1. Lutja kundër gabimtarit kokëfortë:

Në një hadith tregohet për një burrë që hante ushqim me dorën e majtë në prani të Pejgamberit ﷺ, dhe Pejgamberi ﷺ, i tha “Ha me dorën e djathtë.” Burri tha: “Nuk mundem” Pejgamberi ﷺ, i tha: “Mos mundsh kurrë.”; sepse nuk e pengoi të hajë me të djathtën e tij veç mendjemadhësia. Pas kësaj burri nuk mundi ta ngritë dorën e tij deri te goja.[1]

Imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Hadithi është argument se lejohet lutja kundër atij që e kundërshton pa arsye dispozitën sheriatike. Po ashtu është argument se lejohet thirrja në të mirë dhe ndalimi nga e keqja në të gjitha gjendjet, madje edhe gjatë ngrënies. Dhe po ashtu tregon se pëlqehet t’i mësohen rregullat e ushqimit atij që ha ushqim.”[2]

  • Injorimi i disa gabimeve, nëse i flasim për disa gabime tjera, si shenjë nderimi për gabimtarin:

Allahu thotë: “Kur i Dërguari i tregoi një sekret njërës prej grave të tij, ajo e përhapi këtë fjalë. Allahu ia zbuloi këtë të Dërguarit, i cili një pjesë të këtij zbulimi ia tha (gruas që ia përhapi sekretin), kurse pjesën tjetër jo. Kur i Dërguari ia tregoi asaj të fshehtën, ajo e pyeti: “E kush të ka treguar ty?” Ai i tha: “Ma tregoi i Gjithëdijshmi, i Mirinformuari”.” (Et-Tehrim: 3)

El-Kasimij, Allahu e mëshiroftë, në komentin e ajetit tha: 

“Kur i Dërguari”; do të thotë Muhamedi ﷺ.

“njërës prej grave të tij”; ajo ishte Hafsa.

“i tregoi një sekret”; i tregoi se ia ka ndaluar vetes Marijën, apo se ia ka ndaluar vetes një gjë që Allahu ia ka lejuar atij.

“ajo e rrëfeu këtë fjalë”; ia tregoi sekretin Aishes.

“Allahu ia zbuloi këtë të Dërguarit”; Allahu i tregoi se Hafsa e shpalosi sekretin.

“i cili një pjesë të këtij zbulimi ia tha (gruas që ia përhapi sekretin)”; i tregoi asaj një pjesë të sekretit që ajo e kishte përhap në shenjë qortimi.

“kurse pjesën tjetër jo”; pjesën tjetër nuk ia tha në shenjë nderimi të saj.

Në librin El-Iklil ceket se ajeti është argument se nuk ka pengesë t’i tregohet ndonjë sekret gruas apo shokut dhe ai detyrohet ta mbajë fshehtë atë. Po ashtu ajeti paraqet sjelljen e mirë me gratë, të qenit i mirë gjatë qortimit dhe mos marrja në llogari për çdo mëkat (diç po e diç jo). Ez-Zemahsharij përcjell për Sufjan Theurijun, Allahu e mëshiroftë, të ketë thënë: “Të paraqiturit I pavëmendshëm për çdo fjalë a vepër, vazhdon të mbetet nga veprimet e të ndershmëve.”[3]

El-Hasan el-Basrij, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “I ndershmi asnjëherë nuk i hulumton të gjitha gabimet.”[4]

  1. Përkrahja e myslimanit që ta evitojë gabimin e tij dhe ta përmirësojë atë:

Ebu Hurejra h, tregon: “Ishim duke ndejtur me Pejgamberin ﷺ, kur erdhi një burrë dhe tha: ‘O i Dërguar i Allahut, u shkatërrova.’ Pejgamberi ﷺ, tha: ‘Çfarë ke?’ Burri tha: ‘Bëra marrëdhënie me gruan duke qenë agjërueshëm (në Ramazan).’ Pejgamberi ﷺ, e pyeti: ‘A posedon skllav ta lirosh (dhe ta shpaguash gabimin)?’ U përgjigj: ‘Jo.’ Pejgamberi ﷺ, e pyeti: ‘A mundesh të agjërosh dy muaj rishtazi?’ Tha: ‘Jo.’ Pejgamberi ﷺ, e pyeti: ‘A posedon ushqim t’i ushqesh gjashtëdhjetë të ngratë?’ Tha: ‘Jo.’ Ebu Hurejra (transmetuesi i hadithit) tregon se pas këtyre fjalëve Pejgamberi ﷺ, u ndal dhe nuk kaloi kohë e gjatë dhe dikush ia solli Pejgamberit ﷺ, një shportë të mbushur me hurma. Atëherë Pejgamberi ﷺ  tha: ‘Ku është personi që më pyeti?’ Burri tha: ‘Këtu jam.’ Pejgamberi ﷺ, i tha: ‘Merre këtë shportë dhe jepe lëmoshë.’ Burri tha: ‘O i Dërguari i Allahut! A ka dikush më të varfër se unë? Pasha Allahun, nuk ka nuk ka mes dy gurishtave (të Medinës) familje më të varfër se familja ime.’ Pejgamberi ﷺ, qeshi derisa ju dukën dhëmballët dhe tha: ‘Ushqeje familjen tënde me to.’ ”[5]

