Inteligjenca artificiale mund të përpunojë informacione, të njohë modele, të shkruajë raporte dhe të kryejë detyra me një shpejtësi të paimagjinueshme. Por ekziston një gjë që teknologjia nuk mund ta bëjë në mënyrë autentike, të kujdeset vërtet për njerëzit. Pikërisht për këtë arsye, empatia po bëhet një nga aftësitë më të rëndësishme të liderëve modernë.
Hyrja në epokën e inteligjencës artificiale po ndryshon mënyrën se si mendojmë për aftësitë njerëzore. Nëse inteligjenca artificiale mund të gjejë informacione më të sakta se i gjithë ekipi dhe t’i analizojë ato brenda pak sekondash, atëherë të jesh “personi më i zgjuar në dhomë” nuk është më e mjaftueshme. Vlera e një lideri gjithnjë e më shumë reflektohet në atë që teknologjia nuk mund të ofrojë-aftësinë për t’i kuptuar njerëzit, për t’i dëgjuar dhe për t’i ndihmuar të ndihen të parë dhe të vlerësuar.
Sipas Doug Noll, autorit të “Lidershipi me empati”, empatia është “aftësia e mësuar për të perceptuar dhe për të emërtuar përvojën emocionale të një personi tjetër nga këndvështrimi i atij personi”.Para se të bëhej mediator, Noll punonte si avokat. Nga viti 2010 deri në vitin 2020, së bashku me kolegen e tij Laurel Kaufer, ai trajnoi mijëra të burgosur në Kaliforni në teknikat për parandalimin e dhunës në burgje. Empatia ishte baza e qasjes së tyre për deeskalimin e konflikteve dhe rregullimin e sistemit nervor.
“Empatia shpesh reduktohet në një ide të paqartë për atë që ndien personi tjetër. Por ajo nuk është e paqartë. Është një aftësi e saktë neurofiziologjike që çdokush mund ta mësojë dhe ta zbatojë shpejt”, shpjegon Noll.
Puna e tij tregon se sa e fuqishme mund të jetë empatia, veçanërisht në situata ku besimi, siguria dhe marrëdhëniet ndërnjerëzore janë thelbësore. Në mjedisin e biznesit, ajo është e rëndësishme për të paktën katër arsye.
Njerëzit duan të ndihen të vlerësuar
Punonjësit jo domosdoshmërisht i largohen kompanive për shkak të pagës, ngarkesës së punës ose mungesës së mundësive për avancim. Shpesh ata largohen sepse ndihen sikur përpjekjet e tyre nuk vërehen ose nuk vlerësohen.
Autori i tekstit sjell shembullin e një punonjëseje e cila, pas 20 vitesh punë në kompani, mori një email urimi për përvjetorin e saj të punës. Megjithatë, kur kuptoi se mesazhi ishte krijuar nga inteligjenca artificiale, kënaqësia u zhduk. Edhe pse formalisht ishte lavdëruar, mesazhi nuk kishte një ton personal dhe krijoi përshtypjen se menaxheri i saj nuk kishte dashur të investonte as pak kohë për të shkruar disa fjali vetë.
Dallimi mes njohjes së kontributit dhe ndjenjës së vërtetë të mirënjohjes shpesh qëndron pikërisht te qasja personale. Njerëzit duan të dinë se dikush e ka vënë vërtet re kontributin e tyre dhe jo se kanë marrë thjesht një lavdërim automatik.
Marrëdhëniet i japin kuptim punës
Vendi i punës nuk është vetëm një hapësirë ku kryejmë detyrat për të cilat paguhemi. Në punë krijohen miqësi, aleanca dhe lidhje që shpesh shkojnë përtej orarit të punës dhe zgjasin me vite.
Inteligjenca artificiale mund të ofrojë sasi të mëdha të dhënash, por përdorimi i tyre në mënyrë kuptimplotë, të dobishme dhe etike kërkon përvojë njerëzore, kuptim të kontekstit dhe aftësi për të dalluar nuancat. Pikërisht këta elementë mundësojnë ndërtimin e marrëdhënieve cilësore mes kolegëve.
Marrëdhëniet e mira i ndihmojnë punonjësit të gjejnë qëllim, përkatësi dhe ndjenjën se janë pjesë e diçkaje më të madhe sesa thjesht një listë detyrash.
Besimi nuk mund të automatizohet
Besimi është një nga themelet e një mjedisi pune ku njerëzit ndihen të sigurt, të përfshirë, të respektuar dhe të vlerësuar. Ai u mundëson punonjësve të shprehin një mendim ndryshe, të propozojnë një ide të guximshme ose të pranojnë një gabim, duke pasur besimin se lideri nuk do t’i braktisë kur gjërat nuk shkojnë sipas planit.
Besimi ndërtohet ngadalë, përmes bisedave, përvojave dhe bindjes graduale se ajo që ndajmë me një person tjetër është e sigurt. Në të njëjtën kohë, ai mund të shkatërrohet shumë shpejt.
Njerëzit janë natyrshëm të orientuar drejt lidhjes me të tjerët dhe kanë nevojë t’u besojnë njerëzve përreth tyre. Prandaj, ndërtimi i besimit nuk është vetëm një proces racional, por edhe një përvojë emocionale që mbështetet te empatia.
Inteligjenca artificiale mund të imitojë emocionet, por nuk mund t’i ndiejë ato. Pikërisht për këtë arsye, ajo nuk mund të ndërtojë të njëjtin lloj lidhjeje që krijohet mes njerëzve që kuptohen dhe që vërtet kujdesen për njëri-tjetrin.
Të kuptuarit e njerëzve zbulon potencialin e tyre më të mirë
Empatia na ndihmon të kuptojmë më mirë veten dhe të tjerët. Ajo u jep liderëve mjetet për të njohur emocionet e të tjerëve, për të reaguar me kujdes dhe për të krijuar një mjedis ku njerëzit ndihen të sigurt.
Kur i kuptojmë më mirë emocionet tona, mund të shohim më lehtë se si ndikojmë te të tjerët. Në të njëjtën kohë, bëhemi më të vetëdijshëm se njerëzit e tjerë nuk mendojnë dhe nuk ndihen njësoj si ne.
Për liderët, kjo do të thotë se qasja në teknologjinë më të mirë nuk është e mjaftueshme. Është e nevojshme të zhvillohen njerëzit,të kuptohet se si të lidhemi me ta, të fitohet besimi i tyre dhe t’i ndihmojmë të përdorin aftësitë e tyre.
Pa këto themele, edhe teknologjia më e avancuar nuk do të jetë në gjendje të realizojë potencialin e saj të plotë.
Kujtimet më të rëndësishme nga puna nuk do të lidhen me teknologjinë
Kur të kthehemi pas në përvojën tonë profesionale, ndoshta nuk do të kujtojmë softuerët, platformat ose mjetet që kemi përdorur më shumë. Do të kujtojmë liderët që e njohën potencialin tek ne që ne vetë nuk e shihnim. Do të kujtojmë kolegët me të cilët krijuam miqësi, njerëzit që na dëgjuan dhe marrëdhëniet që na ndihmuan të kalonim periudha të vështira.
Teknologjia do të ndryshojë, do të vijë dhe do të largohet. Megjithatë, lidhjet që krijojmë me njerëzit lënë gjurmë më të qëndrueshme.
Pikërisht për këtë arsye, empatia nuk është një “aftësi e butë” që mund të shpërfillet në favor të produktivitetit dhe automatizimit. Ajo është një nga aftësitë kryesore që do të dallojë liderët e mirë nga ata që dinë vetëm të përdorin mjetet më të mira.
Përgatiti dhe përshtati:
WWW.STUDENTËT.MK