Përcaktor kallëzuesor është gjymtyra e dytë e fjalisë me lidhje dyanësore që vihet në marrëdhënie rrethanore me foljen në funksionin e këllëzuesit (ose të një gjymtyre të dytë) dhe në marrëdhënie përcaktore me një emër a përemër krysisht në funksionin e kryefjalës ose të kundrinës: Këmbët i kishte të rënda nga balta që i qe ngjeshur nën këpucë. Dy zogj fluturuan të trembur.

Lidhja dyanësore është tipari kryesor që karakterizon natyrën sintaksore të përcaktorit kallëzuesor dhe që e vë përballë gjymtyrëve të tjera të dyta, të cilat hyjnë në lidhje me një gjymtyrë të fjalisë. Kjo lidhje e dallon në radhë të parë nga përcaktori. Lidhja dyanësore ka si bazë strukturore shpërbërjen e një togfjalëshi emëror në përputhje me synimin e kumtimit. Le të krahasohen, p.sh.: këmbë të rënda dhe këmbët t’kishte të rënda. Në rastin e parë mbiemri të rënda në funksionin e përcaktorit Iidhet drejtpërdrejt me emrin dhe tregon një karakteristikë të tij jashtë çdo lidhjeje kohore. Në rastin e dytë mbiemri të rënda në funksionin përcaktorit kallëzuesor lidhet me foljen dhe tregon një karakteristikë të emrit në kohën e kryerjes së veprimit të shprehur nga folja: ai qëndron pranë foljes dhe përshtatet me emrin. Eshtë pikërisht kjo lidhje dyanësore dhe kuptimi që fiton emri ose mbiemri në këtë funksion, që e dallojnë përcaktorin kallëzuesor nga përcaktori si kategori sintaksore më vete. Nga kallëzuesi emëror, me të cilin e kanë afruar herë-herë sidomos kur i referohet kryefjalës. dallohet në këtë pikë, që folja jam, duke pasur një kuptim abstrakt, është shndërruar pak a shumë në një tregues të mënyrës, të kohës dhe të vetës.

Si këpujë, ajo nuk mund të funksionojë si gjymtyrë fjalie jashtë lidhjes me një fjalë tjetër, emër ose mbiemër. Përkundrazi, të gjitha foljet që pranojnë përcaktor kallëzuesor, kanë kuptim të plotë leksikor, gjë që lejon që ato të trajtohen si gjymtyrë fjalie, si kallëzues.

Duke u nisur nga gjymtyra me të cilën përcaktori kallëzuesor lidhet drejtpërdrejt, do të dallohet: l) përcaktori kallëzuesor pranë një foljeje 2) përcaktori kallëzuesor pranjë një mbiemri foljor dhe 3) përcaktori kallëzuesor pranë një emri foljor.

Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe

About Author

Admin_B