  1. Takimi i gabimtarit dhe ndeja me të me qëllim të diskutimit:

Abdullah ibn Amri h, tregon: “Më martoi babai im me një grua me prejardhje fisnike. Babai e vizitonte rejën e tij (d.m.th. gruan e Abdullah ibn Amrit) dhe e pyeste për burrin e saj, e ajo ia kthente: ‘Njeri shumë i mirë. Nuk fle me mua në shtrat dhe nuk më afrohet prej që kur jemi martuar’ Kur çështja nuk ndryshoi edhe për një kohë, ia përmendi babai rastin tim Pejgamberit ﷺ, i cili tha: “Më tako me të.” Më vonë e takoi dhe e pyeti: ‘Sa agjëron?’ U përgjigj: ‘Për çdo ditë.’ I tha: ‘Sa lexon Kuran’ U përgjigj: ‘Për çdo natë e bëj një hatme.’ Pejgamberi ﷺ, i tha: ‘Për çdo muaj agjëro tre ditë dhe për çdo muaj bëje një hatme.’ Abdullahu tha: ‘Mundem më shumë se kaq!’ Pejgamberi ﷺ, i tha: ‘Agjëroi tre ditë në javë.’ Abdullahu tha: ‘Mundem më shumë se kaq!’ Pejgamberi ﷺ, i tha: ‘Agjëro dy ditë dhe dy ditë prishe.’ Abdullahu tha: ‘Mundem më shumë se kaq!’ Pejgamberi ﷺ, i tha: ‘Agjëroje agjërimin më të mirë, atë të Davudit, alejhi selam, i cili një ditë agjëronte dhe një ditë pushonte. Ndërsa Kuranin përfundoje në çdo të shtatën natë.’ (Abdullahu thotë) Sa mirë do të ishte ta pranoja lehtësimin që ma afroi Pejgamberi ﷺ, sepse me kohë u plaka dhe u dobësova.” Tregohet se kur u plak e lexonte gjatë ditës një të shtatën e Kuranit para ndonjërit prej anëtarëve të familjes, që ajo pjesë të jetë më e lehtë për lexim gjatë natës. Kur dëshironte të forcohej nuk agjëronte disa ditë, e pastaj i numëronte ato dhe agjëronte aq ditë sa nuk kishte agjëruar, pasi që urrente të lëre diçka që e vepronte në kohën kur ishte gjallë Pejgamberi ﷺ.[6]

Një versioni tjetër i hadithit është më i qartë dhe me shumë dobi:

Abdullah ibn Amri h, tregon: “Më martoi babai im me një grua nga Kurejshët. Kur erdhi tek unë, (ajo mundohej të më afrohej), ndërsa unë nuk kisha interes për të, për shkak të fuqisë së adhurimit që e kisha qoftë në agjërim e qoftë në namaz.. Erdhi Amër ibn el-As h, (babai im) ta vizitojë rejën dhe i tha: ‘Si e gjeti burrin tënd?’ Ajo i tha: ‘Burrë më i mirë, apo më i miri bashkëshort në mesin e burrave. Nuk fle me mua në shtrat dhe nuk më afrohet prej që kur jemi martuar’ Erdhi tek unë dhe më qortoi me gjuhën e tij, dhe më tha: ‘Të martova me grua të ndershme nga Kurejshët, e ti nuk i afrohesh sikur i afrohet burri gruas, e ke bërë këtë dhe këtë!’ Pastaj shkoi të ankohet te Pejgamberi ﷺ, dhe pas pak erdhën më thirrën të shkojë ta takojë. Pejgamberi ﷺ, më tha: ‘A agjëron gjatë ditës?’ U përgjigja: ‘Po.’ Më tha ‘A zgjohesh natën për namaz’ U përgjigja: ‘Po.’ Pejgamberi ﷺ, tha: ‘Unë agjëroj dhe e prishi, falem natën dhe flejë, dhe i afrohem grave. Kush largohet nga tradita ime nuk është prej meje.’ Pastaj më tha: ‘Përfundoje një hatme të Kuranit për çdo muaj.’ U përgjigja: ‘Kam fuqi për më shumë se kaq!’ Pejgamberi ﷺ, tha: ‘Përfundoje në çdo dhjetë ditë.’ U përgjigja: ‘Kam fuqi për më shumë se kaq!’ Pejgamberi ﷺ, tha: ‘Përfundoje në çdo tretën ditë.’ Pastaj më tha: ‘‘Agjëroi tre ditë në muaj.’ U përgjigja: ‘Kam fuqi për më shumë se kaq!’ Vazhdoi të më shtojë nga ibadeti derisa tha: ‘Agjëro një ditë dhe prishe një ditë. Ky është agjërimi më i mirë, ky është agjërimi i vëllait tim Davudit.’ Pastaj Pejgamberi ﷺ  tha: ‘Çdo adhurues ka eufori (vullnet në fillim) dhe pas çdo euforie vjen koha e plogështisë. Ose kah suneti, ose kah bidati (risia). Me të vërtetë, kohën e plogështisë kush e kalon sipas sunetit, ai vetëm se është udhëzuar, e kush e ka kalon në mënyrë tjetër, ai vetëm se është shkatërruar.’ ” Muxhahidi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Abdullah ibn Amri h, kur u plak dhe u dobësua agjëronte disa ditë rresht, e më pas që të forcohet, e prishte po aq ditë sa i agjëronte. Lexonte pjesën e caktuar të Kuranit, nganjëherë shtonte, e nganjëherë pakësonte, përveç se ndryshonte koha e kryerjes së hatmes, ose për shtatë ditë, ose për tre ditë. Ndër të tjera Abdullah ibn Amri thoshte: ‘Po ta pranoja lehtësimin që ma ofroi Pejgamberi ﷺ, për mua do të ishte më e dashur se ajo që e zgjodha vet, mirëpo e urrej të bëj diçka tjetër jashtë asaj që e kam vepruar duke qenë gjallë Pejgamberi, ﷺ.’ ”[7]

Nga dobitë e ngjarjes:

– Gabimi qëndronte te thellimi në ibadet, saqë nuk mbetej kohë për t’i kryer detyrat që i ka ndaj gruas dhe kjo çoi deri në mangësi, dhe Pejgamberi, e kuptoi shkaktarin e problemit.

– Parimi “jepja hakun secilit sipas të drejtave që i meriton” përdoret për çdonjërin i cili është i angazhuar me punë dhe i thelluar në adhurime, sikur kërkuesi i dijenisë i cili merret me studime të shumta, thirrësi në fenë e Allahut i cili thellohet dhe merret me çështjet e thirrjes në fe, e kjo i çon që gratë të ankohen dhe të dëmtimi prej tyre. Ky problem vjen nga mosbaraspeshimi në realizimin e adhurimeve të ndryshme dhe shpërndarjen e kohës atyre që duhet me ja dhanë të drejtat. Nuk ka problem nëse kërkuesi i dijes pakëson nga ligjëratat e tij, e tjetri pakëson nga angazhimet e tij, me qëllim që të gjejë kohë të mjaftueshme të përkujdeset për shtëpinë, për gruan dhe për fëmijët, duke ja dhënë hakun çdonjërit në përmirësim, mirësjellje dhe edukim.

  1. Të qenit i korrekt dhe transparent me gabimtarin në paraqitjen e gjendjes dhe gabimit të tij:

E panë Ebu Dherrin h, kishte veshur një veshje dhe shërbëtori i tij kishte veshur një veshje të njëjtë, e i thanë: “Sikur t’i bashkoje ato dy tesha, tënden dhe të shërbëtorit, ta bëje një kostum prej dy pjesëve të njëjta, e shërbëtorit t’ia jepje një veshje tjetër?” Ebu Dherr h, tha: “Patë ndodhur mosmarrëveshje në mes meje dhe një burri, nëna e të cilit ishte e huaj (me ngjyrë të zezë), e unë e shava (për qëllim e kishte e ofendova duke i thënë që nënën e ke të zezë) dhe ai më lajmëroi te Pejgamberi ﷺ. Kur shkova tek ai më pyeti: ‘A e shave filanin?’ I thash: ‘Po.’ Më tha: ‘A e ofendove me nënën e tij?’ I thash: ‘Po.’ Më tha: ‘Ti je një person që ende ke xhahilijet (cilësi të paraislamit).’ ‘Edhe pas gjithë kësaj kohës së gjatë që kam kaluar në islam dhe me islam, – i thash?’ Tha: ‘Po. Ata (robërit) janë vëllezërit tuaj, Allahu i bëri të jenë nën përkujdesjen tuaj. E kë Allahu e bën që vëllai i tij mysliman të jetë nën përkujdesjen e tij, le ta ushqejë me atë që vet ushqehet, le ta veshë me atë që vet vishet, mos ta ngarkojë me punë që nuk mundet ta bartë, e nëse duhet ta angazhojë me punë të tillë, le t’i ndihmojë atij.’ ”[8]

