1. Shërimi i gabimit nëpërmjet këshillës dhe rikujtimit që t’ia ketë frikën Allahut:

Xhundeb ibn Abdullah el-Bexhelij h, tregon se Pejgamberi ﷺ, dërgoi një ekspeditë ushtarake për ta luftuar një popull prej idhujtarëve. Kur dy grupet u takuan, filloi lufta në mes veti. Ishte njëri prej idhujtarëve që kur e synonte dikë prej myslimanëve i shkonte pas dhe e vriste. Lëvizjet e tij i vërejti njëri prej myslimanëve, i cili iu vu pas dhe e shfrytëzoi pakujdesinë e tij derisa e zuri. Në momentin kur myslimani e ngriti shpatën, idhujtari e dëshmoi shehadetin duke thënë la ilahe il-lallah, por megjithatë e mbyti. (Transmetuesi i hadithit) Xhundeb h, thotë që flitej se Usame ibn Zejd h, ishte ai që e mbyti idhujtarin. Kur erdhi përgëzuesi te Pejgamberi ﷺ,  ta informojë për zhvillimet e betejës, një ndër lajmet që ia përmendi ishte edhe kjo ndodhi. Pejgamberi ﷺ, menjëherë e thirri ushtarin ta sqarojë rastin dhe e pyeti: “Përse e vrave?” Tha: “O i Dërguari i Allahut, ju shkaktonte humbje myslimanëve, ai e vrau filanin dhe filanin, – dhe ia përmendi disa emra-, (e unë i shkova pas deri sa e zura,), andaj e sulmova, por kur e pa shpatën tha la ilahe il-lallah. Pejgamberi ﷺ, tha: “A e vrave?” U përgjigj: “Po.” Pejgamberi ﷺ, i tha: “Çfarë do të bësh me fjalën la ilahe il-lallah kur të vjen Ditën e Kiametit?” Tha: “O i Dërguari i Allahut! Lutu për faljen time.” Pejgamberin ﷺ, sërish i tha: “Çfarë do të bësh me  fjalën la ilahe il-lallah kur të vjen Ditën e Kiametit?” I përsëriste fjalët dhe nuk shtonte asgjë më tepër se fjalët: “Çfarë do të bësh me fjalën la ilahe il-llah kur të vjen Ditën e Kiametit?”[1]

Në një transmetim tjetër Usame ibn Zejd h, tregon: “Isha pjesë e ekspeditës ushtarake që e dërgoi Pejgamberi ﷺ, natën për në vendin el-Hurekat te fisi el-Xhuhejnije[2]. I befasuam me sulm herët në mëngjes, a unë e zura njërin prej tyre i cili (kur e pa se do ta vras), e shqiptoi shehadetin la ilahe il-llah, por megjithatë e vrava. Ndërgjegjen nuk e kisha të qetë, prandaj vendosa t’i tregojë Pejgamberit ﷺ, për atë që ndodhi, ndërsa ai më tha: “Ai ka thënë la ilahe il-lallah dhe ti e ke vrarë?” I thash: “O i Dërguari i Allahut! E shqiptoi shehadetin nga frika kur e pa armën se po e vras. Pejgamberi ﷺ, tha: “Po ti a ja hape gjoksin atij ta kuptosh se a e ka thënë për shkak të frikës apo jo?”. Vazhdonte t’i përsërisë të njëjtat fjalë derisa (unë nga turpi dhe nga gabimi që e bëra) shpresova që islamin ta kisha pranuar atë ditë.[3]

Në ballafaqimin e gabimit me këshillë bën pjesë edhe rikujtimi i fuqisë së Allahut. Si shembull e sjellim këtë rast:

