- Gabimi duhet të korrigjohet shpejtë dhe jo të lihet pas dore:
Pejgamberi ﷺ, ishte i shpejtë në korrigjimin e gabimit, në veçanti kur dihet fakti se Pejgamberi ﷺ, nuk e ka të drejtën ta vonojë qartësimin e rregullave në kohën e domosdoshme.
Mbi supet e tij binte përgjegjësia e qartësimit të vërtetës, i udhëzonte njerëzit për kah e mira dhe ua tërheqtë vërejtjen për të keqen. Sa i shpejtë ishte Pejgamberi ﷺ, në korrigjimin e gabimeve të njerëzve, qartë e portretizojnë atë raste të shumta, sikur rasti me personin që e fali shpejtë namazin, rasti me gruan që kishte vjedhur dhe që e morri dënimin e saj, rasti i Ibn el-Lutbijes (i cili u angazhua të mbledhë zeqatin), rasti me Usamen ibn Zejdin, rasti me tre personat që donin të izolohen dhe t’i përkushtohen adhurimit të Allahut, e shumë raste të tjera që do të përmenden ndërkohë me lejen e Allahut.
Mosshpejtimi për ta korrigjuar gabimin mund të shkaktojë vonesën e mirësisë, humbjen e dobisë, ndoshta edhe largimin e mundësisë, ikjen e rastit, ftohjen e ndodhisë dhe rrjedhimisht ndikimi do të jetë më i dobët.
- Shërimi i gabimit duke e qartësuar dispozitën fetare:
Xherhed h, tregon se kofshën e këmbës e kishte të shpalosur në momentin kur kaloi pranë tij Pejgamberi ﷺ, dhe me atë rast i tha: “Mbuloje kofshën tënde, sepse ajo është nga aureti (vendet e turpit).”[1]
- Kthimi i atij që gabon në binaret e drejta duke ia rikujtuar rregullat e fesë që i kundërshtoi:
Kur ndodh gabimi dhe rrethanat përzihen, nga pështjellimi i situatës ikin nga mendja dhe harrohen rregullat e fesë. Andaj rikujtimi dhe lajmërimi për rregullat e fesë në ato momente, e kthen dhe e kthjellë gabimtarin nga pluhuri i shkujdesjes. Nëse e meditojmë ndodhinë e rrezikshme që pati ndodhur në mes të muhaxhirëve dhe ensarëve për shkak të zjarrit të fitnes që ia vunë flakën hipokritët, do të gjejmë shembullin profetik se si e trajtoi dhe e qetësoi situatën.
Xhabir ibn Abdullahu h, tregon se ishte në shoqërimin e Pejgamberit ﷺ, gjatë një ekspedite, të cilës ju kishin bashkangjitur edhe një numër i madh prej muhaxhirëve. Njëri prej tyre ishte shakaxhi, i cili në formë shakaje shkoi me dorë apo me këmbë e goditi në prapanicë njërin prej ensarëve. Ensariu u zemërua shumë nga ky veprim dhe thirri me zë: “O ju ensar, ndihmoni!” Po ashtu muhaxhiri thirri me zë: “O ju muhaxhir, ndihmoni!” Pejgamberi ﷺ, tha: “Çfarë është kjo thirrje e xhahilijetit (periudhës para islamit) që po e dëgjojë?” Pastaj tha: “Çfarë ka ndodhur në mes tyre?” Kur e lajmëruan për veprimin e muhaxhirit që ia bëri ensariut, tha: “Lëre atë vepër, sepse është e pistë.”[2]
- Korrigjimi bazës prej të cilit ka ardhur deri tek gabimi, si rezultat i mosperceptimit të saktë:
Humejd ibn Ebi Humejd et-Tavil tregon se e dëgjoi Enes ibn Malik h, të thotë: “Shkuan një grup prej tre personave te shtëpia e grave të Pejgamberit ﷺ, t’i pyesin ato për adhurimin që e bënte Pejgamberi ﷺ. Kur u njoftuan me adhurimin e tij, e nënvlerësuan veten për adhurimin që e bënin dhe thanë: ‘Ku jemi ne në krahasim me Pejgamberin ﷺ, të cilit Allahu ia fali gjynahet e mëparshme dhe të ardhshme?’ Njëri prej tyre tha: ‘Do të fali gjithnjë pandalë namaz nate!’ Tjetri tha: ‘Do të agjëroj pa ndalë, për çdo ditë !’ I fundit tha: ‘Do të largohem prej grave dhe asnjëherë nuk do të martohem!’ Kur i takoi Pejgamberi ﷺ, ju tha: ‘Ju jeni ata që keni thënë kështu dhe kështu. Pasha Allahun, unë jam njeriu më i përkushtuar ndaj Allahut, megjithatë agjëroj dhe ha, falem natën dhe fli, dhe martohem me gratë. Prandaj, nuk është prej meje, ai që largohet prej traditës sime.’ ”[3]
Sipas një versioni tjetër Enesi h, tregon për disa sahabij të cilët i pyetën gratë e Pejgamberit ﷺ, për adhurimin që e bënte Pejgamberi ﷺ në shtëpi. Prej tyre njëri tha: “Nuk do të martohem asnjëherë.” Tjetri tha: “Nuk do ta ha më mishin.” Tjetri tha: “Nuk do të flejë në shtrat (për qëllim e kishte do të falem natën dhe nuk do të fli).” Pejgamberi ﷺ, pasi që mori vesh për fjalët e tyre, e falënderoi dhe e lavdëroi Allahun, dhe ju tha: “Si është puna me ata që thonë kështu dhe kështu?! Megjithatë unë falem dhe flejë, agjëroj dhe ha, dhe martohem me gra. Prandaj, nuk është prej meje, ai që largohet prej traditës sime.”[4]
Nga hadithet mësojmë se:
– Pejgamberi ﷺ, shkoi tek ata dhe i këshilloi në veti e jo në publik, ndërsa kur deshi që njerëzit t’i mëson rreth kësaj çështjeje foli në përgjithësi, pa i shpalosur emrat e tyre dhe pa i qortuar para njerëzve, por tha: “Si është puna me disa…”. Në këtë mënyrë i mëshiroi dhe i mbuloi ata, ndërsa në anën tjetër e arriti synimin që popullata ta mësojnë mësimin.
– Hadithi tregon se lejohet të gjurmohet për gjendjet e njerëzve të mëdhenj, që të merret shembull nga veprat e tyre dhe të ecët rrugës së tyre. Gjurmimi i tillë është nga plotësimi i pjekurisë dhe orvatje për ta edukuar shpirtin.
– Gjërat e dobishme dhe të ligjshme nëse nuk munden të mësohen nga burrat lejohet të mësohen prej grave.
– Nuk ka pengesë që njeriu të flet për veprat e veta nëse i ruhet syfaqësisë, sepse në shfaqjen e tyre ka dobi për të tjerët.
– Shtrëngimi në adhurim mund të çojë deri në lodhjen e shpirtit, e kjo të çojë deri në braktisjen e adhurimit. Për këtë arsye, mesatarja është e mira e çdo gjëje.
– Gabimet në përgjithësi vijnë si pasojë e perceptimit të gabuar, andaj nëse përmirësohet perceptimi, rrjedhimisht do të pakësohen edhe gabimet. Nga hadithi i sipërpërmendur duket qartë se shkaku që i shtyri ata sahabij ta kenë konceptin e tillë se duhet të braktiset dynjaja dhe me këmbëngulje t’i përkushtohen Allahut, ishte bindja se shpëtimi vjen veç atëherë kur adhurimi është më i madh se adhurimi i Pejgamberit ﷺ, sepse Allahu e ka lajmëruar Pejgamberin ﷺ, se i ka të falura të gjitha gjynahet, në krahasim me ata që nuk e kanë këtë privilegj. E këtë koncept të ngatërruar që i largonte nga e vërteta ua korrigjoi Pejgamberi ﷺ, duke i lajmëruar ata se pavarësisht faktit që gjynahet i ka të falura, ai më shumë se të gjithë ia ka frikën dhe i përkushtohet Allahut, kështu që i urdhëroi të ecin traditës së tij dhe të kapen për adhurimin sipas rrugës së tij.
Rast i përafërt me këtë është ai i sahabiut që quhej Kehmes el-Hilalij h, i cili e tregon rastin e vet dhe thotë: “E pranova islamin dhe shkova e lajmërova Pejgamberin ﷺ. Pastaj u largova prej aty për një vit. U ktheva pas një viti me pamje të ndryshuar, truphollë dhe i dobët. Shkova te Pejgamberi ﷺ, ta takojë dhe ta përshëndeti. Kur më pa njëherit e uli shikimin, e pastaj e ngriti atë. I thash: ‘A nuk më njeh?’ Më tha: ‘Kush je ti.’ I thash: ‘Kehmes el-Hilalij.’ Tha: ‘Po çfarë ndodhi me ty?’ Ju përgjigja: ‘Pasi që u ndava prej teje, një vit të plotë për çdo ditë agjërova, ndërsa natën nuk flija dhe falja namaz nate.’ Më tha: ‘Kush të urdhëroi ta shkatërrosh veten? Agjëroje muajin e sabrit dhe gjatë çdo muaji agjëroje një ditë.’ I thash: ‘Më shto më shumë.’ Më tha: ‘Agjëroje muajin e sabrit dhe gjatë çdo muaji agjëroi dy ditë.’ I thash: ‘Më shto më shumë, kam fuqi t’i përballojë.’ Më tha: ‘‘Agjëroje muajin e sabrit dhe gjatë çdo muaji agjëroi tre ditë.’ ”[5]
Perceptimi i gabuar çon deri në vlerësimin e njerëzve me peshoren e gabuar. Pejgamberi ﷺ, ishte i kujdesshëm ta përmirësojë dhe ta qartësojë këtë koncept. Sehl ibn Sad es-Sadij h, tregon se Pejgamberi ﷺ, i pyeti të pranishmit për një burrë që kaloi pranë tyre dhe ju tha: “Çfarë mendimi keni për këtë njeri?” Të pranishmit thanë: “E meriton t’i jepet vajza kur ta kërkojë dorën e saj për fejesë, t’i pranohet ndërmjetësimi kur të ndërmjetësojë dhe t’i dëgjohet fjala kur të flet.” Pas kësaj Pejgamberi ﷺ, heshti. Ndërkohë kaloi një burrë i varfër dhe ju tha: “Çfarë mendimi keni për këtë njeri?” Të pranishmit thanë: “Nuk e meriton t’i jepet vajza kur ta kërkojë dorën e saj për fejesë, mos t’i pranohet ndërmjetësimi kur të ndërmjetësojë dhe mos t’i dëgjohet fjala kur të flet.” Pejgamberi ﷺ, tha: “Ky (i varfri) është më i mirë (tek Allahu) se krejt toka e mbushur plotë me njerëz si i pari.”[6]
Sipas një transmetimi tjetër tregohet se Pejgamberi ﷺ, i pyeti të pranishmit për një burrë që kaloi pranë tyre dhe ju tha: “Çfarë mendimi keni për këtë njeri?” Të pranishmit thanë: “Është më i ndershmi ndër njerëzit, e meriton t’i jepet vajza kur ta kërkojë dorën e saj për fejesë, t’i pranohet ndërmjetësimi kur të ndërmjetësojë dhe t’i dëgjohet fjala kur të flet.” Pas kësaj Pejgamberi ﷺ, heshti. Ndërkohë kaloi një burrë tjetër dhe sërish i pyeti: “Çfarë mendimi keni për këtë njeri?” Të pranishmit thanë: “Pasha Allahun, o i Dërguari i Allahut, për këtë njeri themi se është prej myslimanëve fukara, nuk e meriton t’i jepet vajza kur ta kërkojë dorën e saj për fejesë, as t’i pranohet ndërmjetësimi kur të ndërmjetësojë dhe as t’i dëgjohet fjala kur të flet.” Pejgamberi ﷺ, tha: “Ky (i varfri) është më i mirë (tek Allahu) se krejt toka e mbushur plotë me njerëz si i pari.”[7]
[1] Sunen Tirmidhiu (2796), imam Tirmidhiu për hadithin tha se është hasen sahih, ndërsa shejh Albani e saktësoi në Sahih et-Tirmidhij (2796).
[2] Buhariu (3518), Muslimi (2584).
[3] Buhariu (4675).
[4] Muslimi (1041).
[5] Buhariu në et-Tarih (7/239), hadithi është në es-Silsiletu es-Sahiha me numër (2623).
[6] Buhariu (6447), Ibn Haxheri thotë se ka thënë el-Kermanij që nëse burri i parë ka qenë jobesimtar, atëherë kjo është parë nga fytyra dhe pamja e jashtme e tij, e nëse jo, atëherë kjo ka qenë e ditur për Pejgamberin ﷺ, me shpallje. (Fet’hul Barij: 9/132).
[7] Sunen Ibn Maxhe (4120), shejh Albani e saktësoi në Sahih Ibn Maxhe.
Irfan Jahiu
WWW.STUDENTET.MK