Sipas një versioni tjetër, el-Ma’rur ibn Suvejdi tregon: “Kaluam te vendi er-Rabdheh (vend afër Medines), e pamë Ebu Dherrin h,  kishte veshur një veshje dhe shërbëtori i tij kishte veshur një veshje të njëjtë, e i thanë: “Sikur t’i bashkoje ato dy tesha, tënden dhe të shërbëtorit, ta bëje një kostum prej dy pjesëve të njëjta, (e shërbëtorit t’ia jepje një veshje tjetër)?” Ebu Dherr h, tha: “Patë ndodhur mosmarrëveshje në mes meje dhe një burri prej vëllezërve tanë, nëna e të cilit ishte e huaj (me ngjyrë të zezë), e unë e shava (për qëllim e kishte e ofendova duke i thënë që nënën e ke të zezë) dhe ai u ankua te Pejgamberi ﷺ. Kur shkova ta takojë Pejgamberin ﷺ, më tha: ‘O Ebu Dherr, ti je një person që ende ke xhahilijet (cilësi të paraislamit).’ I thash: ‘O i Dërguar i Allahut! Kush shan, ia shajnë atij babën dhe nënën (d.m.th. që ai më shau dhe unë ia ktheva me sharje)!’ Më tha: ‘Ti je një person që ende ke xhahilijet (cilësi të paraislamit). Ata janë vëllezërit tuaj, Allahu i bëri të jenë nën përkujdesjen tuaj. Ushqeni ata me atë që vet ushqeheni, vishni ata me atë që vet visheni, mos i ngarkoni me punë përtej mundësive, e nëse duhet t’i angazhoni me punë të tillë, ndihmojë atyre.’ ”[9]

Kjo korrektësi dhe transparencë e Pejgamberit ﷺ, me Ebu Dherrin h,  ishte sepse Pejgamberi ﷺ, e dinte që sahabiu do ta pranonte këtë. Andaj transparenca në të shprehurit është metodë e dobishme që ta shkurton kohën, ta kursen mundin dhe e qartëson atë që synohet në mënyrën më të lehtë, mirëpo zbatimi i saj duhet të jetë aty ku i përshtatet vendi, koha dhe personi.

Nëse thirrësi në fenë e Allahut e parasheh që kjo metodë mund të çojë deri në dëm më të madh apo të hiqet ndonjë dobi më e madhe, sikur në rastin gabimtari të jetë njeri me pozitë apo me pushtet dhe nuk e pranon metodën e tillë, apo të qenit transparent me gabimtarin e fut në siklet të madh atë, apo mund të jetë tepër i ndjeshëm e kjo ta çojë të reagojë keq; atëherë mundet ta ndryshojë metodën dhe të përdorë metodën më të përshtatshmen që e sheh (në suaza të islamit). S’ka dyshim që transparenca për gabimtarin është e rëndë dhe nuk e parapëlqen, shkaku që në vete përfshin ballafaqim dhe vështirësi, dhe e shfaq veten i mangët përballë kritikut i cili e shfaq veten nga pozita e epërsisë dhe mësuesit.

Po ashtu duhet pasur kujdes nga përdorimi i metodës “rreth e rrotull”, sepse anët negative të saj nganjëherë mund të jenë më shumë se ato të metodës së transparencës. Këtë metodë gabimtari mund ta përjetojë si tallje dhe të ngushtohet nga bërja e gjesteve të fshehta, duke i përjetuar ato si një përqeshje dhe lëndim i fshehtë. Në kësi raste ai nuk i pranon udhëzimet dhe ato as që e arrijnë synimin, që për gabimtarin në rrethana të tilla është i paqartë dhe është larg mendjes, gjë e çon të vazhdojë në gabimin e tij të vjetër.

Në përgjithësi njerëzit dallojnë në pranimin e këshillave, prandaj duhet të përdoret metoda më e mirë e mundshme për çdonjërin prej tyre. Megjithatë prapëseprapë morali i mirë gjatë prezantimit dhe udhëzimit mbetet faktori me ndikim më të madh në realizimin e detyrës.


[1] Muslimi (2021).

[2] Sherh Sahih Muslim (13/192).

[3] Mehasin et-Tevil (9/274).

[4] Tefsir el-Bagavij (8/164).

[5] Buhariu (1936), Muslimi (1111).

[6] Buhariu (5052).

[7] El-Musned (2/158), Ahmed Shakir thotë që zinxhiri është i saktë (6477). Shejh Albani në librin Sifatus Salati en-Nebij ﷺ (2/518), zinxhiri është i saktës sipas kritereve të Buhariut dhe Muslimit.

[8] Buhariu (6050), Muslimi (1661).

[9] Sahih Muslim (1661).

Irfan Jahiu

WWW.STUDENTET.MK

About Author

Admin_F

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *