini (njeri që jeton në shkretëtirë; sh.p.) nisi të urinojë në xhami. Sahabët thanë: ‘Ndal! Ndal!’ Por Pejgamberi ﷺ, iu tha: ‘Mos e pengoni, lëreni (të urinojë).’ E lanë derisa përfundoi. Pastaj Pejgamberi ﷺ, e thirri dhe i tha: ‘Kjo është xhami, nuk është vend për të urinuar dhe për ta bërë atë të papastër, por është vend për përmendjen e Allahut, për namaz dhe për lexim të Kuranit.’ Pastaj Pejgamberi ﷺ, urdhëroi njërin nga të pranishmit të sjellë një kovë me ujë dhe ta hedhë mbi vendin ku urinoi.”[4]

Rregullin që e ndjeku Pejgamberi ﷺ, gjatë ballafaqimit me gabimin ishte lehtësimi dhe mosvështirësimi. Sipas një transmetimi tjetër Ebu Hurejra h, tregon se një beduin urinoi në xhami dhe njerëzit deshën t’i vërsulen, mirëpo Pejgamberi ﷺ, iu tha: “Lëreni dhe hidhni një kovë me ujë mbi vendin ku urinoi. Jemi dërguar të lehtësojmë dhe jo të vështirësojmë.”[5]

Nga hadithi e shohim që sahabët u entuziazmuan ta ndalojnë gabimin dhe të përkujdesen për pastërtinë e xhamisë. Shumë transmetime të hadithit e tregojnë këtë gjë: “Të pranishmit filluan ta ngritin zërin”, “Të pranishmit u zemëruan me beduinin”, “Të pranishmit e qortuan”, “Nxituan drejt tij”, “Shokët e Pejgamberit ﷺ, thanë: Ndalu, ndalu”[6]

Mirëpo, Pejgamberi ﷺ, ishte largpamës. Ai shikonte në përfundimin e çështjes e cila i kishte dy mundësi, ta ndalë njeriun të urinojë apo ta lëre të vazhdojë. Sikur ta ndalte, beduini në atë moment do ta ndërpriste urinimin, por kjo do t’i shkaktonte dëm në shëndet, ose ai nuk do ta ndërpriste urinimin dhe si pasoj do të lëvizte nga frika prej tyre, dhe rrjedhimisht do të shpërndante papastërtinë në Xhami, apo në trupin dhe rrobat e tij. E Pejgamberi ﷺ, me mendjemprehtësinë e tij e pa të arsyeshme ta lëre të urinojë, sepse ky ishte dëmi më i vogël dhe më i lehtë në krahasim me dëmet e tjera, e veçmas kur dihet se ai më veç kish filluar të urinojë dhe dëmi të shkaktohet, ndërsa papastërtia mundej të largohej me pastrimin e vendit me ujë. Për këtë shkak, sahabëve ju tha: “Mos e pengoni, lëreni të urinojë.”; do të thotë mos e ndërpritni, lëreni ta përfundojë urinimin. Kjo ishte për hir të dobisë së mundshme, me zgjedhjen e më të lehtës duke e larguar dëmin më të madh prej dy dëmeve, dhe me lënien e më pak të dobishmes duke e arritur dobinë më të madhe.

Sipas një transmetimi tjetër tregohet se Pejgamberi ﷺ, e pyeti beduini se pse veproi ashtu. Ibn Abasi, Allahu j, tregon se erdhi një beduin te Pejgamberi ﷺ, në xhami dhe ia dha besatimin. Pastaj u ngrit në këmbë i hapi këmbët dhe nisi të urinojë. Të pranishmit deshën ta ndalojnë, por Pejgamberi ﷺ, ju tha: “Mos e pengoni, lëreni të urinojë.” Beduinit i tha: “A je mysliman?” “Po jam – u përgjigj beduini.” Pejgamberi ﷺ, tha: “Çfarë të shtyri të urinosh në xhami?” Tha: “Pashë Allahun, i Cili të dërgoi me të vërtetën, mendova që është thjesht një tokë dhe urinova mbi të.” Pejgamberi ﷺ, urdhëroi të sillet një kovë me ujë e të hidhet mbi vendin ku urinoi.”[7]

Kjo metodë e urtë e trajtimit la gjurmë të thellë në shpirtin e beduinit, gjë që qartësohet nga fjalët e tij në hadithin që Ebu Hurejra h, e tregon se kur beduini hyri në xhami Pejgamberi ﷺ, ishte i ulur dhe beduini i tha: “O Allah më fal mua dhe Muhamedin, dhe mos e fal përveç neve askënd tjetër!” Pejgamberi ﷺ, qeshi dhe i tha: “E ngushtove të gjerën.” Pastaj beduini u ngrit, derisa shkoi të një skaj i xhamisë dhe urinoi. (Transmetuesi i hadithit Ebu Hurejra h, tregon se) Beduini pasi e mësoi Islamin dhe doli prej te Pejgamberi ﷺ, më tha: “ ‘Kurban bëfsha babanë dhe nënën për Pejgamberin ﷺ. Ai nuk më qortoi dhe nuk më shau’; por më tha: ‘Kjo është xhami, nuk është vend për të urinuar (dhe për ta bërë atë të papastër), por është vend për përmendjen e Allahut dhe për namaz.’ Pastaj Pejgamberi ﷺ, urdhëroi njërin nga të pranishmit të sillte një kovë me ujë dhe ta hidhte mbi vendin ku urinoi.”[8]

Ibn Haxheri, Allahu e mëshiroftë, gjatë komentit të këtyre haditheve i përmendi disa dobi, ndër to:

– Hadithi është argument se me të padijshmin, që nuk është inatçi, duhet përdorur butësia dhe duhet t’i mësohet pa dhunë ajo që ka nevojë ta mësojë, e në veçanti nëse ai ka nevojë për miqësi.

– Në hadith paraqitet butësia e Pejgamberit ﷺ, dhe sjellja e mirë e tij.

– Hadithi tregon se mbrojtja nga papastërtia ka qenë e mbjellur në shpirtrat e sahabëve dhe mu për këtë shkak ata nxituan ta ndalojnë beduinin në prezencën e Pejgamberit ﷺ, para se të marrin leje prej tij. Po ashtu, veprimi i tyre tregon se thirrja në të mirë dhe ndalimi nga e keqja ka qenë e mbjellur në shpirtrat e tyre.

– Hadithi tregon se pas larimit të pengesës duhet marrë hap i menjëhershëm për ta larguar të keqen. Kjo u pa me urdhrin që u dha të hidhet kova me ujë pasi që beduini e kreu urinimin.[9]

  1. Qartësimi i rrezikshmërisë së gabimit:

Ibn Omeri, Muhamed ibn Kab, Zejd ibn Eslem dhe Katade transmetojnë ngjarjen që ndodhi me një njeri në luftën e Tebukut i cili tha: “Nuk kemi parë s’i ata lexues të Kuranit (e kishte për qëllim sahabët), ata lakmojnë vetëm t’i mbushin barqet e tyre, kanë gjuhë rrenacake, dhe janë më frikacakët kur e takojnë armikun.” Avf ibn Malik h, tha: “Gënjen, t’i me të vërtet je hipokrit, do ta lajmëroj Pejgamberi, ﷺ.” U nis Avfi t’i tregon, mirëpo Allahu e lajmëroi të Dërguarin e Tij para se të mbërrin ky sahabij. Më vonë edhe ai që u tallte me ato fjalë, hipi mbi deve dhe erdhi te Pejgamberi ﷺ, dhe tha: “O i Dërguar i Allahut, ne me të vërtet kalonim kohën të lozim dhe t’i kalojmë lodhjet e rrugës, nuk kishim për qëllim talljen.”

Ibn Omeri j, thotë: “Atë njeri e shihja se s’i ishte varur pas devesë së Pejgamberit ﷺ, ndërsa gurët ia godisnin këmbët, kurse ai thoshte: ‘O i Dërguar i Allahut, ne me të vërtet donim të loznim dhe të kalonim kohën.’ Ndërsa Pejgamberi ﷺ, ia lexonte dhe përsëriste ajetin:“A mos vallë me Allahun, shpalljet dhe të Dërguarin e Tij po talleni?” (Et-Teube: 65), duke mos e kthyer fytyrën aspak kah ai dhe duke mos shtuar asgjë më tepër.”

Në transmetimin e Ibn Omerit j, tregohet se një njeri në luftën e Tebukut tha: “Nuk kemi parë s’i ata lexues të Kuranit (e kishte për qëllim sahabët), ata lakmojnë vetëm t’i mbushin barqet e tyre, kanë gjuhë rrenacake, dhe janë më frikacakët kur e takojnë armikun.” Tha njëri që ishte aty prezent: “Gënjen, t’i me të vërtet je hipokrit, do ta lajmëroj Pejgamberin ﷺ.” U nis t’i tregon, mirëpo Allahu e lajmëroi të Dërguarin e Tij para se të mbërrin ky sahabij.  Ibn Omerij, thotë: “Atë njeri e shihja se s’i ishte varur pas devesë së Pejgamberit ﷺ, ndërsa gurët ia godisnin këmbët, kurse ai thoshte: “O i Dërguar i Allahut, ne me të vërtet kalonim kohën duke lozur.” Ndërsa Pejgamberi ﷺ, ia lexonte dhe përsëriste ajetin: “A mos vallë me Allahun, shpalljet dhe të Dërguarin e Tij po talleni? Mos u shfajësoni! Ju e mohuat fenë, pasi patët besuar.” (Et-Teube: 65-66)[10]


[1] Buhariu (4992), Muslimi (818).

[2] Vask është njësi matëse për grurin. Një vask është përafërsisht 60 sa’a, që i bie prej 122 e deri 180 kg. (sh.p.)

[3] Nesaiu (5409), shejh Albani e saktësoi në Sahih Sunen en-Nesaij.

[4] Buhariu (6025), Muslimi (285).

[5] Buhariu (6028).

[6] Xhami’ El-Usul (7/83-87).

[7] Taberaniu në el-Kebir (11552), el-Hejthemij në el-Mexhmea (2/10), tha se transmetuesit e hadithit janë të drejtë.

[8] Sunen Ibn Maxhe (529), shejh Albani e vlerësoi të mirë në Sahih Ibn Maxhe.

[9] El-Fet’h (1/324-325).

[10] Tefsir Ibn Xherir et-Taberij (14/333), transmetuesit janë të drejtë, përveç Hisham ibn Sad. Imam Muslimi nuk ka transmetuar hadithe prej tij, përveç në rastet e dëshmive të haditheve tjera me rrugë tjera si në el-Mizan. Hadithi ka dëshmi tjetër me zinxhir të Hasenit tek Ibn Ebu Hatim prej hadithit të Kab ibn Malik. (Sahih el-Musned min Esbab en-Nuzul, fq. 71).

Irfan Jahiu

WWW.STUDENTET.MK

About Author

Admin_F

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *