Kundrinë është gjymtyra e fjalisë që vihet në marrëdhënie objektore në kuptim të gjerë dhe që lidhet me lidhje nënrenditëse drejtimi me gjymtyrën prej së cilës varet. Të shumtën e herës ajo shënon objektin e veprimit që shpreh folja. Por ka edhe kundrina që nuk tregojnë objektin e veprimit.

Në planin sintaksor, sipas kumtimit e sipas formës së shprehjes, dallohen kundrina e drejtë dhe kundrina e zhdrejtë. Kundrina është e drejtë kur nga kundrinë e ndërtimeve veprore mund të kthehet në kryefjalë të ndërtimeve joveprore. Gëzimi i fitores shton optimizmin për fitore të reja: Optimizmi për fitore të reja shtohet nga gëzimi i fitores. Kundrina është e zhdrejtë zakonisht kur ky kthim nuk mund të bëhet. Kundrina e zhdrejtë del në dy foma: pa parafjalë dhe me parajfalë. E drejta vihet në rasën kallëzore, e zhdrejta pa parafjalë në rasën dhanore. Këto janë kundrinat më tipike, më lehtësisht të dallueshme. Ndërmjet tyre ka disa tipare të përbashkëta që i dallojnë nga kundrinët me parafjalë: Safeti e lexoi broshurën me etje të madhe. Kaq shumë i ra ballit me pëllëmbë, sa e ëma u cudit.

Kundrina e zhdreitë me parafjalë shprehet me emra, përemra etj. të prirë nga parafjalë a lokucione parafjalore që sundojnë rasat emërore, gjinore, kallëzore dhe rrjedhore.

Puna na ka afruar shumë me fshatarët.

Kundrinat, si e drejta, si e zhdrejta, mund të shprehen me emër, me përemër, me numëror a me një pjesë tjetër të emërzuar të ligjëratës. Kundrina mund të shprehet jo vetëm me një fjalë të vetme, por edhe me një togfjalësh të qëndrueshëm ose të lirë. Kundrinat e shprehura me togfjalësh mund të jenë tipash e ndërtimesh të ndryshme, po gjithnjë me një emër, përemër ose pjesë tjetër të emërzuar të ligjëratës si gjymtyrë bosht, e cila vetëm nuk mund të përmbushë rolin e kundrinës. Kundrinë merr kryesisht një gjymtyrë e shprehur me folje ose me lokucion foljor. Eshtë kundrina më e përdorur, më tipike: Ne nuk e humbasim vigjilencën.

Mund të marrë kundrinë edhe një gjymtyrë e shprehur me mbiemër (zakonisht foljor), ndonjëherë edhe një gjymtyrë e shprehur me emër ( zakonisht foljor.

Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe

About Author

Admin_S