Ebu Mesud El-Bedrij h, thotë: “Isha duke e rrahur shërbëtorin me shkop, kur e dëgjova një zë që erdhi prej pas meje: ‘Dije o Ebu Mesud.’ Nga zemërimi i madh nuk e dëgjova mirë se i kujt ishte zëri, përveçse kur m’u afrua dhe e pash që ishte Pejgamberi ﷺ, e më thoshte: ‘Dije o Ebu Mesud, dije o Ebu Mesud.’ E lëshova shkopin nga dora (dhe ra në tokë), ndërsa Pejgamberi ﷺ, më tha: ‘Dije o Ebu Mesud, se Allahu është më i plotfuqishëm ndaj teje sesa që ti je ndaj skllavit tënd.’ I thash: ‘Prej sot dora ime nuk do të rrah asnjëherë skllav.’ ”

Me një version tjetër: “I thashë: ‘O i Dërguar i Allahut, ai është i lirë për hir të Allahut. Më tha: ‘Nëse nuk do ta liroje për hir të Allahut, kishte për të të djegur zjarri (në Ditën e Kiametit) ose do të të kapte zjarri (në Ditën e Kiametit).’ ”

Sipas një versioni tjetër Pejgamberi ﷺ, tha: “Pasha Allahun! Allahu është më i plotfuqishëm ndaj teje sesa që ti je ndaj skllavit.” Pas kësaj menjëherë e liroi.[4]

Sipas një versioni tjetër Ebu Mesud El-Ensarij h, thotë: “Isha duke e rrahur shërbëtorin, kur e dëgjova një zë që erdhi prej pas meje: ‘Dije o Ebu Mesud, dije o Ebu Mesud.’ Kur u ktheva, ishte Pejgamberi ﷺ, i cili më tha: ‘Allahu është më i plotfuqishëm ndaj teje sesa që ti je ndaj skllavit.’  Ebu Mesudi thotë që prej asaj dite nuk e kam rreh asnjë skllav.” [5]

  1. Shfaqja e mëshirës ndaj gabimtarit:

E meriton të shfaqet mëshirë për atë gabimtar që ndjen keqardhje të madhe, ndjen faj dhe i qartë është pendimi i tij. Kjo ndodh nganjëherë me disa që vijnë dhe pyesin, siç ishte rasti i mëposhtëm:

Ibn Abasi h, tregon për një burrë që erdhi te Pejgamberi ﷺ, u ankua se gruas i kishte dhënë dhihar[6], e pastaj kishte kryer marrëdhënie me të, dhe tha: “O i Dërguari i Allahut! I dhashë gruas dhihar, pastaj bëra marrëdhënie me gruan para se ta shpaguaj dhiharin.” Pejgamberi ﷺ, tha: “Çfarë të nxiti të veprosh ashtu Allahu të mëshiroftë.” Burri tha: “Natën kur hëna ndriçonte i pash byzylykun e këmbës.” Pejgamberi ﷺ, i tha: “Mos ju afro, derisa nuk e bën atë që të ka urdhëruar Allahu.”[7]

Ebu Hurejra h, thotë: “Ishim duke ndejtur me Pejgamberin ﷺ, kur erdhi një burrë dhe tha: ‘O i Dërguar i Allahut, u shkatërrova.’ Pejgamberi ﷺ, tha: ‘Çfarë ndodhi?’ Burri tha: ‘Bëra marrëdhënie me gruan duke qenë agjërueshëm (në Ramazan).’ Pejgamberi ﷺ, e pyeti: ‘A posedon skllav ta lirosh dhe ta shpaguash gabimin?’ U përgjigj: ‘Jo.’ Pejgamberi ﷺ, e pyeti: ‘A mundesh të agjërosh dy muaj rishtazi?’ Tha: ‘Jo.’ Pejgamberi ﷺ, e pyeti: ‘A posedon ushqim t’i ushqesh gjashtëdhjetë të ngratë?’ Tha: ‘Jo.’ Ebu Hurejra h, (transmetuesi i hadithit) tregon se pas këtyre fjalëve Pejgamberi ﷺ, u ndal dhe teksa ishim aty, Pejgamberit ﷺ,  ia sollën një shportë të mbushur me hurma. Tha: ‘Ku është personi që më pyeti?’ Burri tha: ‘Këtu jam.’ Pejgamberi ﷺ, i tha: ‘Merre këtë shportë dhe jepe lëmoshë.’ Burri tha: ‘O i Dërguari i Allahut! A ka dikush më të varfër se unë? Pasha Allahun, në mes dy gurishtave (pra në Medinën) s’ka familje më të varfër se familja ime.’ Pejgamberi ﷺ, u buzëqesh derisa ju dukën dhëmballët dhe tha: ‘Ushqeje familjen tënde me to.’ ”[8]

