Likuiditeti është një kusht për drejtimin financiar dhe një kusht i mbijetesës së ndërmarrjes. Menaxhmenti i ndërmarrjes duhet të ketë kujdes që të mbajë një lloj ekuilibri ndërmjet kohëzgjatjes së një operacioni për t’u financuar dhe kohëzgjatjes së mjeteve korrensponduese të financimit.

Blerja e materialeve dhe pajisjeve, nëse ato përfaqësojnë një ngurtësim fondesh për më shumë se një vit duhet të financohet me anë të mjeteve të disponueshme për një periudhë po aq të gjatë. Në një vështrim të përgjithshëm, të interesohesh për likuiditetin e ndërmarrjes, do të thotë të vlerësosh qëndrimin e saj për të përballuar detyrimet afatshkurtra. Në këto kushte treguesit e likuiditetit konsistojnë në analizën e likuiditetit të ndërmarrjes.

Treguesit e likuiditetit kanë për qëllim të tregojnë aftësinë e ndërmarrjes për pagesën e obligimeve afatshkurta në afatin e caktuar, duke ruajtur shumën dhe strukturën e mjeteve xhiruese dhe bonitetin kreditor të vet ndërmarrjes. Te treguesit e likuiditetit, duhet vënë në dukje nevojën që krahas tregimit të likuiditetit rrjedhës dhe likuiditetit momental të përmendet edhe shuma neto e kapitalit qarkullues të firmës, si dhe diferenca ndërmjet mjeteve të përgjithshme qarkulluese të firmës dhe obligimeve të përgjithshme afatshkurta.

Likuiditeti rrjedhës më së shumti shfrytëzohet si tregues për matjen e aftësisë së ndërmarrjes për t’i paguar të gjitha borxhet afatshkurta që kanë skaduar. Ky tregues në fakt paraqet raportin midis mjeteve rrjedhëse xhiruese dhe obligimeve afatshkurta. Në interpretimin e këtij treguesi duhet të kemi parasysh supozimin se brenda një periudhe të shkurtër mjetet xhiruese, të cilat gjenden në qarkullim do të shndërrohen në formë likuide. Sa më i madh të jetë ky tregues, aq më i madh është likuiditeti i ndërmarrjes. Meqenëse një pjesë e mjeteve xhiruese janë të lidhura në (materiale, stoqe, prodhime), shndërrimi i tyre në mjete likuide nuk mund të realizohet menjëherë, për të treguar likuiditetin e ndërmarrjes përdoret edhe treguesi momental i likuiditetit.

Likuiditeti momental paraqet shumën e mjeteve xhiruese nga e cila merren stoqet në raport me obligimet afatshkurta. Analiza e cila bazohet në këtë tregues niset nga supozimi se likuiditeti i ndërmarrjes është i kënaqshëm, atëherë kur treguesi ka vlerë më të madhe se 1 dhe nëse koha e realizimit të kërkesave përputhet me kohën e skadimit të obligimeve për t’i paguar. Përveç treguesve të lartpërmendur, për vlerësimin e likuiditetit të ndërmarrjes dhe aftësisë së saj për pagesën e obligimeve afatshkurta shfrytëzohen edhe treguesit për madhësinë e kapitalit xhirues neto, i cili paraqitet si diferencë midis mjeteve të përgjithshme xhiruese dhe obligimeve afatshkurta. Kapitali xhirues neto është pjesa e mjeteve xhiruese, e cila kalon obligimet afatshkurta.

 

Përmblodhi dhe përshtati :

STUDENTET.MK

About Author