Fillimi i një biznesi rrallë dështon për shkak të idesë. Më shpesh dështon për diçka shumë më të thjeshtë: askush nuk e di që ekziston. Në një kohë kur të gjithë shesin diçka, më e vështira është të të vënë re. Dhe akoma më e vështirë është të të mbajnë mend.
Bizneset e vogla zakonisht nuk kanë buxhet për fushata të shtrenjta. Por kanë diçka tjetër: fleksibilitet, shpejtësi dhe ndjeshmëri ndaj njerëzve. Pikërisht aty fshihet avantazhi. Disa hapa të thjeshtë mund të bëjnë diferencën mes një agjende bosh dhe një liste të mbushur me porosi.
Ja 20 ide që nuk kërkojnë miliona, por pak zgjuarsi dhe qëndrueshmëri:
Fillo nga baza -ekzisto në hartë. Fjalë për fjalë. Regjistro një profil në Google, vendos lokacionin e saktë dhe disa foto. Njerëzit të kërkojnë aty së pari. Nëse nuk të gjejnë, nuk ekziston.
Pastaj vijnë rrjetet sociale. Nuk duhet të jesh kudo. Më mirë një platformë, por aktive. Një foto çdo ditë, video të shkurtra, përgjigje ndaj komenteve. Prania ka rëndësi.
Ofron diçka falas. Një mostër, një këshillë, një mini-shërbim. Njerëzit duan të “provojnë” para se të blejnë. Nëse i fiton këtu, je një hap përpara.
Kërko mendime nga klientët. Recensione. Mos u turpëro. Ato pak fjali nga njerëz realë vlejnë më shumë se çdo reklamë.
Bashkëpunime. Biznes i vogël me biznes të vogël. Berber me kozmetolog, trajner fitnesi me nutricionist. Ndani audiencën-të gjithë fitojnë.
Mos e nënvlerëso fjalën “gojë më gojë”. Nxite. Jep një zbritje për rekomandim, një dhuratë për klient të ri. E vjetër, por funksionon.
Përmbajtje. Nuk duhet të jetë perfekte. Trego si punon, çfarë përdor, si duket “pas skenave”. Njerëzit duan autenticitet.
Përdor grupet lokale. Aty është publiku yt. Por jo me shitje agresive. Ndihmo, përgjigju, bëhu pjesë e bisedës. Shitja vjen më pas.
Fotografia bën mrekulli. Një foto e mirë mund të shesë më shumë se dhjetë fjali. Nuk duhet pajisje e shtrenjtë- mjafton dritë dhe kompozim i pastër.
Merr pjesë në evente. Panaire, bazare, aktivitete lokale. Kontakti i drejtpërdrejtë nuk zëvendësohet.
Një faqe e thjeshtë web-i. Nuk ka nevojë të jetë komplekse. Informacion bazë, kontakt, disa foto. Mjafton për besim.
Ofron oferta të kufizuara. Koha është një nxitës i fortë. “Vetëm sot”, “vetëm këtë javë”. Njerëzit reagojnë më shpejt.
Puno te pamja e brandit. Ngjyra, stil, mënyrë komunikimi. Të të njohin edhe pa lexuar emrin.
Lista e email-eve. Po, funksionon ende. Mblidh kontakte, dërgo oferta dhe lajme. Komunikim direkt, pa algoritme.
Përgjigju shpejt. Mesazhe, komente, pyetje. Nëse vonohesh, klienti ka blerë diku tjetër.
Video përmbajtje. E shkurtër dhe dinamike. Njerëzit shikojnë më shumë sesa lexojnë. Një minutë mund të bëjë diferencë.
Trego rezultate. Para dhe pas. Shembuj realë. Kjo ndërton besim.
Bëj pyetje publikut. Përfshiji. Kur përgjigjen, bëhen pjesë e historisë.
Mos ki frikë nga humori. Pak njerëzillëk gjithmonë ndihmon.
Dhe në fund-më e rëndësishmja: ji i qëndrueshëm. Nuk është një truk që funksionon vetëm një herë. Marketingu është zakon. Çdo ditë nga një hap i vogël.
Shumë biznese dështojnë jo sepse janë të këqija, por sepse heshtin.
Ata që flasin- edhe ngadalë, por vazhdimisht – në fund dëgjohen nga të gjithë.
Përgatiti dhe përshtati:
WWW.STUDENTËT.MK