Ky pyetës që kishte rënë në gabim ishte shumë serioz, nuk e nënvlerësonte gabimin e tij, bile keqardhje dhe ndjenja e fajësisë shfaqeshin qartë në fjalët e tij “U shkatërrova”; prandaj edhe e meritoi të mëshirohet.

Në një transmetim tjetër erdhën informacione shtesë të cilat e qartësojnë gjendjen e burrit që shkoi te Pejgamberi ﷺ, të kërkojë zgjidhje për gabimin e tij. Ebu Hurejra h, thotë: “Erdhi një beduin i binte fytyrës me duar, i shkulte flokët e tij dhe tha: ‘U shkatërrova.’ Pejgamberi ﷺ, tha: ‘Çfarë të shkatërroi?’ Burri tha: ‘Bëra marrëdhënie me gruan gjatë ditës në Ramazan.’ Pejgamberi ﷺ, e pyeti: ‘A mundesh të lirosh një skllav?’ U përgjigj: ‘Jo.’ Pejgamberi ﷺ, e pyeti: ‘A mundesh të agjërosh dy muaj rishtazi?’ Tha: ‘Jo.’ Pejgamberi ﷺ, e pyeti: ‘A posedon ushqim t’i ushqesh gjashtëdhjetë të ngratë?’ Tha: ‘Jo.’ Ebu Hurejra h, (transmetuesi i hadithit) tregon se më pas burri e paraqiti varfrinë dhe nevojën e tij. Pas pak Pejgamberi ﷺ, i erdhi me një shportë të mbushur me hurma, diku pesëmbëdhjetë sa’a, dhe tha: ‘Ku është personi që më pyeti?’ Pastaj  Pejgamberi ﷺ, i tha: ‘Merre këtë shportë dhe jepe lëmoshë.’ Burri tha: ‘O i Dërguari i Allahut! A ka dikush më të varfër se familja ime në mes të dy gurishtave (të Medinës)?’ Pejgamberi ﷺ, qeshi derisa ju dukën dhëmballët dhe tha: ‘Ushqeje familjen tënde me to.’ ”[9]


[1] Muslimi (97).

[2] Vend larg Medines 152 kilometra. (sh.p.)

[3] Muslimi (69).

[4] Muslimi (1659).

[5] Tirmidhiu (1948), dhe tha që hadithi është hasen sahih. Shejh Albani e saktësoi në Sahih et-Tirmidhij.

[6] Dhihar është kur burri i thotë gruas se ti për mua je sikurse nëna ime, do të thotë që nuk i afrohet asaj. Dhihar vjen nga fjala arabe dhahr (shpinë) që do të thotë t’ia kthesh shpinën dikujt. Dhihari ndalohet në fe. (sh.p.)

[7] Tirmidhiu (1199), dhe tha që hadithi është hasen garib sahih. Shejh Albani e vlerësoi si të mirë në Sahih et-Tirmidhij.

[8] Buhariu (1936), Muslimi (1111).

[9] El-Musned, imam Ahmedi (10688), Shuajb Arnauti tha se hadithi është i vërtetë dhe me zinxhir të mirë.

Irfan Jahiu

WWW.STUDENTET.MK

About Author

Admin_F

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *