Frytet e padrejtësisë dhe zullumit, zullumqari i vjelë në këtë botë dhe në ahiret. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nuk ka mëkat më meritor që All-llahu ta shpejtojë dënimin e atij mëkatari qysh në këtë botë, përveç asaj që e le për ahiret, sesa zullumi dhe ndërprerja e lidhjeve farefisnore.”[1]
Dëmet e padrejtësisë dhe zullumit janë të shumta, por do të mjaftohemi me përmendjen e vetëm disa prej tyre:
1. Padrejtësia dhe zullumi shkaktojnë hidhërimin dhe zemërimin e All-llahut të Madhërishëm, të cilat i vijnë zullumqarit në mënyra dhe forma të ndryshme të dënimit.
2. Pranimi i lutjes së të dëmtuarit ndaj dëmtuesit.
3. E shkatërrojnë shtëpinë dhe për shkak të tyre bien shtetet.
4. Druajtja dhe largimi i njerëzve nga zullumqari nga frika e ashpërsisë së tij.
5. Mëkati i zullumqarit kalon te tjetri.
6. Janë shenjë për errësimin dhe vrazhdësinë e zemrës.
7. Mosreagimi ndaj zullumqarit duke e ndaluar atë nga zullumi e shkatërron ummetin.
8. Ato ndikojnë që i dërguari i All-llahut ta urrejë zullumqarin.
9. Poshtërimi dhe përçmimi i zullumqarit tek All-llahu i Madhërishëm.
10. Zullumqari nuk përfshihet në ndërmjetësimin (shefatin) e të dërguarit të All-llahut.[2]
Mbi të gjitha, All-llahu i Madhërishëm nuk ia bën të mundshme dhuntinë e udhëzimit, siç thotë në kur’an: “Vërtet All-llahu nuk vë në rrugë të drejtë popullin zullumqar.”[3] Kjo, sepse kur mëkati është mes robit dhe All-llahut të Madhërishëm, All-llahu i Madhërishëm e pranon pendimin e tij, madje të këqijat ia shndërron në të mira… Ndërsa për zullumet e robërve mes vete, robi medoemos të kërkojë hallallëk nga i dëmtuari.
Madje All-llahu i Madhërishëm ia ndalon zullumqarit dashurinë e Vet. All-llahu i Madhërishëm thotë: “All-llahu nuk i do zullumqarët.”[4] Ne na mbetet të imagjinojmë një njeri që jeton në tokën e All-llahut, ndërsa All-llahu e urren dhe nuk e do atë.
Prandaj poeti thotë:
Mos bëj zullum kur të jepet mundësia
Sepse zullumi më në fund kthehet në pendim
Syri yt fle, e i dëmtuari është i kujdesshëm
Lutet kundër teje, ndërsa syri i All-llahut nuk fle.
E lus All-llahun e Madhërishëm të na furnizojë me dhuntinë e drejtësisë ndaj secilit që kemi përreth nesh dhe të na ruajë që të mos bëjmë zullum e as të mos na bëhet zullum. Po ashtu e lusim që të na bashkojë me Pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem në xhennet, në të cilin ka ato që syri s’i ka parë, veshi s’i ka dëgjuar e as mendja e njeriut s’i ka imagjinuar dot.
Bekimet e All-llahut qofshin me Pejgamberin tonë, Muhammedin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem si dhe me familjen dhe shokët e tij.
[1] Sahih, shënojnë Ebu Davudi (4902), Tirmidhiu (2511), Ibën Maxhe (4211) dhe Ahmedi (19861). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (5704) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[2] Shkëputur nga libri Nedretun-Neim (10/4926).
[3] Kaptina El-Maide, ajeti 51.
[4] Kaptina Alu Imran, ajeti 140.
STUDENTET.MK