1. Përkujdesja për ndjenjat e atij që ka ndonjë të metë fizike:
Kur një mysliman e sheh dikë që ka sëmundje, gjymtim, të metë fizike, nga rregullat islame është që ta falënderojë Allahun për shëndetin e plotë që e ka dhe nuk duhet që ta lëndojë dikë të sprovuar duke i ngulitur sytë tek ai. Kjo e lëndon, e bën të ndiejë mangësi dhe i jep dhembje në shpirt atij. E bën të mendojë që njerëzit e përbuzin dhe se ata janë më të mirë se ai. Në përgjithësi, ata që kanë ndonjë sëmundje e urrejnë që njerëzit t’i mbajnë sytë tek ata.
Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “Mos e ngulitni shikimin te të sëmurët nga lebra.”86 Në një transmetim tjetër po ashtu të Ibën Abasit, përcjell se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “Mos e mbani pa ndalur shikimin te të sëmurët nga lebra.”
Zer ibën Hubejsh përcjell për Abdullah ibën Mesudin, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, se ishte duke e vjelë një misvak nga druri i misvakut. “Me trup ishte i dobët këmbëhollë, saqë gati era nuk e rrëzonte për tokë. Njerëzit u qeshën me të. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, iu tha: ‘Pse po qesheni?’ I thanë: ‘O I Dërguar i Allahut, po qeshemi me këmbët e holla të tij.’ Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: ‘Pasha Atë që shpirti im është në Dorën e Tij. Ato dy këmbë të holla të tij peshojnë më rëndë në peshore se kodra e Uhudit’.”
Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “Kush e sheh një të sprovuar dhe thotë: “Falënderimi i takon Allahut, i Cili më shpëtoi dhe më ruajti nga ajo që të sprovoi ty, si dhe më dalloi me mirësi nga shumë krijesa të Tij.”
Imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë, tha: “Dijetarët e përmendin që kjo lutje duhet të thuhet fshehurazi, aq sa ta dëgjojë në vete ai që e thotë dhe jo ta dëgjojë i sprovuari që mos t’i japë dhimbje në zemër atij. Përveç nëse sprova e tij është ndonjë mëkat, atëherë nuk ka pengesë që i sprovuari t’i dëgjojë këto fjalë, me kusht që thënësi të jetë i sigurt që kjo nuk do të shkaktojë ndonjë dëm. Allahu e di më së miri.”
2. Përkujdesja për ndjenjat e atij që e ka goditur ndonjë lëndim:
Abdullah ibën Ma’kal thotë: “U ula pranë Kab ibën Uxhreh, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, në këtë xhami, d.m.th. xhaminë e Kufes, e pyeta për shpagimin e agjërimit, ai m’u përgjigj: ‘Më thirrën të shkoja te Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ndërsa morrat më binin andej-këndej nëpër fytyrë. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, më tha: ‘Nuk ma mori mendja që gjendja do të të vështirësohej deri këtu. A ke ndonjë dele (për ta shpaguar heqjen e flokëve duke qenë në ihram shkaku i morrave, -sh.p.-)?’ I thashë: Jo. Më tha: ‘Agjëroji tri ditë, ose
ushqeji gjashtë veta të ngratë, për çdo të ngratë nga gjysmë sa’a nga ushqimi dhe rruaje kokën.’ Kab ibën Uxhreh thoshte: ‘Këto rregulla zbritën për mua, por edhe për juve në përgjithësi’. ”
Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, thotë: “U nisëm me Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, për kryerjen e haxhit. Kur mbërritëm në Serife, më erdhën menstruacionet. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, hyri tek unë dhe më gjeti duke qarë. Më tha: ‘Pse po qan?’ I thashë: Pasha Allahun, do të dëshiroja të mos isha nisur për në haxh këtë vit. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: ‘A je bërë me menstruacione?’ I thashë: Po. Më tha: ‘Kjo është diçka që Allahu ua ka caktuar bijave të Ademit. Kryeji ritet e haxhit ashtu siç i veprojnë haxhilerët, përveç tavafit, atë mos e bëj derisa të pastrohesh’.”
Me një transmetim tjetër: “Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ishte modest, i thjeshtë dhe i lehtë, kur Aisha dëshironte diçka (që nuk binte ndesh me parimet fetare), ai i përgjigjej kërkesës së saj.”
3. Përkujdesja për ndjenjat e atij që rrëzohet ose ndien dhembje:
Numan ibën Beshir, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “Besimtarët në mëshirë, dashuri dhe solidarizim në mes vete janë sikur një trup. Kur një organ i trupit ankohet dhe sëmuret, atëherë i tërë trupi vuan nga pagjumësia dhe ethet.”
Ai është një trup që pjesa e epërme e tij e ndien dhimbjen, nëse goditet pjesa e poshtme. Kur një mysliman goditet me diçka të keqe, nga e drejta e vëllazërisë është të ndihmohet dhe përkrahet, të bashkëndihet me të, e jo të përbuzet dhe braktiset në baltë, sepse ky është moral i keq.
El-Esued, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Disa të rinj nga fisi Kurejsh shkuan tek Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, duke qenë ajo në Mina. Kur i pa Aisha që po qeshnin, iu tha: ‘Pse po qeshni?’ Thanë: ‘Filani u rrëzua në litarin e tendës, për pak ta thyente qafën ose ta humbte syrin.’ Aisha iu tha: ‘Mos qeshni, sepse e kam dëgjuar Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, duke thënë: ‘Secilin mysliman që e thumbon një gjemb e përpjetë, i rritet atij një gradë dhe i fshihet një gabim’.”
4. Përkujdesja për ndjenjat e atij që i ka ndodhur diçka nga e cila turpërohet:
Feja islame është fe e edukatës dhe e moralit të lartë. Ajo i gjen zgjidhje myslimanit në çdo gjendje dhe situatë. Të marrim për shembull kur një mysliman del imam ose është xhemat dhe gjatë namazi
i prishet abdesi, ai vihet në siklet, prandaj Islami u përkujdes për këtë ndjenjë shpirtërore dhe e udhëzoi atë si të dalë nga kjo situatë, njëkohësisht e mbron nga vetja që mos ta nxisë të vazhdojë namazin pa abdes. Këtë e dëshiron shejtani dhe ia zbukuron atij. Rrugëdalja e tillë nuk bën pjesë në llojet e gënjeshtrës së ndaluar. Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, përcjell se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “Kur ndonjërit nga ju i prishet abdesi në namaz, le ta kapë hundën (kinse po i del gjak nga hunda) dhe le të dalë nga namazi.”
Hadithi udhëzon që si të fshehet një situatë e tillë që e fut njeriun në siklet dhe ky lloj veprimi nuk llogaritet syefaqësi.
Po ashtu Islami si fe u përkujdes për ndjenjat e atij që vihet në siklet para njerëzve kur i del diçka pa dëshirë nga trupi i tij. Abdullah ibën Zem’ah, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i këshilloi ata për të qeshurit e tyre me atë që lëshon gazra nga barku dhe u tha: “Përse po qesheni me atë që lëshon (ose i dalin) gazra nga barku?”
Irfan Jahiu
WWW.STUDENTET.MK